Sunday, November 1, 2026
HomeGjeopolitikOpinionAbsurdi politik e ka emrin Sali dhe PD!

Absurdi politik e ka emrin Sali dhe PD!

Nga Vladimir Muçaj:

Absurdi politik e ka emrin Sali dhe PD

Pa u futur në përsëritje analizash dhe opinionesh, po shkoj drejt e te thelbi. Mjafton të dëgjosh sloganet e këtyre ditëve, sidomos të së shtunës së djeshme, që u pompua si protestë kombëtare: “Berisha n’burg, Rama n’burg”. Aty lexohet qartë se protestuesit në shumicën e tyre nuk e duan Sali Berishën. E quajnë të shitur, të korruptuar, mëkatar në qeverisjen e tij dhe pazarxhi politik që sot lëviz për interesa personale e familjare. Kur turma të thotë kaq hapur se nuk të do, ke dy zgjidhje: ose të zësh mend, ose të bëhesh qesharak duke ngulur këmbë.

PD-ja zgjodhi të dytën. Ata deputetë demokratë nuk ka asnjë arsye të gjendeshin në atë “shesh”, sepse askush nuk i ka ftuar. Pjesa e shëndoshë e protestuesve, flas për ata që nuk thyejnë e nuk djegin, ata që nuk ia nisin molotovët mbi kokat e policisë së shtetit, ka çdo të drejtë të kërkojë ndryshim përmes refuzimit të kastës së vjetër politike. Dhe kasta e vjetër, me sa duket, e ka të pamundur të kuptojë se është pikërisht ajo që po refuzohet. Është njësoj si të ftohesh me forcë në një dasmë ku të gjithë të kanë thënë se nuk je i mirëpritur, dhe pastaj të ankohesh që nuk të kanë ulur në krye të tryezës.

Mbetet çështja se kush i mbulon në fakt guerilasit me maska dhe molotov. Sipas meje, dhe jo vetëm sipas meje, PD-ja nuk ka asnjë ndryshim as me guerilasit, as me Flamurin & co. që dalin të sforcuar në turmën e protestuesve që nuk i pranon. Kur një parti duket e rehatshme pranë zjarrvënësve, nuk ka nevojë të provohet bashkëpunimi. Mjafton ngjashmëria e shijes për rrëmujën.

Humbja më e madhe e gjithë kësaj historie është diku tjetër. Një protestë që nis me kërkesa të ligjshme për standarde më të larta në politikë përfundon duke i dhënë pushtetit pikërisht atë që i duhej: një pamje të turbullt ku kërkesa dhe vandalizmi nuk dallohen më nga njëri-tjetri. Çdo xham i thyer dhe çdo zjarr i ndezur e lejon qeverinë të flasë për rendin në vend të përgjegjësisë, dhe opozitës së vjetër t’ia shesë dështimin e vet si përpjekje për rrëzim. Ndërkohë, ata që kanë dalë me vërtetësi, studentë, të rinj, qytetarë të pavarur, mbeten pa zë, të shtrydhur midis dy palëve që nuk i përfaqësojnë. Ndryshimi që kërkojnë nuk do të vijë nga të njëjtat fytyra, me maskë apo pa maskë, por nga një klasë e re politike që del nga një votim i lirë dhe jo nga rruga e djegur.

Me këtë sjellje politike, PD-ja, ajo copë që ka mbetur, ka qenë, është dhe do të mbetet kartë e djegur. Rrëzimi i Ramës, nëse duhet të vijë, do të vijë me votë dhe me zgjedhje, aspak me flakadanë, vjedhje, djegie institucionesh e plaçkitje biznesesh. Kush e ngatërron djegien e një banke me ndryshimin e një qeverie nuk po bën politikë, po bën vetëm tym.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram