Shkruan: Ymer HYSA – Mjek Veteriner, Gazetar
Edhe pse nuk ka kaluar shumë kohë nga përfundimi me sukses i Kongresit të Parë të Veterinarisë Shqiptare, mendoj se ka arsye të forta që Shqipëria të ketë edhe një Kongres të Dytë të Veterinarisë.
Kongresi i Parë ishte një hap i rëndësishëm për profesionin veterinar shqiptar. Ai krijoi një hapësirë të përbashkët ku u takuan mjekët veterinerë, akademikët, institucionet dhe ekspertët vendas e ndërkombëtarë. Për një profesion që ka nevojë të jetë vazhdimisht i lidhur me zhvillimet shkencore dhe praktikat europiane, ky ishte një zhvillim që duhet vlerësuar.
Por pikërisht suksesi i Kongresit të Parë e rrit përgjegjësinë për Kongresin e Dytë dhe Kongresi i Dytë nuk duhet të jetë thjesht përsëritje e Kongresit të Parë. Ai duhet të jetë më i arrirë, më konkret dhe mbi të gjitha të prodhojë rezultate.
Veterinaria lidhet drejtpërdrejt me shëndetin publik. Kontrolli i sëmundjeve zoonotike, siguria e ushqimeve me origjinë shtazore, përdorimi i barnave veterinare dhe rezistenca ndaj antibiotikëve janë çështje që prekin të gjithë shoqërinë. Vetë shërbimi veterinar shqiptar ka ndër përgjegjësitë kryesore parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive dhe mbrojtjen nga zoonozat. Për këtë arsye, veterinaria ka nevojë për përditësim të vazhdueshëm profesional dhe shkencor.
Ligji që ndjek UPMVSH e ka lidhur prej kohësh edukimin e vazhdueshëm profesional me sistemin e krediteve duke e konsideruar formimin profesional një proces që nuk përfundon me diplomën universitare.
Shqipëria po përballet edhe me sfida reale epidemiologjike. Gjatë vitit 2025 pati raste të murtajës së ruminantëve të vegjël, për të cilat u miratuan edhe masa dhe dëmshpërblime nga qeveria.
Një Kongres i Dytë do të ishte një mundësi e mirë për të analizuar me profesionalizëm mësimet e nxjerra nga këto situata dhe për të diskutuar mënyrat e përmirësimit të parandalimit, diagnostikimit dhe reagimit ndaj sëmundjeve.
Por Kongresi nuk duhet të kufizohet vetëm te prezantimet shkencore. Në shkurt 2026, bashkëpunimi mes Akademisë së Shkencave dhe Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar dhe marrëveshja e nënshkruar mes tyre krijuan një bazë të rëndësishme për lidhjen më të ngushtë të kërkimit shkencor, formimit profesional dhe praktikës veterinare. Kongresi mund të jetë një nga mekanizmat konkretë për ta kthyer këtë bashkëpunim në projekte, kërkime dhe rezultate të matshme.
Po kështu, përafrimi i Shërbimit Veterinar Shqiptar me standardet europiane dhe harmonizimi i legjislacionit veterinar me atë të Bashkimit Europian kërkojnë një debat profesional më të thellë. Pjesëmarrja e ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë mund të sjellë në Kongres praktikat dhe standardet europiane, jo vetëm si teori, por si modele konkrete që mund të përshtaten dhe zbatohen në Shqipëri.
Një Kongres i përbashkët ku të jenë të pranishëm UPMVSH, FMV, AKVMB, ISUV, institucionet kërkimore, universitetet dhe veterinerët praktikë, do të krijonte një hapësirë të rëndësishme për të diskutuar problemet reale të profesionit dhe për të kërkuar zgjidhje të përbashkëta.
Por këtu qëndron edhe sfida e Kongresit të Dytë.
Nëse Kongresi i Parë ishte kryesisht një hap për të bashkuar profesionin dhe për të shkëmbyer dije, Kongresi i Dytë duhet të jetë një hap për të vendosur drejtimin e profesionit.
Nuk mjafton që të kemi sërish shumë referime, shumë specialistë dhe shumë diskutime. Në fund të Kongresit duhet të kemi konkluzione konkrete, rekomandime, objektiva dhe, aty ku është e mundur, vendime të përbashkëta institucionale.
Duhet të flasim për të ardhmen e shërbimit veterinar, për edukimin dhe specializimin e veterinerëve, diagnostikimin laboratorik, antibiotiko-rezistencën, zoonozat, mirëqenien e kafshëve, sigurinë ushqimore, barnat veterinare, digjitalizimin dhe rolin që duhet të ketë mjeku veteriner në një Shqipëri europiane.
Mbi të gjitha, Kongresi i Dytë duhet të përfundojë me një agjendë kombëtare për veterinarinë shqiptare: çfarë duhet të ndryshojë, kush duhet ta bëjë, brenda çfarë afati dhe cilat duhet të jenë objektivat për vitet e ardhshme. Sepse mjeku veteriner nuk është vetëm “mjeku i kafshëve”. Ai është një profesionist që ka rol të drejtpërdrejtë në shëndetin publik, sigurinë ushqimore, mirëqenien e kafshëve dhe ekonominë bujqësore.
Sipas eksperiencës time prej katër dekadash, mendoj se Kongresi i Dytë i Veterinarisë në Shqipëri duhet të mbahet. Por ai duhet të jetë më i mirë se i pari, jo thjesht në organizim, por në përmbajtje dhe në rezultat.
Kongresi i Parë tregoi se veterinaria shqiptare mund të bashkohet rreth shkencës dhe profesionit. Kongresi i Dytë duhet të tregojë se veterinaria shqiptare di të përcaktojë edhe të ardhmen e saj.
Prandaj, Kongresi i Dytë nuk duhet parë thjesht si një aktivitet i radhës. Ai duhet të jetë një forum kombëtar ku shkenca, praktika profesionale dhe institucionet jo vetëm të diskutojnë, por të vendosin objektiva dhe të marrin përgjegjësi për të ardhmen e veterinarisë shqiptare.
Ky do të ishte edhe suksesi i vërtetë i Kongresit të Dytë.

