Informacione të reja në lidhje me veprimet e dyshuara të shtetasit grek , i cili akuzohet nga autoritetet britanike për bashkëpunim me një shërbim inteligjence të lidhur me Iranin, po bëhen publike.
Ioannis Aidinidis , 46 vjeç , i cili u arrestua më 16 maj, dyshohet se udhëtoi për në Britani për të spiunuar një gazetar të Iran International, një stacion kritik ndaj regjimit iranian . Sot, burri u paraqit në një gjykatë në Londër për t’u përballur me akuzat për spiunazh .
Prokurori Lee Ingham tha se i pandehuri vizitoi vende të lidhura me gazetarin ndërsa ndodhej në Britani, duke fotografuar dhe filmuar shtëpi dhe targa makinash .
Gjatë vizitës së tij të dytë, ai ” instaloi një kamerë të fshehur në një çorape ” e cila ” mund të dërgonte të dhëna te persona të panjohur jashtë vendit “, tha Ingham gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën e Magjistraturës së Westminster në Londrën qendrore.
I pandehuri besohet se ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar nga 16 deri më 21 prill dhe nga 12 deri më 14 maj.
46-vjeçari, i cili ka lindur në Gjeorgji dhe jeton në Mynih , konfirmoi identitetin e tij përmes një përkthyesi rus, por nuk paraqiti mbrojtjen e tij. Ai u mbajt në paraburgim deri në paraqitjen e tij të radhës më 19 qershor në Gjykatën e Kurorës së Londrës Qendrore.
Me informacion nga Associated Press

