Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, panelistë e diskutues të tjerë do të debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.

Panielistëve do tu drejtohet përmes një video fjalimi edhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se temë e këtij forumi do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme.

“Temë e edicionit të parë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme, me të cilën synojmë të reflektojmë mbi sukseset si dhe sfidat e agjendës të Rezolutës 13/25”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është edhe platformë për rritjen e ndërgjegjësimit për nevojë për të njohur dhe promovuar aftësitë e grave e vajzave, për të kontribuar në mënyrë thelbësore në proceset e paqes dhe të sigurisë.

Hapjen zyrtare të Forumit ndërkombëtar do ta bëjë presidentja Vjosa Osmani, e cila do të pasohet me një video mesazh nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Në hapjen e Forumit, në panelin e parë, përpos presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti do të marrin pjesë edhe: presidenti i Maltës, George Wella, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, zv.kryeministrja, njëherësh ministre për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Jovana Marović dhe zëvendëspresidentja e Palaut, J. Uduch Sengebau.

Forumi organizohet në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz dhe mbështetet nga partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.