Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi të mërkurën që plani i Francës dhe Gjermanisë, i përkrahur nga BE-ja, të vendoset në tryezë “një orë e më parë”.
Ky plan, sipas raportimeve, është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj”, tha Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai tha se arsyeja kryesore pse ka shkuar në Bruksel, të hënën, është nisja e diskutimit për marrëveshjen finale mbi planin franko-gjerman, dhe jo diskutimi për targat.
Sipas tij, marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, ishte pjesë e ftesës së BE-së, por që më pas “u braktis dhe u kalua vetëm te çështjet aktuale”.
Kurti tha se Kosova ishte gati që ta pezullonte fazën e dytë të vendimit për targa, e cila parasheh shqiptimin e gjobave për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa ilegale serbe, në mënyrë që të krijohet hapësirë për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, “e paraparë nga BE-ja që të arrihej deri në mars të viti 2023”.
“Afatin mars 2023 nuk e kam shkruar unë, e ka shkruar Brukseli. Unë kam kërkuar të jetë shkurti 2023… Por, në fund ata hoqën dorë”, tha ai, duke përmendur shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Madje, ai tha që në takimin që kishte me Borrellin në Forumin e Paqes në Paris, ai i kishte thënë që propozimi franko-gjerman “është propozim i BE-së, i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza, “ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë se është 1 për qind, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”.
Në tetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Jemi të përqendruar që dakordimi të arrihet para se të bëhen 48 orë”
Kurti konfirmoi se zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, është tashmë në Bruksel, ku do të takohet me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, për të diskutuar për zgjidhjen e çështjes së targave ilegale serbe.
Takimi në Bruksel do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.
Sipas Kurtit, gjatë gjashtë muajve të fundit kanë qenë tetë opsione për targat, mirëpo nuk dha detaje me arsyetimin se “konfidencialiteti në bisedime është zotimi ndaj ndërmjetësit [BE-së]”.
“Nga këto tetë opsione, për ne tri modele kanë qenë të pranueshme, e pesë të papranueshme. Ndërsa për Serbinë asnjë [nga tetë opsionet] nuk ishte e pranueshme”, u shpreh Kurti .