Instituti i Kosovës për Drejtësi ka nisur zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës.
Kjo nismë synon që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të parashikohen si vepra penale.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, theksoi se për procedimin e nismës në Kuvend nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime. Ai shtoi se presin të tejkalohet kjo shifër.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi fillon zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Përmes kësaj nisme propozojmë dy ndryshime konkrete. Së pari, propozojmë që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të parashikohet shprehimisht si vepër penale. Së dyti, propozojmë që përdorimi i parasë publike me qëllim përfitimin elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore të parashikohet si vepër penale”, tha ai.
Jakaj më tej deklaroi se këto veprime, me të drejtë ngrisin dyshime dhe debat publik nëse buxheti i shtetit po përdoret për politika sociale apo për përfitim elektoral.
“Demokracia nuk duhet të lërë hapësirë për dyshime të tilla. Paraja publike është e qytetarëve. Ajo duhet të përdoret për interes publik. Jo për interesa partiake apo elektorale. Pikërisht për këtë arsye propozojmë që përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të sanksionohet si vepër penale”, tha Jakaj.
Jakaj potencoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë “të detyrueshme dhe duhet të zbatohen nga të gjitha institucionet”. Në mesin e vendimeve të pa zbatuara, ai përmendi aktgjykimin për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
“Një nga shembujt më të qartë është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Gjykata obligoi Kuvendin që, brenda gjashtë muajve, ta harmonizonte ligjin. Kjo nuk ndodhi. Si rezultat, edhe sot mbi 94 mijë zyrtarë publikë nuk kanë përfituar pagesat që burojnë nga ky aktgjykim. Kur nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk cenohet vetëm një aktgjykim. Cenohet autoriteti i Kushtetutës”, tha ai.

