Policia e Kosovës ka raportuar për një sërë incidentesh kriminale të evidentuara gjatë 24 orëve të fundit në rajone të ndryshme të vendit. Në raportin ditor përfshihen raste të posedimit të paautorizuar të armëve, dhunës në familje, kanosjes, grabitjes, lëndimeve trupore, zjarreve dhe kalimit të paligjshëm të kufirit.
Një nga rastet është regjistruar në Lipjan, ku një i mitur është ndaluar në parkun e qytetit dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz dhe dy fishekë. Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Fushë Kosovë, policia është njoftuar për një grua të shtrirë në tokë, ndërsa ekipet relevante dhe ato mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja. Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Rast i dhunës në familje është raportuar në Lipjan, ku një grua ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka poseduar edhe raport mjekësor për lëndimet e marra. Me kërkesë të saj është lëshuar urdhër mbrojtës, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Në Prishtinë, gjatë hetimit të një rasti të mëhershëm të grabitjes, policia ka gjetur në një banesë disa pajisje elektronike, në të cilat janë evidentuar mesazhe me përmbajtje shantazhuese. Për këtë rast janë arrestuar dy shtetas të Turqisë, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Po në Prishtinë, një person është arrestuar pasi, përmes një rrjeti social, kishte publikuar një koment me përmbajtje kërcënuese. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në një rast tjetër në Prishtinë, një person është arrestuar nën dyshimin për dhënie ryshfeti dhe pengim të të provuarit apo procedurës zyrtare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Gjilan, policia ka ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit ka gjetur një pistoletë me nëntë fishekë. I dyshuari ka deklaruar se kishte aplikuar për leje për armën, por leja ende nuk i ishte lëshuar. Arma është konfiskuar dhe rasti po procedohet në procedurë të rregullt.
Në Novobërdë, ndërkaq, është raportuar për vdekjen e një gruaje, e cila ishte dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Gjilan. Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor dhe, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë u është liruar familjarëve.
Në Shtërpcë, një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Në Suharekë janë raportuar dy raste të ndara të sulmit dhe lëndimit trupor. Në njërin rast, një grua ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga një grua tjetër dhe ka marrë trajtim mjekësor. Në rastin tjetër, një e mitur ka raportuar se është sulmuar nga një grua. Dy persona të përfshirë janë shoqëruar në stacion policor dhe, pas intervistimit në praninë e punëtorit social dhe avokatit mbrojtës, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Ndërsa në rrugën “Hasan Prishtina” në Prizren, lidhur me një rast të sulmit ndaj personit zyrtar, janë arrestuar dy të dyshuar. Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje.
Një grabitje është raportuar në Rahovec, ku një grua ka deklaruar se dy persona të panjohur, të maskuar dhe të armatosur me pistoletë, e kanë sulmuar fizikisht dhe, nën kërcënimin e armës, i kanë marrë çantën e dorës me para të gatshme. Viktima ka marrë trajtim mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa rasti është nën hetime.
Në Malishevë, policia ka identifikuar një grua të raportuar më herët si person të zhdukur. Ajo ka deklaruar se ishte larguar me vullnetin e saj nga personi me të cilin kishte bashkëjetuar dhe se nuk dëshironte të kthehej tek ai. Sipas policisë, ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe është kthyer te familja.
Në Skenderaj, një person është arrestuar nën dyshimin se, pasi kishte djegur mbeturina në pronën e tij, zjarri kishte dalë jashtë kontrollit dhe kishte përfshirë edhe pronën e një personi tjetër. Rasti po procedohet në procedurë të rregullt.
Në Leposaviq, në fshatin Kajkovë, një stallë është përfshirë nga zjarri. Njësitë përkatëse policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa zjarri është lokalizuar. Rasti mbetet nën hetime.
Në Mitrovicë të Veriut janë raportuar edhe raste të sulmit, kanosjes, lajmërimit apo kallëzimit të rremë dhe ngacmimit. Në rastin e ngacmimit, një e mitur ka deklaruar se një person me të cilin kishte komunikuar më herët përmes rrjeteve sociale e kishte përcjellë dhe shqetësuar vazhdimisht. I dyshuari ende nuk është hasur nga policia.
Edhe njësitë e Policisë Kufitare kanë evidentuar raste të posedimit të paautorizuar të armëve në Istog. Në dy raste të ndara, gjatë kontrollit të një automjeti janë gjetur armë me gaz dhe municion. Armët dhe municioni janë konfiskuar, ndërsa rastet po procedohen në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Bllacë të Hanit të Elezit, njësitë patrulluese kanë ndaluar një shtetas të Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se kishte kaluar kufirin në mënyrë ilegale. Me urdhër të prokurorit kujdestar, ai është intervistuar dhe rasti po procedohet në procedurë të rregullt.

