Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë, të dyshuar për përfshirje në një rast të të shtënave me armë në fshatin Mramor të Prishtinës.
Sipas njoftimit të IPK-së, më 27 prill 2026, institucioni ka pranuar informata nga Policia e Kosovës se në këtë fshat ka pasur të shtëna me armë, ku personat e përfshirë dyshohet të jenë zyrtarë policorë, jashtë detyrës zyrtare. Sipas të dhënave fillestare, vepra penale dyshohet të jetë kryer me armën zyrtare të policisë.
IPK ka ndërmarrë menjëherë veprime hetimore fillestare ndaj dy zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor “Veriu” në Prishtinë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Të njëjtit dyshohen për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e tyre.

