28 nëntori për shqiptarët kudo që janë shënon një nga ditët më të lavdishme të kombit. 28 nëntori 1912 është cilësuar nëntori i dytë i shqiptarëve.
Kjo pasi, më 28 nëntor 1443 Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit (3 nëntor), Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve. Shembulli i tij nxiti thuajse të gjithë princat shqiptarë të ngriheshin kundër sundimit osman.
Sipas kujtimeve të Marin Barletit: “Skënderbeu valëviti në Krujë me 28 nëntor 1443, për herë të parë në histori, flamurin kuq e zi dhe në kulmin e entuziazmit popullor të të pranishmëve tha : “lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një çlirimtar tjetër, se Arbërisë nuk i mungojnë burrat. Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj. Armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat”.
Ndërkaq 469 vjet më vonë, më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar. Më 28 nëntor 1912 në orën 14:00 u hap Kuvendi i Vlorës me 37 delegatë nga e gjithë Shqipëria. Kryetari i tij u zgjodh Ismail Qemali, i cili deklaroi se shpëtimi i vetëm i Shqipërisë është shpallja e pavarësisë, krijimi i qeverisë, zgjedhja e pleqësisë që do ta kontrollonte atë dhe dërgimi i një komisioni për të mbrojtur çështjen shqiptare para Fuqive të Mëdha.
Më 28 nëntor 1793 në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, qe e detyruan te tërhiqet për në Manastir.
Po kështu Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 67 vjeç.
Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.
Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.
Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.
Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.
Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.
Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.
Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.
Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjati tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme.
Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.
Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.