Ndërsa Shqipëria synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian brenda më pak se tre vitesh, lind pyetja se çfarë ofron kryeqyteti shqiptar për turistët,shkruan Martin Banks, në një artikull të botuar në “Travel Tomorrow”.
Një histori e shkurtër
Tirana u zhvillua nga një vendbanim i vogël tregtar në kryeqytetin e Shqipërisë në vitin 1920, falë pozicionit të saj qendror. Qyteti u transformua nga një qendër osmane në një kryeqytet me arkitekturë të ndikuar nga stili italian, por më pas përjetoi një diktaturë të ashpër komuniste nga viti 1944 deri në vitin 1992.
Diktatori stalinist, Enver Hoxha udhëhoqi një regjim izolues dhe represiv, i cili ndërtoi bunkerë, ndryshoi peizazhin urban me pallate të stilit socialist dhe shembi objektet fetare.
Sot, megjithatë, ky kryeqytet i veçantë është shndërruar në një qytet evropian të gjallë, plot ngjyra dhe energji.
E kaluara komuniste
Asnjë vizitë në Tiranë nuk mund të konsiderohet e plotë pa një ndalesë në vendet ku pasqyrohet periudha komuniste, një epokë që shumë shqiptarë mund të preferojnë ta lënë pas në histori.
Megjithatë, gjurmët e asaj kohe janë ende të pranishme në qytet dhe sot konsiderohen ndër pikat më të rëndësishme turistike.
Një prej tyre është Bunk’Art, bunkeri bërthamor i periudhës komuniste, i cili mund të kalojë lehtësisht pa u vënë re, po të mos ishte për tabelat orientuese që tregojnë vendndodhjen e tij.
Ky është një destinacion vërtet mbresëlënës për t’u vizituar. Vizitorët zbresin nën tokë përmes disa shkallëve dhe futen me tunele e dhoma të shumta, tashmë të shndërruara në muze, hapësira arti dhe qendra edukimi.
Aty ekspozohen fotografi dhe materiale informuese, shpesh tronditëse, mbi të kaluarën e afërt dhe dramatike të vendit.
I vendosur pranë Sheshit Skënderbej, sheshit kryesor të qytetit, ky kompleks spikat veçanërisht për mënyrën se si rrëfen historitë personale të njerëzve, që përjetuan skajet më të errëta të doktrinës komuniste.
Një tjetër atraksion i rëndësishëm është “Shtëpia me Gjethe”, një ndërtesë pranë qendrës së qytetit, që fillimisht kishte funksionuar si maternitet.
Më vonë, ajo u shndërrua në një qendër hetimi dhe torture gjatë regjimeve të mëparshme dhe sot rrëfen historitë e shqiptarëve të zakonshëm, që u përballën me trajtimin mizor nga policia sekrete famëkeqe, e njohur si “Sigurimi”.
Çdokush që konsiderohej “tradhtar” i shtetit përballej me pasoja të rënda.
Objekti përmban gjithashtu një koleksion mbresëlënës pajisjesh përgjimi, duke treguar mënyrat e sofistikuara, me të cilat drejtuesit politikë të kohës mbikëqyrën qytetarët dhe të huajt.
Bisedat regjistroheshin në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa pajisje përgjimi fshiheshin në objekte të ndryshme, përfshirë fshesa, kravata dhe tuba duhani.
Sheshi Skënderbej
Mjafton të imagjinoni “Grand Place-in” e Brukselit, por rreth gjashtë herë më i madh, për të krijuar një ide mbi përmasat e këtij sheshi të madh publik, në zemër të Tiranës.
Ai u ndërtua nga austriakët në vitin 1917 dhe mban emrin e Skënderbeut, heroit kombëtar dhe udhëheqësit ushtarak shqiptar të shekullit XV.
Skënderbeu nderohet me statuja edhe në qytete të tjera të botës, përfshirë Brukselin. Ai ndërroi jetë nga malaria në vitin 1468.
Sheshi rrethohet nga një përzierje eklektike arkitekturore, ku ndërthuren ndërtesa të periudhës komuniste me objekte të tjera historike, duke e bërë atë pikën ideale të nisjes për çdo vizitë në kryeqytet.
Kafeja dhe George W. Bush
Mund të duket e pazakontë, por Tirana ka një lidhje të fortë si me kulturën e kafesë, ashtu edhe me ish-presidentin amerikan, George W. Bush.
Të ecësh me një filxhan kafe në dorë është bërë pjesë e përditshmërisë në shumë vende, por në Tiranë kjo është kthyer në një ritual të mirëfilltë shoqëror, dhe jo thjesht në konsumim kafeine.
Qyteti konsiderohet ndër vendet me numrin më të lartë të kafeneve për frymë në botë. Ato gjenden pothuajse në çdo cep dhe shërbejnë si hapësira të rëndësishme për takime, biseda dhe kohë të lirë.
Pas rënies së komunizmit në vitet 1990, kafenetë u shumuan me ritme të shpejta si ambiente sociale publike. Nuk është e pazakontë të shohësh njerëz që kalojnë orë të tëra në biseda pranë një filxhani të vogël kafeje.
Tirana ka edhe një muze të dedikuar kafesë.
Ai quhet “Komiteti – Muzeu i Kafes” dhe mund të mos vihet re menjëherë, pasi funksionon njëkohësisht edhe si kafene, ndër më të veçantat për dekorin e saj plot ngjyra.
