Edicioni i dytë i botimit në shqip dhe anglisht: Botim i ri që e sjell Qendra Muzeu i Fjalës “ Lefter Çipa” nën editimin dhe esenë e riparë të autorit Akri Çipa.
Ke frikë nga harresa?
Harresa është zgjimi i kujtesës. Në vetvete, harresa është kritike ndaj kujtesës.
Sepse harresa është ajo që kujton kujtesën se diçka ka harruar.
Mirëpo tek harresa ndodh një fenomen tjetër. Atë krijues që e shqetëson harresa e krijimtarisë, për mua është një krijues burracak. Sepse krijuesi nuk e ka domosdoshmëri që gjithë krijimtaria të skalitet në kujtesë.
Krijuesi burracak ka një cilësi: çdo gjë që krijon do ta kujtojë vetë, ta interpretojë vetë; ta shpjegojë vetë veprën dhe rrugën e krijimit, dendësinë e mendimit, vuajtjen e realizimit të krijimit. Por, ky i fundit duhet të jetë produkt i qetësisë shpirtërore.
Krijuesi mburracak dhe frikacak trembet nga harrimi i krijimtarisë. Ka një thënie “kam krijuar diçka për popullin”. Kjo është që të mbetet në kujtesën e popullit.
Krijuesi nuk është gazetar, i cili duhet të mbajë mend të vërtetën që ka shkruar për ta pohuar menjëherë.
Një krijues, nëse e ndien veten që e ka të ligjshme ta ketë pranë kujtesës krijimin, është krjiues i varfër.
Harresa është kritikë e vetes dhe e kujtesës.
Nuk e kam pasur asnjëherë frikën e harrimit.
Di që kundërshtari ose armiku, siç thotë populli, nuk të harron as kur ke shkuar në botën e gjumësisë.
Harresa është e dobishme se harron mikun e keq.
Asnjëherë miku i mirë nuk do të të harrojë.
Nuk shëmtohen pantallonat nga një djegie me cigare. Rroba e leshtë nuk pranon hekur. Pikërisht atje qëndron dhe vlera e veshjeve tona: nuk duan hekur. U përshtaten kushteve klimaterike…
Krijuesit frikacakë dhe mburracakë kërkojnë të veshin majë malit rroba të hekurosura.
Këto nuk janë meditime të një krijuesi. Nëse më kujton njeri dhe nëse vallë më kujton tjetri. Krijuesi, kujtesën dhe harresën, dashamirësinë dhe dashakeqësinë i ka brenda në sofrën e krijimtarisë së tij.
I lumtur është ai krijues që nuk ka aludime të kësaj natyre. Ai vërtet mbetet krijues edhe për krijuesit e ardhshëm.
Unë jam dritësuar nga krijimtaria e Naimit, Lasgushit, Dritëroit, Xhevahirit. Po i citoj jo si miqtë e mi, por si përfaqësues të një vlere kombëtare. Këta janë perënditë e ditës që shfaqen në nevojat dhe në nevojat e përditshme.
Krijuesi nuk do të thotë se është pjesë e fillit të artë. Gjithsesi, ndërmjet artit të artë ka dhe ai pikën e dritësimit për të gjithë.

