Wednesday, May 20, 2026
HomeKulturëSpahiu dhe Bogujevci: Rikthimi i `Akordeve të Kosovës` hap i rëndësishëm

Spahiu dhe Bogujevci: Rikthimi i `Akordeve të Kosovës` hap i rëndësishëm

Radiotelevizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit kanë nënshkruar sot marrëveshjen e re të bashkëpunimit, e cila parasheh rikthimin e festivalit tradicional “Akordet e Kosovës”, si dhe organizimin e Festivalit të Fëmijëve. U.D. Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu dhe ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e kanë vlerësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e kulturës, artit dhe promovimin e talenteve të reja në vend

U.D. Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu është shprehur jashtëzakonisht e lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës si dhe mbështetjen për Festivalin e Këngës në RTK.

“Risi e veçantë e kësaj marrëveshjeje është Festivali i Fëmijëve, i cili do të krijojë hapësirë për talentet e reja që në të ardhmen do t’u hapë rrugën të ngjiten në skenën e Junior Eurovision. Marrëveshja po ashtu synon pasurimin e programit kulturor e artistik në kanalet televizive të RTK-së. Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët për punën dhe përkushtimin, Kryetarin e Bordit të RTK-së dhe u.d. Drejtorin Programor të Televizionit për mbështetjen dhe bashkëpunimin në këtë proces”, ka shkruar Spahiu në Facebook.

E për këtë marrëveshje ka shkruar edhe e para e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Ajo ka thënë se marrëveshjen me Radiotelevizionin e Kosovës e kanë vazhduar për promovimin dhe fuqizimin e kulturës në vendin tonë.

“Në kuadër të kësaj marrëveshjeje parashihet organizimi i ‘Akordeve të Kosovës’, që përfshin Festivalin e Këngës dhe Festivalin e Fëmijëve, transformimi i kanalit të katërt televiziv në RTK ART, kanal i dedikuar artit dhe kulturës, si dhe zhvillimi i kapaciteteve orkestrale e korale të RTK-së”, ka shkruar ministrja në detyrë, Saranda Bogujevci.

Sipas saj pjesë e marrëveshjes është edhe mbulimi i programeve të institucioneve të kulturës dhe përcjellja e ngjarjeve të kalendarit vjetor kulturor.

“Akordet e Kosovës” ishte festivali i parë dhe më i rëndësishëm i muzikës shqipe në Kosovë, i themeluar në vitin 1963. Ai u organizua atëbotë nga Radiotelevizioni i Prishtinës dhe shërbeu si gurthemel për zhvillimin e muzikës argëtuese, popullore dhe asaj për fëmijë, duke nxitur krijimtarinë e dhjetëra kompozitorëve dhe këngëtarëve ikonikë të kohës.

Ndërkaq, pas shumë vitesh mungesë të një festivali të tillë, RTK, në kuadër të marrëveshjes paraprake me Ministrinë e Kulturës, ka arritur të organizojë tri edicione të Festivalit të Këngës, ngjarje e cila ka pasuruar jetën kultutore në vendin tonë. Në edicionin e parë triumfoi artisti La Fazani (Arbër Salihu) me këngën “Oj Kosovë”, në edicionin e dytë Endrit Krasniqi me këngën “Flas me gjethen”, kurse në edicionin e tretë këngëtarja Arsi Bako me këngën ‘Rreze zjarr’.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram