Kongresisti amerikan Keith Self gjatë vizitës në Kosovë është takuar sonte me kryetarin e Lidhjës Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe me ish-presidenten Vjosa Osmani.
Abdixhiku dhe Osmani thanë se e falënderuan kongresistin republikan për qëndrimin e tij në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, anëtarësimit në NATO dhe fuqizimit të paqes e stabilitetit në rajon. Sipas tyre, në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me administratën Trump dhe mundësitë për thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në takimin tonë të përbashkët e falënderuam për qëndrimin e tij të qartë pro sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, anëtarësimit tonë në NATO dhe fuqizimit të paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Diskutuam për bashkëpunimin tonë të ngushtë me administratën Trump dhe mundësitë e jashtëzakonshme për thellimin e këtij partneriteti”, kanë shkruar Abdixhiku e Osmani në rrjetet sociale.
Delegacioni i kongresistëve amerikanë, i udhëhequr nga republikani Keith Self, ka mbërritur sot në Kosovë, ku fillimisht është pritur nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati në kampin Bondsteel.
Bëhet e ditur se nesër, kryeministri në detyrë Albin Kurti, do të presë në takim kongresistët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Self dhe Suhas Subramanyam.

