Nga Kosovatimes
Ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharçenko ne nje interviste per Sputnik tha se çështja e Kosovës është një përparësi për ta, por presin një qëndrim më aktiv nga Serbia. Intervista e e tij, nuk është thjesht një deklaratë diplomatike për Kosovën. Është një manifest politik i Moskës për Ballkanin.
Ka një moment kur propaganda nuk mund të fshihet më pas fjalëve “e drejtë ndërkombëtare”, “Karta e OKB-së” dhe “të drejtat e njeriut”.
Deklarata e Sergei Shoigut për Ratko Mlladiçin dhe intervista e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharçenkos, duhen lexuar bashkë.
Njëri vajton vdekjen e Mlladiçit dhe e quan të padrejtë dënimin e tij në Hagë. Tjetri na flet për “respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa Kosovën e quan “pseudo-shtet” dhe shqiptarët pothuajse i fshin nga historia e luftes.
Kjo nuk është thjesht diplomaci.
Është një narrativë politike që kërkon ta kthejë agresorin në viktimë dhe viktimën në fajtor.
Kur flitet për Mlladiçin, harrohen viktimat. Kur flitet për Kosovën, harrohen shqiptarët e dëbuar, të vrarët dhe krimet e luftës. Kur flitet për Ukrainën, harrohet se parimi i integritetit territorial që Moska e përmend për Serbinë duhet të vlejë njësoj për çdo shtet.
Prandaj pyetja është e thjeshtë:Çfarë vlere ka “e drejta ndërkombëtare” nëse zbatohet vetëm kur i leverdis Rusisë dhe aleatëve të saj?
Rusia nuk po mbron thjesht Serbinë në këtë rast. Ajo po mbron një version të historisë ku përgjegjësia zhduket, viktimat heshten dhe kriminelët mund të paraqiten si heronj ose viktima të padrejtësisë.
Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku.
Sepse sot flitet për Kosovën, dje për Bosnjën e Hercegovinën, ndërsa të njëjtën gjuhë e dëgjojmë edhe në lidhje me Ukrainën.
Mlladiçi nuk është simbol i “padrejtësisë” së Hagës. Është simbol i një prej kapitujve më të errët të luftërave të ish-Jugosllavisë.
Dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë vetëm duke përsëritur fjalën “Serbi”, “OKB” apo “e drejtë ndërkombëtare”.Viktimat kanë emra. Krimet kanë dëshmi. Dhe historia nuk pastrohet me deklarata diplomatike.

