Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane është mundësuar identifikimi dhe sekuestrimi i pasurisë që dyshohet së është përfituar përmes veprimtarive kriminale e që ka të bëjë me mashtrim kompjuterik.
“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100.000 (njëqind mijë) euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë. Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, në veçanti të krimeve kibernetike”, thuhet në njoftim.

