Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike. Ai para këtij komisioni e ka vlerësuar të drejtë vendimin për rritjen e tarifave për faturat e energjisë.
“Ne besojmë që vendimi ka qenë i drejtë dhe ai vendim e thotë saktë se sa janë reflektuar konsumatorët. Ajo rritje e kostos ka qenë rreth 140 milionë euro shtesë. 100 milionë euro kanë qenë të mbuluara nga Qeveria, pjesa tjetër është mbuluar nga konsumatori”, ka theksuar Fejzullahu.
Ai tha se të dhënat e paraqitura te Komisioni Hetimor janë të sakta, teksa ka thënë se në rast se pretendohet se këto shpenzime nuk janë të sakta apo kjo kosto nuk është shkaktuar në sistem, do të jetë procesi i auditimit që do ta vlerësojë, teksa nuk e ka përjashtuar rritjen e mëtejshme të kostos së energjisë për konsumatorët.
“Nëse ato shpenzime nuk janë bërë, do të reflektohen këtë vit dhe konsumatorët do të kompensohen. Por, sipas informatave që ne i kemi ato kosto janë më të larta se sa që ne i kemi parashikuar apo lejuar. Importi për periudhën e deritanishme 9 mujore është rreth 135 milionë euro. Pra, është pak më lart se sa e kemi parashikuar ne dhe domosdoshmërish edhe këto kosto do të reflektohen te konsumatorët sepse çdo kosto që shkaktohet në sistem duhet të paguhet nga konsumatori”, ka nënvizuar kreu i Bordit të ZRRE-së.
Ai ka thënë se gjatë shqyrtimit të tarifave të reja të energjisë janë munduar maksimalisht t’i mbrojnë konsumatorët dhe se kanë vepruar sipas legjislacionit në fuqi.
“ZRrE dhe asnjë institucion nuk mund të caktojë tarifa për secilin konsumator. ZRrE e ka bërë më të mirën e mundshme për secilën kategori. Vendimi i Gjykatës e ka thënë se ka qenë vendim i drejtë. Efekti i bllok tarifës ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ne kemi kursyer edhe buxhetin e shtetit dhe njëherësh kjo ka dhënë një sinjal ndaj qytetarëve që të kursejnë energji”, është shprehur Fejzullahu.
Ai ka thënë se gjatë muajve të dimrit pritet të ketë mbi 10 përqind kursim të energjisë.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar sqarime sa i përket rritjes së çmimit të tarifave, duke thënë se si është e mundur që të propozohet rritja e tarifave dhe të subvencionohet importi, kur prodhimi ynë e mbulon konsumin.
“Konsideroj se kjo formë qysh ju po dëshironi ta prezantoni është manipulim me statistika. Po prezantoni vetëm një pjesë të saj duke mos përfshirë edhe koston e importit të OSHS-së e as OST-së. I keni verifikimet në raport s’kam përgjigje shtesë”, është përgjigjur Fejzullahu.
Megjithatë, Tahiri ka thënë se nuk po manipulon asgjë dhe thjesht po prezanton shifrat të cilat i ka dërguar vetë ZRrE-ja. “Herën e kaluar keni qenë shumë i paqartë dhe kjo është arsyeja pse jeni sërish këtu”, ka thënë Tahiri.
Kryesuesi i ZRrE-së ka thënë se shifrat që i ka Komisioni Hetimor janë të sakta, por ato që po i paraqet Tahiri janë vetëm sa i përket një sektori.
“Nuk po i prezantoni shifrat komplet. Ju qëllimisht po e prezantoni vetëm një pjesë të kostos së sistemit”, ka thënë Fejzullahu.
Mirëpo, Tahiri ka këmbëngulur se në këtë çështje ka pasur abuzim dhe keqpërdorim, teksa ka ftuar kryesuesin e Bordit të ZRrE-së që ta shpjegojë më qartë situatën.
“Ne i kemi prezantuar të gjitha kostot që janë raportin konsultativ. Ua kemi dërguar dhe një herë me shkrim. Parashikimet e prodhimeve bëhen përmes ekspertëve edhe në OShT edhe në OST, edhe në gjenerim. Parashikohet kërkesa ose konsumi nacional. Në bazë të parashikimit të konsumit nacional në të njëjtën kohë parashikohet edhe gjenerimi vendor. Diferenca është import. Në bazë të këtyre parashikimeve bëhet edhe importi i energjisë. Ne mund të kemi edhe import edhe eksport. Jo domosdoshmërish duhet me qenë e barabartë kërkesa për energji me prodhimin. Në një orë të caktuar të pikut mund të kemi nevojë për import, por njëkohësisht në të njëjtin kohë për të njëjtin muaj ne mund të kemi nevojë për eksport. Prandaj, asnjëherë nuk barazohet kalkulimi qysh ju po e bëni që ne kemi prodhim. Ne, mund të kemi prodhim 1000 giga, por mundemi me pas konsum vetëm 500 giga, por në të njëjtën kohë mund të kemi nevojë për import sepse orë për orë nuk barazohet oferta me kërkesën”, ka shpjeguar tutje Fejzullahu.
Ai ka thënë se në janar shpenzimet në import kanë qenë mbi 62 milionë euro, në shkurt 19 milionë euro, në mars 15 milionë, në prill 4 milionë, e në maj 3 milionë euro.
Ai ka thënë se janë katër burime ku mundet Komisioni Hetimor t’i marrë statistikat jo domosdoshmërish vetëm në ZRrE, por edhe në KEK, KESCO dhe KOSTT, e të cilat në fund edhe auditohen.
“Në rast se pretendohet se nuk janë ato kosto që ju po thoni, në qoftë se ato kosto nuk kanë ndodhur ato mjete i kthehen konsumatorit sipas legjislacionit në fuqi”, ka shtuar Fejzullahu.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Driton Selmani, ia ka rikujtuar kryesuesit të Bordit të ZRrE-së se ndodhet para Komisionit Hetimor dhe ka thënë se duhet të kursehet nga kualifikimet dhe vlerësimet e tilla që po i jep. “Nuk ke të drejtë të thuash po manipuloni dhe as të na tregoni ku t’i marrim të dhënat. Mund të thuash të dhënat e tilla janë të pasakta apo janë gjysmake. Koncentrohu në përgjigje të sakta”, ka thënë Selmani. Më pas, Fejzullahu i ka kërkuar falje Komisionit për këtë kualifikim por ka thënë se sipas këndvështrimit të tij po kërkohet të prezantohet vetëm një pjesë e të vërtetës.