AP
Tifozët e huaj që do të zbresin në Doha për Kupën e Botës 2022, do të gjejnë një vend ku gratë punojnë, mbajnë poste publike dhe ngasin super-makina, në qytetin e mbushur me palma. Ato kanë drejtuar makina për dekada, ndryshe nga Arabia Saudite, ku gratë e fituan këtë të drejtë vetëm pak vite më parë.
Katari ka ambasadore, gjyqtare dhe ministre, madje edhe kalorëse në gara me kuaj. Nëna e emirit, Sheikha Moza bint Nasser al-Missned, është njëra nga gratë më të famshme në botën arabe.
Në një rajon ku gratë dhe nënat e sundimtarëve mbajnë profil të ulët, ajo sillet si një zonjë e parë e stilit perëndimor – e cila mbron kauzat sociale dhe paraqitet në media si një ikonë e modës.
Megjithatë, për vite me radhë vendi renditet në fund të Raportit Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror, i cili tregon boshllëqet mes grave dhe burrave në punësim, arsim, shëndetësi dhe politikë.
Katari ka një shoqëri tradicionale që i ka rrënjët në brendësi të Gadishullit Arabik, ku lindi një formë ultrakonservatore e islamit, e njohur si vehabizëm.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se sistemi ligjor i Katarit, i bazuar në Ligjin islam ose Sheriatin, pengon avancimin e grave.
Më poshtë mund të lexoni një vështrim të situatës së grave në vendin që ka pësuar transformim të madh shoqëror nga brezi i mëhershëm, kur shumica e grave qëndronin në shtëpi.
Të drejtat dhe liritë
Kushtetuta e Katarit garanton barazinë mes qytetarëve. Por, Departamenti amerikan i Shtetit dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se sistemi ligjor i Katarit diskriminon gratë kur bëhet fjalë për lirinë e tyre të lëvizjes, martesën, kujdestarinë e fëmijëve dhe trashëgiminë.
Sipas Ligjit të Sheriatit, gratë mund të trashëgojnë pronë, por ato marrin gjysmë herë më pak se burrat.
Një tjetër shembull, burrat mund të shkurorëzohen lehtësisht nga gratë e tyre, ndërsa gratë duhet të drejtohen në gjykata me një listë arsyesh të pranueshme për shkurorëzim.
Burrat mund të martohen me deri katër gra, ndërsa gratë, pavarësisht moshës, duhet të marrin miratimin nga ai që kujdeset për to, por që duhet të jetë burrë, për t’u martuar.
Sipas një rregulli që zbatohet rrallë, gratë e Katarit nën moshën 25-vjeçare duhet të marrin leje nga ai që kujdeset për to, i cili gjithashtu duhet të jetë burrë, për t’u larguar nga vendi. Burrat dhe baballarët mund t’ua ndalojnë grave të udhëtojnë.
Gratë e pamartuara të Katarit nën moshën 30-vjeçare nuk mund të hyjnë në hotele. Po ashtu, gratë e pamartuara që mbesin shtatzënë përballen me ndjekje penale për marrëdhënie jashtëmartesore.
Në Katar nuk ka asnjë zyrë qeveritare të dedikuar për të drejtat e grave.
Politika
Vetëm vitin e kaluar, emiri Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, emëroi dy gra në kabinet, duke e çuar numrin e ministrave në tri – numri më i lartë në historinë e Katarit.
Gratë e njohura të Katarit mbajnë edhe poste të tjera të nivelit të lartë.
Zëvendësministrja u bë e njohur si zëdhënëse e përpjekjeve kritike diplomatike të Katarit, në kohën e tërheqjes së ushtrisë amerikane dhe NATO-s nga Afganistani.
Një tjetër grua e fuqishme është motra e vogël e Sheikh Tamimit, kreu i Autoritetit të Muzeut të Katarit, e cila është bërë një nga figurat më të njohura në botën e artit.
Vitin e kaluar, Sheikh Tamim emëroi dy gra si këshilluese në Këshillin Shura. Por zgjedhjet legjislative për këshillin prej 45-anëtarësh ishin një dëshmi e fortë për rolin e kufizuar të grave të Katarit. Kandidatet gra nuk fituan asnjë vend të vetëm.
Fuqia punëtore
Ligjet garantojnë të drejtën për pagë të barabartë për gratë dhe burrat nga Katari. Por, gratë jo gjithmonë e marrin atë.
Ata gjithashtu kanë vështirësi për të marrë poste të nivelit të lartë në kompanitë private dhe sektorin publik, edhe pse më shumë se gjysma e të gjithë të diplomuarve në vend janë gra.
Nuk ka asnjë ligj që ndalon diskriminimin gjinor në vendin e punës. Ligjet ua ndalojnë grave që të bëjnë punë, të cilat janë të përcaktuara si të rrezikshme ose të papërshtatshme.
Gratë, gjithashtu, duhet të kërkojnë leje nga ai që kujdeset për to, e që duhet të jetë burrë, për të punuar në qeveri dhe në institucione speciale. Pavarësisht të gjitha pengesave, disa gra kanë arritur të kenë sukses në profesionet e tyre.
Rolet tradicionale
Rolet tradicionale në Katar janë të përfshira në ligje që bëjnë dallimin midis të drejtave dhe përgjegjësive të grave dhe burrave.
Gratë, për shembull, janë ligjërisht përgjegjëse për punët brenda familjes. Ata mund të humbasin mbështetjen financiare nëse kundërshtojnë dëshirat e burrave të tyre.
Edhe pse gratë kanë bërë përpjekje të mëdha për avancimin e rolit të tyre në vitet e fundit, çështjet që kanë të bëjnë me politikën dhe financat, dominohen nga burrat.
Me islamin që inkurajon modestinë femërore, gratë e Katarit zakonisht mbajnë shami dhe një mantel të gjerë të njohur si ‘abaja’. Gratë beduine [gratë që jetojnë në zona rurale kryesisht] janë më konservatore dhe disa prej tyre mbulojnë fytyrat me hixhab.