Instituti i Kosovës për Drejtësi nëpërmjet një analize ka gjetur se inkorporimi i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë është bërë në kundërshtim me kushtetutën.
IKD me mbështetje nga Departamenti i Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), ka publikuar, të enjten, analizën “Politizimi kundër kushtetues i ANJF”.
“Ligji Nr.08/L-063 duke e synuar racionalizimin e institucioneve dhe duke e sistemuar ANJF në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e ka politizuar sistemin e ndihmës juridike falas në Kosovë. Duke nisur nga politikat e përgjithshme e deri tek vendimet e veçanta, do të vendosë Ministria e Drejtësisë, si institucion që udhëhiqet nga një i emëruar politik. Përfundimisht, tani mund të thuhet se mbi kërkesat e qytetarëve për ofrimin e ndihmës juridike falas do të vendos një institucion politik. Për më tepër, sipas ligjit të ri, edhe kriteret për ofrimin e ndihmës juridike nga OJQ do të përcaktohen nga Ministria e Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
Sipas këtij instituti krahas politizimit të ANJF-së, tanimë në Ministrinë e Drejtësisë praktikisht janë fuzionuar edhe ndërgjygjësit, përkatësisht i padituri dhe paditësi.
“Kjo pasi pjesë e Ministrisë së Drejtësisë është edhe Avokatura Shtetërore, që parimisht përfaqëson institucionet publike. Kështu, paradoksalisht, për rastet e njëjta, Ministria e Drejtësisë do të duhet të kujdeset edhe për mbrojtjen e interesit të qytetarëve edhe për mbrojtjen e interesit të institucioneve publike. Pra, edhe për interesin e paditësit edhe interesin e të paditurit”, thuhet tutje në njoftim.
Në linjë me standardet e përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, IKD ka gjetur se Ligji Nr.08/L-063 nuk ka përcaktuar një ekuilibër ndërmjet qasjes në drejtësi dhe pavarësisë së profesionistëve ligjor që ofrojnë ndihmë juridike falas.
“Politizimi i ANJF, inkorporimi i saj në Ministrinë e Drejtësisë dhe krijimi i situatës ku ANJF përmes ofrimit të ndihmës juridike do të mbrojë të drejtat e qytetarëve përballë institucioneve që përfaqësohen nga Avokatura Shtetërore, të dy këto institucione nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë, privon përfituesit e ndihmës juridike falas për qasje efektive në drejtësi”, thekson tutje IKD.
Sipas këtij instituti nën këtë rregullim të ri ligjor, qytetarët tanimë nuk kanë siguri të mjaftueshme juridike që për rastet e tyre që kanë nevojë për ndihmë juridike falas të kërkojnë ndihmë juridike nga ANJF.
IKD thekson se ky rregullim ligjor, ka cenuar të drejtën e qytetarëve për ndihmë juridike falas, sipas standardeve të përcaktuara nga GjEDNj, standarde këto obligative në rendin kushtetues kosovar. Për këtë arsye, sipas IKD-së ky projektligj është në kundërshtim me nenin 31.6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
IKD ka kërkuar reagimin e Avokatit të Popullit, me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe pas kësaj analize edhe procedimin e Ligjit Nr.08/L-063 në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë. /Kosovatimes/