Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Dancing with clouds”, të profesor Afrim Spahiut, kuruar nga Sislej Xhafa, e cila u hap sot në Pejë.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, në prani të përfaqësuesve institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, artistëve dhe përfaqësuesve të shumtë nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës, kryeministri tha se “Duke vallëzuar me re”, është ekspozitë e cila krahas fotografive të Profesor Spahiut sjell edhe filmin dokumentar të jashtëzakonshëm të Besim Sahatçiut “117”.
Kryeministri Kurti tha se profesor Afrim Spahiu është i njohur jo vetëm për fotografitë, por edhe për fotografitë në film, përkatësisht për filmografi. Ndërsa shtoi se është kënaqur e gëzuar duke parë punimet e profesorit dhe se është edukuar estetikisht nëpërmjet punës së tij.
“Profesor Afrim Spahiu, karakterizohet nga një lloj dokumentimi që, transformimi që bën koha, nuk është zhdukje e realitetit që transformohet. Pra, teksa rrjedha e kohës ndryshon thellësisht realitetin e në të njëjtën kohë ka diçka e cila ngelet dot. E ajo që ngelet në kuptimin artistik është pikërisht fotografia e jashtëzakonshme e profesor Afrim Spahiut, i cili ka një karrierë prej më shumë se gjysmë shekulli, pra nuk është bash i ri siç duket dhe ka marrë shumë çmime e shpërblime, ndër të cilat duhet theksuar çmimin për Veprën Jetësore “Bekim Fehmiu”, dhe janë mbi 25 filma në të cilët ka kontribuar”, tha Kurti.

