Shkruan: Radomir Dimiq
Për vetëm pak ditë, më saktësisht më 28 qershor, serbët në vend të një Vidovdani do të “shalojnë” dy. Studentët do të shënojnë Vidovdanin e tyre kundër regjimit të pushtetit autoritar të Aleksandar Vuçiqit në Kralevë, ndërsa një ditë më parë në Beograd, më saktësisht në “Çaçilendin” e tij, Vuçiqi dhe xhambazët e tij do të dalin në “fushëbetejë” përballë “bllokuesve” me një sllogan edhe më vdekjeprurës se topi i zërit: “Serbia fiton”. Kështu, Vidovdani i 637-të me radhë do të jetë edhe një festë tjetër, përkatësisht një shenjtëri kombëtare e ndarjes së thellë të shoqërisë serbe në dy kolona. Njëra e drejtuar drejt një të ardhmeje të çmitizuar, dhe tjetra e cila, si shumë pushtete para saj, do ta cilësojë Vidovdanin si “të jesh a të mos jesh” për shpëtimin dhe mbijetesën e popullit serb. Sepse, siç qëndrojnë gjërat, me sa duket pikërisht deri në fund të këtij viti do të shpallen zgjedhjet “fatkeqe” presidenciale dhe parlamentare. Për këtë arsye Vidovdani, si një topos historiko-mitik, është një serum i shkëlqyer për shërimin e infeksioneve shpirtërore dhe frustrimeve serbe për “Kosovën serbe” të humbur, si dhe një “formulë” e re për t’i njoftuar kombit dhe Car Lazarit se Kosova është ende “zemra” e Serbisë dhe se Vuçiqi kurrë, për asnjë çmim, nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, mund të pritet që edhe ky Vidovdan – i cili përndryshe shënohet si shenjtëri kombëtare, ndonëse në kohën e Betejës së Kosovës më 15 qershor 1389 nuk ekzistonte si nocion por festohej Profeti Amos – të keqpërdoret politikisht në përputhje me imperativat politike të momentit aktual. Si një vazhdimësi e kontinuitetit të politikës serbomadhe të Millosheviqit në Gazimestan. Ishte pikërisht ai që në Gazimestan, në Vidovdanin e vitit 1989, i hoqi autonominë krahinës së Kosovës dhe fjalë për fjalë paralajmëroi luftëra të përgjakshme me fjalët “se, si para 6 shekujve, jemi përsëri në beteja dhe para betejave”, si hyrje në shpërbërjen e ish-shtetit të Jugosllavisë. Për t’u dorëzuar, vetëm 9 vite më vonë, po në të njëjtën datë të 28 qershorit, në Vidovdanin e vitit 2001, në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë. Përndryshe, Vidovdani dhe kryqi “i ndershëm” kanë mbetur edhe pas aq shumë vitesh konstrukti kryesor i pseudomitologjisë serbe dhe i gatishmërisë për flijim. Ngjashëm me atentatin e Principit ndaj kryedukës austro-hungarez Franc Ferdinand dhe gruas së tij Sofia. Ajo nuk ishte një ngjarje spontane apo e pavetëdijshme, por një aksion i organizuar dhe i sinkronizuar mirë i “Dorës së Zezë” nga Beogradi, për shkak të së cilës Serbia pagoi me një hakmarrje të madhe, dmth me gjakderdhjen e qytetarëve të saj, “falë trimërisë”, para së gjithash, të nacionalistëve serbë të “Bosnjës së Re” (Mlada Bosna). Vidovdani rrallëherë dështon. Prej tij, serbët e ndriçuar dhe të indoktrinuar me “etikën e Vidovdanit” gjithmonë presin diçka. Si për shembull, mbrojtjen e Vuçiqit për serbët e Kosovës nga “terrori” i regjimit kosovar të Albin Kurtit, i cili pas ndërhyrjes terroriste të Radoiçiqit me terroristët e tij dhe dëbimit të tyre, e blindoi veriun e Kosovës ku tashmë është vendosur rendi. Shovinistët dhe nacionalistët serbë vazhdojnë të shpresojnë në kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë dhe rikthimin e territorit “të tyre”. Që të rinjtë të vdesin për ta dhe për politikën e ideologjinë e tyre serbomadhe, duke parë në gjeografinë e tjetrit. Kjo është paradigma e tyre e Vidovdanit – Kosova serbe, e cila është aktiviteti dhe obsesioni i tyre i përditshëm publik. Ajo që është e mirë, është se Pinoku serb nuk do të mundet kurrsesi të vijë në Gazimestan për të gënjyer e për të përhapur mite se si Kosova është ende tokë e shenjtë serbe apo për të bërë thirrje për një betejë të re të Kosovës. Këtë mund ta bëjë ende vetëm nga ndonjë kontejner kufitar ose nga “Çaçilendi” i tij, duke akuzuar rrejshëm shtetin e Kosovës për persekutim dhe keqtrajtim të entitetit serb, si dhe për diskriminim fetar e etnik. Gënjeshtrat dhe manipulimet e tij i kanë vërejtur shumë mirë studentët, të cilët pikërisht para këtij Vidovdani qëndruan në Kosovë dhe biseduan me kolegët e tyre. Ata dëshirojnë që të ardhmen dhe energjinë e tyre ta orientojnë në drejtim të perspektivës evropiane dhe marrëdhënieve miqësore midis dy shteteve, në të cilat askush nuk guxon të jetë i diskriminuar apo i lënë pas dore për shkak të përkatësisë etnike. Këtu qëndron edhe shpresa se Vidovdani studentor do të jetë humbja e asaj Serbie që tërheq prapa, edhe pse çdo ditë blen nga një fije kashte për shpëtim. Ky është një pushtet që e përdor Vidovdanin si kalë Troje për manipulimin e qytetarëve dhe modelimin e tyre për një lloj çlirimi të Kosovës serbe nga i ashtuquajturi “pushtim shqiptar”. Ky është një pushtet që instrumentalizon Vidovdanin për mobilizim në zgjedhjet e ardhshme, duke bërë çmos për të neutralizuar studentët. Ata madje shpikën një atentat të protestuesve ndaj Aleksandar Vuçiqit me një top zëri, i cili, përkundrazi, u përdor në protestën më të madhe kundër pushtetit në historinë e Serbisë. Prandaj, në vend të miteve të Lomparit dhe nacionalistëve të tjerë serbë që i drejtojnë gënjeshtrat e tyre ndaj studentëve, le të presim që asnjë Vidovdan i ardhshëm të mos jetë ditë zie, përmbysjeje të historisë dhe modelim i aspiratave nacionaliste, por një Ditë e gëzimit dhe e dritës së një Serbie demokratike, e cila nuk do të jetojë nga mitet e së kaluarës, por mbi vlerat dhe parimet që kultivojnë shoqëritë dhe demokracitë evropiane.

