Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas zhvillimeve para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga organet shtetërore që të ndalen veprimet ndaj protestuesve dhe të procedohet me miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
“PDK kërkon nga Qeveria përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK ka thënë se lufta e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, ka qenë e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme, ndërsa ka theksuar se UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare janë pjesë e pandashme e historisë, identitetit dhe lirisë së Kosovës.
Sipas PDK-së, mbrojtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi qytetare dhe shtetërore që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
PDK ka ritheksuar se nuk ka asnjë pengesë ligjore për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe përmbylljen e këtij procesi.
“Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Qeveria në opinionin e saj. Prandaj, zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve”, ka thënë PDK.
PDK ka thënë se qytetarët, fëmijët e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve po protestojnë me një kërkesë të qartë për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin.
“Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të marrë përgjigje përmes veprimeve konkrete institucionale. Qeveria nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë për vendimmarrje me përdorimin e forcës ndaj qytetarëve”, thuhet në reagim.
PDK ka kërkuar nga organet shtetërore të ndalin dhunën ndaj protestuesve.
“Masat e përdorura ndaj një proteste që ka qenë e qetë për 20 ditë me radhë janë tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme. Qëndresa e qytetarëve nuk mund të trajtohet si kërcënim dhe as të përdoret si pretekst për ushtrim dhune”, ka thënë PDK.
PDK ka thënë se institucionet e sigurisë kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre.
“Është e papranueshme që institucionet e sigurisë po përdoren skajshmërisht për qëllime politike apo për ta shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve. Ato kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre. Çdo përpjekje për t’i vënë në shërbim të interesave të pushtetit përbën abuzim të rëndë me përgjegjësinë shtetërore”, thuhet në reagimin e PDK-së.
“Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për protestë”, ka thënë PDK.
Në fund, PDK u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe ta përmbyllin miratimin e ligjit që mbron UÇK-në.
“Përgjegjësia institucionale në këtë moment kërkon vendimmarrje, respekt për qytetarët dhe mbrojtje të dinjitetit të çlirimtarëve”, ka përfunduar PDK.

