Saturday, October 10, 2026
HomeGjeopolitikOpinionLarg duart nga policia!

Larg duart nga policia!

Nga Vladimir Muçaj

Për ditë me radhë kam ndjekur nga afër protestat në Tiranë: parullat, fjalimet, përplasjet dhe, mbi të gjitha, sjelljen e policisë. Në fillim, protesta ishte e qetë dhe e disiplinuar, duke dëshmuar se edhe në Shqipëri pakënaqësia mund të shprehet me qytetari. Por kjo frymë u zbeh kur argumentin e zëvendësuan fyerjet dhe kauzën e morën peng ata që e shohin dhunën si mjet për të tërhequr vëmendjen.

E drejta për të protestuar është themel i demokracisë, por nuk është licencë për të goditur, kërcënuar apo poshtëruar punonjësit e policisë. Të ngresh dorën mbi një efektiv që qëndron në kordon, i kufizuar nga detyrimi profesional për të vepruar brenda ligjit, nuk është trimëri. Është abuzim me përgjegjësinë e tij publike. Kush godet policin duke llogaritur se ai nuk do të kundërpërgjigjet, nuk dëshmon guxim, por përfiton nga detyra që ai ka zgjedhur të përmbushë.

Një kauzë, sado e drejtë të jetë, humbet besueshmërinë kur toleron dhunën në emër të saj. Përgjegjësia u takon edhe organizatorëve dhe drejtuesve të protestës, të cilët duhet të distancohen qartë nga çdo akt dhune. Askush nuk mund të pretendojë se mbron demokracinë duke sulmuar ata që kanë për detyrë të garantojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve.

Përballë kësaj sjelljeje, ajo që meriton vëmendje është profesionalizmi i efektivëve që përballojnë provokimet pa iu përgjigjur me forcë të panevojshme. Shqipëria i njeh periudhat kur përdorimi i forcës nga policia ka lënë gjurmë të rënda në marrëdhënien e shtetit me qytetarin. Pikërisht për këtë arsye, disiplina dhe proporcionaliteti nuk janë thjesht kërkesa të detyrës, por standarde që përcaktojnë cilësinë demokratike të një institucioni.

Në këtë standard ka rëndësi të veçantë drejtimi i Policisë së Shtetit dhe figura e Skënder Hitës. Një drejtues policie nuk vlerësohet vetëm nga urdhrat që jep, por edhe nga mënyra se si funksionon institucioni nën drejtimin e tij në momentet më të vështira. Kur tensioni rritet dhe çdo reagim mund të sjellë pasoja, prova e drejtimit është aftësia për të garantuar disiplinën, ligjshmërinë dhe kontrollin profesional të situatës.

Skënder Hita duhet vlerësuar përmes përgjegjësisë që mbart si drejtues i një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit. Drejtuesi model nuk është ai që imponon autoritetin përmes frikës, por ai që ndërton një institucion që zbaton ligjin, mbron qytetarin dhe nuk e ngatërron forcën me arrogancën. Ky është standardi me të cilin duhet të matet drejtimi i Policisë së Shtetit dhe trashëgimia profesionale që çdo drejtues synon të lërë pas.

Nga njohja ime personale për shkak të profesionit dhe nga rastet që kam ndjekur në terren, vlerësoj rëndësinë e një drejtimi që i jep përparësi profesionalizmit dhe zbatimit të ligjit. Në këtë kontekst, figura e Skënder Hitës lidhet me sfidën për të konsoliduar një kulturë institucionale ku efektivi nuk vepron nga inati, nuk bëhet pjesë e përplasjeve politike dhe nuk e përdor uniformën për interesa personale. Një polici që qëndron në mbrojtje të rendit kushtetues dhe të sigurisë publike është garanci për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Mbështetja ndaj policisë nuk do të thotë të justifikosh çdo veprim të saj. Një institucion demokratik duhet të jetë i ligjshëm, profesional dhe i përgjegjshëm. Çdo shkelje e mundshme duhet të verifikohet përmes mekanizmave ligjorë. Por asnjë pretendim për gabime institucionale nuk mund të përdoret si alibi për dhunën ndaj efektivëve. Gabimet korrigjohen përmes hetimit dhe llogaridhënies, jo përmes grushteve e linçimit në rrugë.

Çdo rast dhune duhet të dokumentohet, të hetohet dhe të trajtohet sipas ligjit, duke respektuar provat, procedurat dhe të drejtat e çdo personi. Kush ka kryer shkelje duhet të përgjigjet për veprimet e veta, jo për bindjet politike apo pjesëmarrjen në protestë. Ligji nuk duhet të ketë as të preferuar dhe as të përjashtuar.

Duhet të bëjmë një dallim të qartë: kritika ndaj policisë është e drejtë demokratike; dhuna ndaj saj është çështje përgjegjësie ligjore. Një shtet demokratik duhet të garantojë lirinë e protestës, por nuk mund të lejojë që agresiviteti të paraqitet si trimëri dhe sulmi ndaj uniformës si akt politik.

Prandaj, mesazhi im është i drejtpërdrejtë: Larg duart nga policia! Jo sepse uniforma është mbi qytetarin, por sepse asnjë qytetar nuk është mbi ligjin. Jo për t’i bërë nder një qeverie, por për të mbrojtur autoritetin e shtetit, sigurinë publike dhe dinjitetin e një institucioni që duhet t’u shërbejë të gjithëve.

Një polici e fortë është ajo që garanton rendin me profesionalizëm dhe brenda ligjit. Një drejtues model është ai që i kthen këto parime në standard të institucionit që drejton. Uniforma nuk mund të bëhet shënjestër e dhunës. Kush e kalon këtë kufi, duhet të përballet me ligjin. Si përmbyllje të refleksionit tim dëshiroj të them se Policia e Shtetit është në rrugë të mbarë, mijëra uniforma të Trupës policore ne të gjithë vendin duhet ta ndjejnë vehten në angazhimet e tyre me fat që për krye kanë një drejtues profesionist si Skënder Hita!

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram