Është përuruar hapësira e renovuar e Njësisë Koronare në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas një investimi prej 211 mijë eurosh, me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut. Në përurim mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai tha se investimet në QKUK po mundësojnë renovimin e hapësirave shëndetësore, pajisjen me teknologji moderne dhe krijimin e kushteve më të mira për pacientët dhe profesionistët shëndetësorë.
Ai rikujtoi se para gjashtë muajsh ishte përuruar edhe hapësira e renovuar e Kardiologjisë Invazive, ku ishte instaluar një angiograf i ri, me vlerë mbi një milion euro.
“Ky investim, i cili e kalon vlerën prej 1 milion euro, tash është në shërbim të pacientëve dhe po ndihmon në uljen e listave të pritjes”, tha Kurti.
Duke folur për rëndësinë e Njësisë Koronare, kryeministri theksoi se pacientët që trajtohen aty kanë nevojë për mbikëqyrje të afërt, trajtim dhe kujdes të vazhdueshëm.
“Ndërkaq, sot jemi për të përuruar hapësirën e transformuar të Njësisë Koronare në Klinikën e Kardiologjisë, në vlerë prej 211 mijë euro. Në këtë njësi pacientët kanë nevojë për mbikëqyrje të afërt, trajtim dhe vëmendje të përhershme. Për ta, këto hapësira janë vendi ku kalojnë ditë të vështira, por edhe kur nisin të marrin veten. Për familjarët e tyre është e rëndësishme ta dinë se më të dashurit e tyre po marrin kujdesin e nevojshëm, në kushte të mira dhe nga profesionistë të përgatitur”, deklaroi Kurti.
Ai falënderoi Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen, duke theksuar se rezultatet e investimeve po vërehen në punën e përditshme të klinikës dhe në shërbimet që marrin qytetarët.
Kurti paralajmëroi gjithashtu investime të tjera në Klinikën e Kardiologjisë.
“Falënderoj ministrin Vitia, ekipet që kanë punuar me realizimin e projektit dhe juve profesionistë shëndetësorë që me punë i ktheni investimet në kujdes për pacientët. Pra, ndonëse koha kalon e që të gjithë mplakemi, klinikat po renovohen një nga një, ato po bëhen më të reja, për ditë të vështira kushte më të mira, ashtu që të kemi sa më shumë shërim dhe shërimi të jetë sa më i shpejtë. Ne e kemi marrë me prioritet Kardiologjinë, sepse ju e dini që vdekjet më të shpeshta tek ne janë pikërisht nga sëmundjet kardiologjike. Andaj, së shpejti do të jemi përsëri në QKUK, përsëri në Kardiologji për të nisur punimet për renovime, përkatësisht transformime të reja”, tha Kurti.
Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, tha se sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në Kosovë.
Ai theksoi se hapësirat e reja, shtretërit shtesë dhe pajisjet e avancuara për monitorim do të ndihmojnë në ofrimin e trajtimit më të sigurt dhe më efektiv për pacientët, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës për mjekët dhe infermierët.
Dietz rikujtoi se investimi në Njësinë Koronare vjen pas përurimit të laboratorit të kateterizimit kardiak në Prishtinë, në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas tij, që nga përurimi i atij laboratori, më shumë se 3.000 pacientë kanë përfituar nga shërbimet diagnostikuese dhe ndërhyrëse kardiake.
“Me hapjen e kësaj njësie të kujdesit koronar, po bëjmë një tjetër hap të rëndësishëm përpara, duke rritur kapacitetet e trajtimit të Klinikës së Kardiologjisë për rreth 30 deri në 40 për qind”, tha Dietz.
Të dyja fazat e investimeve në shërbimet kardiologjike janë realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut.

