Musa Kurhasku
Në brigjet e kaltërta të Adriatikut, larg trojeve të tyre të lashta, zemra shqiptare vazhdoi të rrahë edhe pas tre shekujsh.
Para afro 300 vitesh, shumë shqiptarë katolikë nga Shkodra, Ulqini dhe rrethinat e tyre, të lodhur nga trysnia osmane dhe stuhitë e kohës, morën rrugën e mërgimit drejt Zarës së bukur, nën administrimin e Republikës së Venedikut. Ata lanë pas gurët e shtëpive, varret e të parëve dhe kujtimet e vendlindjes, por kurrë nuk e lanë pas gjuhën, shpirtin dhe identitetin shqiptar.
Këta bij e bija të kombit, të njohur në histori si Arbëneshët e Zarës, jetuan ndër shekuj në Dalmaci, fillimisht nën administrimin venedikas e më vonë kroat, por në zemrat e tyre ruajtën amanetin shqiptar. Në sofrat e tyre u ruajt fjala shqipe, në këngët e tyre mbeti gjallë malli për vendin e të parëve, ndërsa në sytë e tyre digjej ende dashuria për rrënjët arbërore.
Në këtë udhëtim të gjatë e të mbushur me emocione, rruga nga Gjakova drejt Zarës mori një kuptim krejt tjetër. Nën drejtimin e sigurt dhe përkushtimin vëllazëror të arkitektit ing. Agim Dedaj, kilometrat kalonin mes bisedash për historinë, kombin dhe mallin për shqiptarët arbëneshë që na prisnin pas tre shekujsh largimi nga trojet e tyre. Ishte më shumë se një udhëtim me makinë, ishte një kthim shpirtëror drejt gjurmëve të shqiptarisë në brigjet e Adriatikut, aty ku historia e kombit tonë vazhdon të jetojë në heshtje, por me krenari.
“Në Lagjen Arbanase, Lotët Kishin Zërin e Shqipes”
Në qytetin madhështor të Zarës, pata nderin dhe emocionin e veçantë që, së bashku me aktivistin e çështjes kombëtare, arkitektin ing. Agim Dedaj, kolegët Zekë Sinanaj e Islam Haxhiu, si dhe ing. e pylltarisë Hasan Ukaj, me ftesë të Shoqatës Shqiptare të Prefekturës së Zarës, të marrim pjesë në manifestimin kulturor “Ditët e Kulturës Arbëneshe – Zonja Jonë e Loretos”, në përkujtim të 300-vjetorit të ardhjes së arbëneshëve në Zarë nga Shkodra dhe trojet përreth saj.
Ishte një akademi madhështore, ku merrnin pjesë zyrtarë shtetërorë kroatë, ambasadorë të Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Kosovës, si dhe figura të shquara të komunitetit arbënesh, ndër ta prof. Vesel Leka, mësimdhënës i gjuhës shqipe e arbreshe, dhe Esat Çollaku,kryetar i Shoqatës “Arbanasi”, ish epror e luftetar ushtarak në luften kundër Serbisë për lirin e Kroacisë.
“Nga Shkodra në Zarë: Udhëtimi i dhimbjes dhe krenarisë shqiptare”
Por, emocionet më të forta nuk i përjetuam në sallat zyrtare. Ato i ndjemë në lagjen “Arbanasi”, aty ku ende frymon shpirti shqiptar. Ishte një takim malli, lotësh dhe krenarie. Sapo hymë në atë lagje, na priti shqiptarja arbëneshe Albina Mikoliç me fjalët që prekën zemrat tona;
“Mirë se erdhët, vëllezër shqiptarë nga Kosova!”
Lotët e saj të gëzimit flisnin më shumë se çdo fjalë. Ishin lot që bartnin mallin e brezave, dhimbjen e ndarjes dhe krenarinë e gjakut shqiptar që nuk u tret kurrë.
Ndërkohë, Nino Samira Karanmarke, na rrëfente me pasion historinë e mbijetesës shekullore të arbëneshëve, historinë e një populli që u përpoq të mos harrojë asnjëherë kush ishte.
“Tre shekuj larg atdheut, por kurrë larg Shqiptarisë”, na thotë Nino!
E Leon Çurkoviq, me padurim e buzëqeshje, ndërhynte vazhdimisht në bisedë vetëm për të shqiptuar ndonjë fjalë në gjuhën shqipe, sikur të donte të dëshmonte se gjuha e të parëve ende jeton në shpirtin e tij. Ajo më në fund na thot;“Në Zarë, zemrat arbëneshe rnde rrahin Shqip”!
Ndërsa Flavia Skali, me sytë e përqendruar mbi ne, dëgjonte me mall çdo bisedë dhe thoshte me krenari:
“Ne gjithmonë e kemi ndjerë veten shqiptarë, por kemi nevojë për ndihmë që brezat e rinj ta mësojnë gjuhën shqipe.”
“Arbëneshët: Amaneti shqiptar i ruajtur ndër shekuj”!
Një takim po aq mbresëlënës ishte edhe ai me prof. Teuta Sereqi, mbesën e patriotit dhe atdhetarit Gjon Sereqi. Me emocion e përkushtim, ajo kërkonte mbështetjen e Kosovës dhe Shqipërisë për projekte që do t’u mundësonin brezave të rinj arbëneshë ta ruajnë gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Për pesë ditë qëndrimi në Zarë, vizituam monumente historike, rrugë të lashta dhe vende të mbushura me kujtime. Por mbi të gjitha, takuam zemra shqiptare që, edhe pas 300 vitesh larg atdheut, ende rrahin shqip.
Dhe atëherë e kupton se shqiptaria nuk është vetëm tokë. Është gjak, kujtesë, mall dhe një dritë që nuk shuhet kurrë, sado larg të fryjnë erërat e historisë.

