ATSH/ “Qëndroni pranë vajzave”, kjo është thirrja që bëjnë Kombet e Bashkuara në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, duke i ftuar të gjithë të ngrenë zërin për të drejtat e vajzave.
OKB thekson se vajzave u duhet mbështetje që ato të shkojnë në shkollë, të ndihen të sigurta dhe të formësojnë të ardhmen e tyre, veçanërisht në kriza dhe në mjedise me sfida humanitare. OKB ngre alarmin se ende në botë ka komunitete të cilat nxisin martesat që në fëmijëri dhe bën thirrje për ligje, politika dhe investime që parandalojnë martesën e fëmijëve dhe mbështesin të drejtat e vajzave.
“Amplifikoni zërat dhe lidershipin e vajzave, duke siguruar që vajzat të jenë pjesë e vendimeve që ndikojnë në jetën dhe të ardhmen e tyre”, shkruhet ne faqen e OKB-se. Sipas statistikave te ofruara nga kjo organizate, sot, 133 milionë vajza nuk ndjekin shkollën. Vajzat adoleshente të moshës 15-19 vjeç kanë më shumë gjasa të mos jenë të përfshira në arsim, punësim apo trajnim sesa bashkëmoshatarët e tyre meshkuj.
Pothuajse 4 në 10 vajza adoleshente dhe gra të reja nuk e përfundojnë arsimin e mesëm të lartë. Afërsisht 1 në 4 vajza adoleshente të moshës 15-19 vjeç, të cilat kanë qenë të martuara ose në një lidhje, kanë përjetuar dhunë nga partneri intim gjatë jetës së tyre. Më shumë se një e treta e vajzave dhe djemve adoleshentë të moshës 15-19 vjeç mendojnë se është e justifikueshme që burri ta godasë gruan në rrethana të caktuara.
Përqindja e vajzave adoleshente të moshës 10-19 vjeç me peshë nën normë ka rënë vetëm pak në tre dekadat e fundit, nga 10 për qind në 8 për qind.
Ndërsa mbeten vetëm pesë vite nga Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, asnjë vend që disponon të dhëna nuk ka përmbushur as gjysmën e 16 objektivave, që janë thelbësore për mirëqenien e vajzave adoleshente.

