Zejdush Kastrati
Kur e shikon listën e deputetëve të zgjedhur për legjislaturën e XI-të, përshtypja e parë është se kemi të bëjmë më shumë me një rikthim të fytyrave të vjetra sesa me një fillim të ri.
Shumica janë të njëjtët deputetë që kanë qenë pjesë edhe e legjislaturave të kaluara. Janë po ata që fituan sërish mandatin për të vendosur për çështjet më jetike të vendit, ndonëse bilanci i punës së tyre lë shumë për të dëshiruar. Në vend të debatit cilësor dhe përfaqësimit dinjitoz të qytetarëve, shpesh kemi parë përplasje, militantizëm, rebelizëm politik dhe nënshtrim ndaj interesave të liderit, partisë apo klanit.
Edhe më shqetësues është fakti se në këtë përbërje ka deputetë që për vite të tëra kanë përfituar kompensime për udhëtime në vendlindjet e tyre, në Dukagjin, Llap, Anamoravë, Prizren, Ferizaj, Drenicë e rajone të tjera, ndërkohë që qytetarët e atyre zonave mezi i kanë parë ndonjëherë. Të tjerë kanë përfituar mëditje për udhëtime jashtë vendit pa transparencë të plotë, kanë faturuar dreka e darka luksoze, kanë shpenzuar për telefona dhe derivate në përmasa që shpesh kanë ngritur pikëpyetje të arsyeshme.
Nëse kësaj legjislature do t’i bëhej një skanim i sinqertë, rezultati do të ishte shqetësues. Për një numër jo të vogël deputetësh, profili politik dhe etik mbetet i rënduar nga dyshimet, privilegjet dhe mungesa e llogaridhënies.
Prandaj, është vështirë të pritet se kjo legjislaturë do të prodhojë një realitet ndryshe. Rreziku është që të shohim sërish të njëjtin skenar: pazare politike, luftë për poste e privilegje, rritje të përfitimeve personale, zgjerim të kabineteve dhe premtime që zbehen sapo të mbyllen kutitë e votimit.
Në fund, përgjegjësia nuk është vetëm e atyre që ulen në ulëset e Kuvendit. Një pjesë e saj mbetet edhe te ne, qytetarët. Sepse, sa herë që votojmë pa kërkuar llogari për punën e bërë, ne nuk zgjedhim vetëm deputetët; zgjedhim edhe mënyrën se si do të qeveriset vendi.
Derisa vota të mos shndërrohet në instrument përgjegjësie dhe ndëshkimi politik, “ujqit” e vjetër do të vazhdojnë të hyjnë në Kuvend me të njëjtën lehtësi, të premtojnë të njëjtat gjëra dhe, fatkeqësisht, të na zhgënjejnë në të njëjtën mënyrë.

