Saturday, October 10, 2026
HomeLajmeKosovëUlutaş: Siguria afatgjatë në Kosovë nuk është çështje ushtarake, por politike

Ulutaş: Siguria afatgjatë në Kosovë nuk është çështje ushtarake, por politike

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş në deklaratën e tij lamtumirëse në fund të mandatit të tij, ka thënë se siguria afatgjatë në Kosovë nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake, por përmes zgjidhjeve politike. Ai ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të lirisë së lëvizjes.

Ulutaş ka rikujtuar se trupat e NATO-s u vendosën në Kosovë në qershor të vitit 1999. Në atë kohë, rreth 55 mijë ushtarë nga 36 shtete erdhën në Kosovë për të kontribuar në vendosjen e paqes për të gjitha komunitetet.

Ai ka vlerësuar se, që nga ajo kohë, situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm dhe se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë zhvilluar kapacitetet e tyre.

“Çdo ditë, Policia e Kosovës, së bashku me EULEX-in, siguron sigurinë publike për të gjitha komunitetet”, ka thënë Ulutaş.

Ai ka theksuar se KFOR-i vazhdon të jetë reaguesi i tretë i sigurisë, me prani në të gjithë Kosovën, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe duke qenë i gatshëm të ndërhyjë në rast të rrezikut të përkeqësimit të situatës së sigurisë.

Komandanti i KFOR-it ka bërë të ditur se NATO-ja, në qershor, njoftoi për përshtatjen graduale të pozicionimit të KFOR-it, në përgjigje të përmirësimit të situatës së sigurisë.

Sipas tij, ky proces është duke u zhvilluar gradualisht, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, si dhe në përputhje me mandatin e përcaktuar.

Ulutaş ka thënë se ky proces pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të Aleancës për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.

Duke folur për sfidat e sigurisë në Kosovë, Ulutaş ka theksuar rëndësinë e zgjidhjeve politike dhe të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka vlerësuar se ky dialog përbën kornizën për adresimin e çështjeve të pazgjidhura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve.

Komandanti i KFOR-it ka falënderuar institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, organizatat e sigurisë, EULEX-in, Bashkimin Evropian, UNMIK-un, misionin e OSBE-së dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për bashkëpunimin me KFOR-in.

Ai ka falënderuar gjithashtu shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë për siç ka thënë, komunikimin dhe bashkëpunimin profesional e konstruktiv.

Në veçanti, Ulutaş ka shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës për besimin e dhënë KFOR-it, duke vlerësuar se shërbimi mes tyre ka qenë një nder.

Në përfundim të fjalimit, Ulutaş ka falënderuar ushtarët e KFOR-it nga vendet anëtare dhe partnere të NATO-s, duke vlerësuar profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të sigurisë së të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.

Komanda e KFOR-it do t’i dorëzohet gjeneralmajorit italian Roberto Vergori, i cili ka shërbyer edhe më parë në Kosovë.

“Historia e vërtetë e KFOR-it është ajo që ushtarët e tij kanë bërë këtu çdo ditë”, ka thënë Ulutaş, duke përfunduar se suksesi i misionit qëndron te bashkëpunimi dhe veprimi si një ekip.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram