“Më shumë mbështetje për sportin dhe më shumë mundësi për të rinjtë!”, ka vlerësuar ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, buxhetin prej 69.99 milionë eurosh që kjo ministri pritet ta ketë në dispozicion për vitin 2027.
Gashani ka thënë se ky buxhet do të mundësojë vazhdimin e mbështetjes për sportistët, trajnerët dhe organizatat sportive, si dhe zhvillimin e projekteve strategjike në fushën e sportit dhe rinisë.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 270 milionë eurosh dhe investime kapitale prej mbi 1 miliard eurosh.
“69.99 milionë euro buxheti për Ministrinë e Sportit dhe Rinisë për vitin 2027. Ky buxhet do të mundësojë vazhdimin e mbështetjes për sportistët, trajnerët dhe organizatat sportive, si dhe zhvillimin e projekteve strategjike në fushën e sportit dhe rinisë. Më shumë mbështetje për sportin dhe më shumë mundësi për të rinjtë! Na priftë e mbara!”, ka shkruar Gashani në Facebook.

