Islanda po shqyrton mundësinë e thirrjes së një referendumi për rifillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian që në gusht, sipas dy personave të njohur me përgatitjet për anëtarësim, dhe
POLITICO raporton ekskluzivisht këtë mëngjes .E gjithë kjo po ndodh në një kohë kur vrulli i zgjerimit të Unionit po ndihet përsëri në Bruksel, shkruan media e respektuar. Komisioni Evropian po punon për një plan që mund t’i lejojë Ukrainës anëtarësim të pjesshëm që vitin e ardhshëm, ndërsa Mali i Zi, aktualisht kandidati më i përparuar, mbylli një kapitull tjetër negociatash muajin e kaluar.
Koalicioni qeverisës në Reykjavík ka premtuar një referendum për rinovimin e bisedimeve deri në vitin 2027, më së voni, pasi qeveria e mëparshme e ngriu procesin në vitin 2013. Por afati tani po përshpejtohet, në një atmosferë trazirash gjeopolitike, pas vendimit të Uashingtonit për të vendosur tarifa ndaj Islandës dhe kërcënimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të aneksuar Groenlandën.Parlamenti islandez pritet të shpallë datën e referendumit në javët e ardhshme, thanë burimet, duke folur në kushte anonimiteti. Vendimi vjen pas një sërë vizitash reciproke – nga politikanë evropianë në Islandë dhe zyrtarë islandezë në Bruksel. Nëse islandezët votojnë “po”, ata mund të bëhen anëtar të Unionit para çdo vendi tjetër kandidat, tha një nga burimet.
“Biseda rreth zgjerimit po ndryshon”, tha Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos , e cila u takua me Ministren e Jashtme Islandeze, Katrín Gunnarsdóttir, në Bruksel muajin e kaluar . “Gjithnjë e më shumë bëhet fjalë për sigurinë, për përkatësinë dhe për ruajtjen e aftësisë sonë për të vepruar në një botë të ndarë në sfera konkurruese ndikimi. Kjo i shqetëson të gjithë evropianët.”
Ndjenjë urgjence
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, priti Kryeministrin Islandez , Kristrún Frostadóttir, në Bruksel muajin e kaluar dhe tha se partneriteti i tyre “ofron stabilitet dhe parashikueshmëri në një botë të paqëndrueshme”. Von der Leyen, e cila vizitoi Islandën korrikun e kaluar, ka planifikuar të vizitojë përsëri rajonin e Arktikut në mars.Diskutimet rreth thellimit të lidhjeve me Islandën filluan edhe para se Trump të kthehej në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar. Brukseli, sipas një zyrtari evropian, tashmë po i kushtonte më shumë vëmendje vendit strategjikisht të rëndësishëm në Atlantikun e Veriut.
Por kërcënimet nga SHBA-të e kanë rritur më tej ndjenjën e urgjencës. Midis tyre ishte një “shaka” nga Billy Long , kandidati i Trump për ambasador në Reykjavík, se Islanda mund të bëhet shteti i 52-të i SHBA-së, me të si guvernator.
“Mendoj se fakti që Islanda u përmend katër herë në një fjalim të Trumpit — ndërsa ai po fliste për Groenlandën në Davos — e tërhoqi vërtet vëmendjen”, tha një zyrtar tjetër evropian, duke shtuar se “për një vend të vogël, kjo duhet të jetë shqetësuese”.Islanda aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009, në mes të një krize financiare në të cilën të tre bankat e saj kryesore tregtare falimentuan. Por që në vitin 2013, qeveria i ngriu negociatat, ndërsa ekonomia po rimëkëmbej, dhe disa ekonomistë paralajmëruan për një kolaps të mundshëm të Eurozonës. Në mars të vitit 2015, Islanda kërkoi që të mos konsiderohej më vend kandidat.
Ndërkohë, pamja gjeopolitike ka ndryshuar ndjeshëm.
Islanda zë një pozicion strategjik në Atlantikun e Veriut, në jug të Rrethit Arktik. Ajo nuk ka ushtrinë e vet dhe mbështetet për sigurinë e saj në anëtarësimin në NATO dhe një marrëveshje dypalëshe mbrojtjeje të vitit 1951 me Shtetet e Bashkuara.Është ky dimension i sigurisë, së bashku me përfitimet ekonomike të anëtarësimit, që duket se po ndryshon ndjenjën publike. Sondazhet tregojnë një mbështetje në rritje për anëtarësimin në BE.
Megjithatë, rruga drejt anëtarësimit nuk është e lehtë.”Anëtarësimi mund të hasë pengesa serioze politike të brendshme”, paralajmëroi Guðni Thorlacius Jóhannesson , ish-president i Islandës.
‘Gjithçka varet nga peshqit’
Pengesa më e madhe tradicionalisht ka qenë e drejta e peshkimit – një sektor kyç i ekonomisë islandeze dhe një temë që ka shkaktuar tensione në të kaluarën.
«Në fund të fundit gjithçka varet nga peshku – kjo ka qenë gjithmonë pyetja», thotë një zyrtar evropian.
Por sot ka një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me negociatat e mëparshme: Brexit-i.
Mbretëria e Bashkuar dhe Islanda kanë pasur një marrëdhënie të tensionuar në lidhje me peshkimin për dekada të tëra, duke përfshirë të ashtuquajturat “Luftërat e Merlucit” nga vitet 1950 deri në vitet 1970. Gjatë negociatave të pranimit, u shfaqën tensione të reja mbi sasinë e skumbrit të kapur nga peshkatarët islandezë – një mosmarrëveshje e quajtur “Lufta e Skumbrit” – me BE-në që madje kërcënoi me sanksione tregtare.Por tani që Britania nuk është më anëtare e Unionit, çështja e të drejtave të peshkimit mund të jetë më pak pengesë.
Nëse islandezët vendosin të rifillojnë negociatat, procesi mund të ecë relativisht shpejt. Islanda është anëtare e Zonës Ekonomike Evropiane dhe pjesë e zonës Shengen të lëvizjes së lirë, që do të thotë se tashmë ka miratuar një pjesë të madhe të acquis evropiane.
Përpara ngrirjes së negociatave në vitin 2013, Islanda mbylli 11 nga gjithsej 33 kapituj negociues. Mali i Zi, kandidati më i përparuar, e tejkaloi këtë numër vetëm në muajt e fundit.
“Në letër, nuk do të ishte veçanërisht e vështirë – mund të duhet vetëm një vit” për të mbyllur të gjitha kapitujt, thotë një zyrtar evropian. Por një burim tjetër paralajmëron se një afat i tillë do të ishte tepër ambicioz duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjeve.
Për anëtarësimin përfundimtar, Islanda do të duhej të mbante një referendum të dytë, pas përfundimit të negociatave.
Për Islandën, përfitimet e anëtarësimit do të ishin kryesisht të lidhura me sigurinë, dhe jo ekonomike, raporton POLITICO. Vendi ka PBB-në e pestë më të lartë për frymë në botë, që do të thotë se nxitja ekonomike për t’u bashkuar me BE-në nuk është aq e rëndësishme sa për vendet që aspirojnë fuqimisht anëtarësimin, përfundon raporti.

