Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë aksion për largimin e tabelave të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, pasi ka konstatuar përmbajtje të pasaktë në disa prej materialeve të ekspozuara,.
Komuna e Prishtinës ka larguar ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” nga hapësirat publike, pas konstatimit të pasaktësive në disa prej materialeve të paraqitura.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha, bëri të ditur se vendimi është marrë pas revokimit të lejes për ekspozim.
“Komuna e ka revoku pëlqimin për ekspozimin e materialeve prej librit të Shkëlzen Gashit, të cilat kanë qenë të parapara prej datës 24 mars deri më 7 prill. Ky revokim është bërë për shkak të përmbajtjes së pasaktë e të pavërtetë në disa prej panove, të cilat rëndojnë kujtesën historike dhe kanë shkaktuar reagim publik,” ka theksuar ai.
Sipas tij, komuna nuk kishte bërë verifikim paraprak të materialeve.
“Nuk kemi bërë kontroll të materialeve. Nuk jemi censurë. Materialet kanë qenë të financuara edhe nga institucione shtetërore, prandaj nuk e kemi parë të arsyeshme të hyjmë në detaje. Nuk kemi menduar se mund të ketë pasaktësi kaq të ndjeshme”, ka theksuar ai.
E i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Visar Ballovci, kundërshtoi përmbajtjen e ekspozitës, duke thënë se ajo nuk përputhet me realitetin e përjetuar nga viktimat.
“Kjo ekspozitë nuk përputhet me të dhënat e sakta të masakrës së Dubravës. Ne i kemi përjetuar këto ngjarje. Viktimat kanë qenë civilë të paarmatosur, ndërsa krimet janë kryer nga forcat paramilitare”, ka theksuar ai.
Sipas tij, ngjarjet janë të dokumentuara edhe nga burime ndërkombëtare.
Vendimi për largimin e ekspozitës vjen pas pezullimit të lejes nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për shkak të pasaktësive të evidentuara.
Ekspozita, e hapur më 24 mars në përkujtim të viktimave të luftës në Kosovë, është shoqëruar me reagime të shumta.