Ambienti është i frymëzuar nga stili retro dhe i mbushur me objekte vintage, çka e bën vetë hapësirën një atraksion më vete.
Vizitorët mund të provojnë varietete të ndryshme kafeje dhe të mësojnë më shumë mbi kulturën shqiptare të saj.
Përsa i përket George W. Bush, ish-presidenti amerikan vazhdon të gëzojë popullaritet të madh në Shqipëri.
Kjo lidhet kryesisht me faktin se ai ishte presidenti i parë amerikan në detyrë që vizitoi vendin, në vitin 2007, si dhe me mbështetjen e tij për interesat shqiptare, veçanërisht për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Bush u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm në Tiranë dhe në Fushë-Krujë, ku turma të shumta brohorisnin emrin e tij.
Në kryeqytet mban emrin e tij një rrugë kryesore, ndërsa pranë qendrës ndodhet edhe një bibliotekë e dedikuar.
Në një kuptim më të gjerë, Shqipëria ka ruajtur historikisht një vlerësim të lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që prej mbështetjes së presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë shqiptare në vitin 1919.
Një lidhje e papritur me Belgjikën
Përtej aspiratës së përbashkët evropiane, shumë pak njerëz do të mendonin se Shqipëria dhe Belgjika kanë lidhje të veçanta.
Megjithatë, një vizitë në katedralen katolike të qytetit mund t’i prezantojë turistët me një prej priftërinjve të saj, i cili vjen nga Bruges.
At Koen Van Kershauer, klerik me origjinë flamande, jeton në Tiranë prej rreth 30 vitesh.
Ai shpjegon se erdhi në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit, pasi kishte dëgjuar për persekutimin dhe vrasjen e priftërinjve, si dhe shkatërrimin e kishave gjatë regjimit komunist.
“Isha në Gjermani në atë kohë, por dëgjova për mënyrën se si regjimi komunist kishte përndjekur dhe vrarë priftërinj, si dhe kishte djegur kisha”, tha ai.
“Ishte menjëherë pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990 dhe vendosa të vija këtu për të ndihmuar. Nuk e mendoja se do të qëndroja kaq gjatë, por jam i lumtur këtu”, tha ai.
Ai theksoi gjithashtu se sot të gjitha besimet fetare bashkëjetojnë në harmoni në Shqipëri.
“Kam parë përmirësime të mëdha në mënyrën se si perceptohet feja këtu dhe në mënyrën se si trajtohen të gjitha komunitetet fetare”, u shpreh 83-vjeçari.
Dritarja me xham të ngjyrosur pranë hyrjes së katedrales paraqet Papa Gjon Palin II dhe Nënë Terezën, me origjinë shqiptare.
Një statujë e Nënë Terezës ndodhet gjithashtu pranë hyrjes së katedrales, së bashku me një mozaik të madh të realizuar me guaska deti.
Edhe pse ndërtesa ka një arkitekturë moderne që nuk i ngjan kishave tradicionale, ajo mbetet një destinacion që ia vlen të vizitohet.
Çfarë tjetër mund të vizitohet?
Një tjetër objekt fetar me rëndësi është Xhamia e Et’hem Beut në qendër të qytetit, e ndërtuar mes viteve 1791 dhe 1794 nga Molla Beu.
Gjatë regjimit totalitar të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, xhamia u mbyll.
Më vonë ajo u shpall monument kulture dhe iu nënshtrua restaurimeve gjatë viteve 1960 dhe 1970.
Më 18 janar 1991, pavarësisht kundërshtimeve të autoriteteve komuniste, rreth 10 mijë persona hynë në xhami duke mbajtur flamuj. Ky moment konsiderohet një pikë kthese në rikthimin e lirisë fetare në Shqipëri.
Afresket e xhamisë paraqesin pemë, ujëvara dhe ura. Atraksione të tjera përfshijnë Piramidën e Tiranës, e ndërtuar fillimisht si muze për Enver Hoxhën dhe tashmë e transformuar në një hapësirë arti, si dhe Parkun e Madh të Tiranës, i njohur për liqenin artificial dhe ambientin e përshtatshëm për shëtitje.
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian
Në fillim të këtij muaji, Bashkimi Evropian shënoi “Ditën e Evropes”, e njohur si “Deklarata e Shumanit”, e konsideruar si pikënisja e projektit evropian.
Ndërsa kjo datë mund të ketë kaluar pothuajse pa u vënë re në disa prej shteteve themeluese të BE-së, në Tiranë ajo u shoqërua me aktivitete të shumta festive.
Në qendër të qytetit është krijuar një hapësirë e posaçme ku ekspozohen flamujt e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, së bashku me vitet e anëtarësimit të tyre.
Shqipëria konsiderohet ndër vendet kryesore të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian dhe synon anëtarësimin deri në vitin 2030.
Ndryshe nga disa vende aktuale anëtare, mbështetja për Bashkimin Evropian në Shqipëri mbetet shumë e lartë, me mbi 90 për qind të qytetarëve që mbështesin anëtarësimin.
Dëshira për rritjen e standardit të jetesës është një nga arsyet kryesore pse shumë shqiptarë e shohin BE-në, si hapin e ardhshëm të vendit.
Po ashtu, Shqipëria mbetet një destinacion me kosto të favorshme për turistët, sidomos krahasuar me vende si Belgjika, pasi një vakt i mirë dhe një pije mund të kushtojnë deri në 50 për qind më pak. //a.i/
https://traveltomorrow.com/from-bunkers-to-cafes-discovering-the-many-faces-of-tirana

