Tuesday, May 12, 2026
HomeGjeopolitikOpinionPse nuk ka lulishte dhe lulishtare e qytetet tona

Pse nuk ka lulishte dhe lulishtare e qytetet tona

Nga Imer HYSAJ

Sa herë më ka rastis të jem vizitor në Razëm, Bogë apo Theth, kam parë me dhjetra makina të ndaluara prej të cilave zbresin udhëtarë të shumtë duke bërë fotografi, apo çifte të reja që bëjnë videoklipe si kujtim në “plantacionet” e Reçit të lulëzuara me Levando, sherebelë, trumzë…

Edhe në qytetet europiane ku kam pasur fatin ti vizitoj kam parë lulishte të bukura që jo vetëm të kënaqin shpirtin kur i shikon, por edhe kondërmojnë aroma të këndëshme, shumica prej tyre vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare.

Sa herê shoh ato lulishte mëndja më rikthehet te qytetet tona, që dikur kishin lulishtat e tyre kaq të bukura, mbase nga më tē rrallat per nga shumllojshmëria e hijeshia e luleve.

Kujtoj lulishten para Bankës së Shtetit në Tiranë dhe dhjetra lulishte të tjera nëpër kryeqytet, kujtoj lulishtet e Krujës, Durresit, Korçes, Përmetit, Fierit, Lezhës, Shkodrës, Dibres, Matit etj etj. E gjithë gjeografia e shtrirjes së qyteteve tona kishte lulishtet me lule të bukura që mirëmbaheshin nga lulishtarë profesionistë, që jo rrallë në qytet ishin të organizuara në një brigadë të tërë me dhjetra punëtorë. Edhe lokalet e qyteteve dikur emërtoheshin “Bar Lulishtja” dhe me emra ku mbizotëronte fjala “Lulishte” që ishin me qindra të tillë.

Sot nuk shoh më, vendet e tyre janë mbushur, ose me pallate, ose zënë me pllaka guri apo betoni, ose janë mbjellë me drurë dhe shkurre, duke krijuar “xhungla” nga mos mirëmbajtja për të cilat u shkon për shtat shprehja”që nuk i çan as derri i egër”.

Termi lulishte nuk përmendet më. Emrin e tyre e ka zënë termi park. Nuk e di si mund të quhet park një teritor prej një apo disa dynymësh. E zëmë se është park, po pse nuk mirmbahet. Barishtet, bimët, shkurret dhe pemët harlisen sipas qejfit. Nuk ka stola për të pushuar qytetarët, shumica e tyre kanë ngelur si gjurmë, pa ndenjëse, ose pa mbështetëse. Por jo vetëm kaq, vështirë të futesh në to edhe nga qentë endacakë që tashmë janë “qytetarë” dhe shtrihen në grupe nën hije drurësh apo gëmushash, të lirë që me sjelljet e tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve.

I solla në kujtesë këto që ti rikthehemi luleve, kulturës, traditës tonë. Dikur nëpër dritaret e pallateve vareshin karajfila e zymbyla, shtëpitë rrethoheshin me trëndafila e lule shumëngjyrëshe, po kështu edhe rrugicat e rrugët. Sot kjo traditë ka “ngrirë”, uroj të mos shuhet. Le ti tregojmë botës se edhe ne i duam lulet. Jam i bindur që fondet nuk mungojnë, por mungon dëshira, kultura e atyre që e kanë në dorë dhe mbizotëron heshtja qytetare që bën “gjumë letargjik” dhjetra veçar, për të mos thënë e “rënë në koma”

Kthejuani lulishtet qytetarëve që ju duan kaq shumë të nderuar pushtetarë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram