Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, në bashkëpunim me Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka emetuar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar festivalit “Akordet e Kosovës”.
Pulla postare u promovua sonte, në natën e parë të festivalit, në praninë e një numri të madh artistësh, mysafirësh dhe spektatorësh, si dhe të teleshikuesve të RTK-së përmes transmetimit të drejtpërdrejtë, duke shënuar një dedikim të veçantë të Postës së Kosovës për jetën muzikore dhe artistike të vendit.
Emisioni filatelik përfshin pullën postare dhe zarfin e Ditës së Parë, përmes të cilit Posta e Kosovës nderon rikthimin e festivalit “Akordet e Kosovës”, duke sjell përtej kufijve historinë, identitetin dhe trashëgiminë muzikore e kulturore të Republikës së Kosovës.
“Posta e Kosovës falënderon RTK-në për bashkëpunimin dhe i uron festivalit “Akordet e Kosovës” suksese, artistëve frymëzim dhe publikut emocione të paharruara. Posta e Kosovës fton qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që ta blejnë këtë pullë të bukur postare, duke e bërë pjesë të koleksioneve të tyre dhe duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave artistike e kulturore të vendit”, thuhet në komunikatën e Postës së Kosovës.

