Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një hetim preliminar për të vlerësuar veprimet e zyrtarëve policorë dhe përdorimin e forcës gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
IPK njofton se, në kuadër të mandatit të tij ligjor, ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarë për të monitoruar nga afër menaxhimin e protestës, ndërveprimin e policisë me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.
Ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar një ankesë, të përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.
Sipas IPK-së, hetimi është iniciuar edhe bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante.
“IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, thuhet në komunikatë.
IPK ka theksuar se do të vazhdojë ta ushtrojë mandatin në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të pavarur, me qëllim të garantimit të respektimit të ligjshmërisë, të drejtave të qytetarëve dhe standardeve profesionale në zbatimin e ligjit.

