Wednesday, June 24, 2026
HomeEkonomiKosova pa përgjigje, ekspertët: Gazi natyror rrit sigurinë energjetike

Kosova pa përgjigje, ekspertët: Gazi natyror rrit sigurinë energjetike

Në fillim të qershorit, SHBA-ja ka rikthyer në vëmendje mundësinë e një partneriteti me Kosovën për projektin e gazit natyror amerikan. Megjithatë, institucionet kosovare nuk kanë dhënë ende një përgjigje zyrtare për këtë iniciativë, ndërsa vendi vazhdon të fokusohet në energjinë e ripërtërishme si alternativë kryesore.

Në fillim të qershorit, e ngarkuara me punë e SHBA-së në Prishtinë u bëri thirrje institucioneve të Kosovës për një partneritet afatgjatë përmes projektit të gazit natyror amerikan. Megjithatë, deri më tani nuk ka një përgjigje nga ekzekutivi nëse Kosova do të jetë apo jo pjesë e këtij projekti.

Tema e gazit amerikan është aktualizuar sërish në diskutim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria Kurti deri më tani ka investuar në energjinë diellore, atë të erës dhe ruajtjen e energjisë përmes baterive, duke argumentuar se këto alternativa janë më të qëndrueshme dhe përputhen me objektivat klimatike të vendit.

Një nga arsyet kryesore pse institucionet janë shprehur të rezervuara ndaj gazit amerikan lidhet me faktin se Kosova nuk posedon infrastrukturë të zhvilluar të gazit. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të SHBA-së, deri më tani nuk ka pasur publikisht ndonjë qëndrim ndryshe.

Për këtë temë, RTK-ja ka tentuar të marrë një qëndrim nga ekzekutivi, por nuk ka arritur të sigurojë një përgjigje zyrtare.

“Kjo ka të bëjë me sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës. Tashmë, pjesë rreth 1 miliard euro kalojnë te tregtarët e ndryshëm të energjisë dhe sigurisht ka me ndiku jashtëzakonisht shumë edhe në ekonominë e vendit. Pavarësisht që mund të jetë një çmim pak më i lartë, por sigurisht që kjo lidhet edhe me aspektin nacional të sigurisë”, thotë Lulzim Beqiri, njohës i energjetikës

“Ekzistojnë dy rreziqe që mund ta rritin koston e ndërtimit të kësaj infrastrukture. Njëri është institucional apo i brendshëm, që vie kryesisht nga ndryshimet politike të Republikës së Kosovës dhe që do të bënte që ndoshta të dështonte i gjithë projekti duke i rritur humbjet e buxhetit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, është edhe rreziku nëse ky projekt është në linjë me politikat energjetike të Bashkimit Evropian.”, theksoi Adhurim Haxhimusa, njohës i energjetikës.

Një pjesë e vendeve të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, tashmë janë pjesë e projekteve të gazit amerikan. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian ndër vite kanë bërë përpjekje për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të ulur varësinë e rajonit nga furnizuesit që vijnë nga Rusia.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram