Nga Zejdush KASTRATI
Skandalet e fundit me mishin e skaduar, mishin e mykur dhe produktet ushqimore jashtë çdo afati të përdorimit, të zbuluara madje nga agjencitë e shteteve fqinje, si dhe publikimi i aferave me abuzime marramendëse në Komunën e Prishtinës dhe në shumë qytete të tjera të Kosovës, nuk janë thjesht lajme të zakonshme. Janë kambana alarmi për një shtet që prej kohësh duket se ka marrë teposhtëzen.
Kur në tryezat e qytetarëve përfundojnë produkte ushqimore të rrezikshme për shëndetin, me përmbajtje të substancave të dëmshme e potencialisht kancerogjene, ndërsa përgjegjësit vazhdojnë të qëndrojnë të paprekur, pa u arrestuar, pa u shkarkuar dhe, në shumë raste, pa u përballur me një hetim të besueshëm, atëherë çfarë shteti ligjor mund të pretendojmë se kemi?!
Ku është përgjegjësia institucionale? Ku janë organet mbikëqyrëse? Ku është Prokuroria? Kush mban përgjegjësi për rrezikimin e shëndetit të mijëra qytetarëve?
Dhe një pyetje tjetër, po aq e rëndësishme: Pse heshtim? Pse nuk ka reagim qytetar, pse nuk ka protesta pikërisht për këto skandale që prekin drejtpërdrejt shëndetin, sigurinë dhe jetën tonë? Pa harruar, natyrisht, as rastet e rënda të vrasjeve të fundit.
A mund të quhet shtet ai ku qytetari nuk është në qendër të vëmendjes, por lihet i pambrojtur edhe përballë ushqimit që konsumon çdo ditë?
Një shtet ku ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, ku përgjegjësia shmanget dhe ku skandalet përsëriten pa pasoja, nuk mund të ndërtojë besim qytetar.
Premtimet politike nuk janë qeverisje, deklaratat nuk janë përgjegjësi dhe marketingu politik nuk është shtetndërtim!
Shteti ligjor nuk matet me fjalët e politikanëve, por me atë se sa i mbron qytetarët dhe sa i ndëshkon ata që abuzojnë me besimin dhe jetën e tyre.
Dhe ne, për fat të keq, jemi ende shumë larg këtij standardi!

