Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László Dux, dhe zëvendësshefja e Misionit të Ambasadës së Austrisë, Clarissa Castek, kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të organizuar me rastin e Ditës së të Gjithë Shenjtorëve, në varrezat ushtarake austro-hungareze në Pejë.
Në këtë ceremoni, të organizuar nga kontingjentet hungareze dhe austriake të KFOR-it, janë përkujtuar 208 ushtarë, kryesisht nga Monarkia Austro-Hungareze, të cilët humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore.
Përmes një njoftimi, Ambasada e Hungarisë ka theksuar se ushtarët e varrosur në këto varreza nuk arritën të ktheheshin te prindërit, bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, por kujtimi për ta vazhdon të ruhet.
“Fati i tyre na kujton rëndësinë e ruajtjes së paqes”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

