Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është ftuar në interpelancë ka folur rreth zhvillimeve të fundit për targat në veri dhe arritjes së ujdisë në Bruksel.
“Me 23 nëntor të këtij viti në mbledhjen e 109 të Qeverisë dhe me 24 nëntor këtu në Kuvendin e Republikës unë kam treguar për rrjedhën e takimit të nivelit të lartë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me 21 nëntor. Teksti i propozuar nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell, si draft deklaratë që mëtohej të lëshohej në fund të takimit e që në fakt përbënte ftesën për takim i kishte 4 paragraf, 2 nga ta bënin thirrje për përqendrim me urgjencë në propozimin e BE-së të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve duke vendosur edh enjë afat për arritjen e marrëveshjes, para marsit 2023. Pra marsi i vitit 2023 për herë të parë përmendet në ftesën e Borellit dhe Lajcakut për takimin që u zhvillua më pastaj. Në parim ne u pajtuam me këtë ftesë dhe i premë biletat në Bruksel. Në kuadër të diskutimeve që kishim atje ne gjithmonë e kemi vënë theksin tek propozimi i BE-së për marrëveshje, si dialog për marrëveshje jo dialog për proces apo dialog për të zgjidhur një problem të vogël”, tha Kurti.
“Konvertimi i targave ilegale në komunat në veri të Kosovës është e drejtë e qytetarëve të republikës dhe njëkohësisht obligim i qytetarëve dhe ne këtë obligim e kemi zbatuar duke paraqitur edhe insentiva financiare për të gjithë ata që e bëjnë konvertimin e targave. Dhe le të mos harrojmë se janë disa mijëra targa të tilla, dhjetëra, mijëra serb tashmë i kanë konvertuar targat e tyre ilegale në ato RKS, ka edhe të atillë që i kanë konvertuar edhe në targa të Serbisë, por është një pakicë, përbrenda pakicës serbe që nuk i kanë konvertuar. Le të mos e krijojmë përshtypjen që bëhet për shumicën e pakicës, por për pakicën e pakicës sepse të dhënat e MPB e Policisë e dëshmojnë një gjë të tillë”, tha ai.
Shefi i qeverisë, tha se ishin dakord që të pezullonin veprimet e mëtejshme përkatësisht bëhej fjala për gjobat që pasonin qortimet lidhur me konvertimin e targave nëse Serbia do të pezullonte lëshimin e targave me dominime të qyteteve të Kosovës, raporton RTKlive.
“Pra fokusim me urgjencë dhe me një afat të caktuar në propozimin franko-gjerman dhe në mes pezullim të veprimeve të mëtejshme të targave sa i përket gjobave në Kosovë e të lëshimit të tyre në Rashkë të Serbisë, ky ishte propozimi ynë, shumë racional dhe ndodheshim fare pranë tij për të arritur një deklaratë të përbashkët të cilën më pas do ta paraqiste Borell. E përsëris, takimi nuk ishte i suksesshëm pasi nga fokusi te propozimi i BE-së i mbështetur nga Franca, Gjermania e SHBA, u kalua vetëm tek veprimet lidhur me konvertimin e targave ilegale”, tha ai.
Kurti ka përsëritur çfarë atë ka thënë me 18 gusht. “Nuk jam as polic as komandant stacioni, as zyrtar dogane as shef kadastri, jam kryeministër i Republikës së Kosovës dhe kam ardhur për marrëveshje finale, e ata e dinin që unë kam të drejtë sepse takimi i 18 gushtit më ka dhënë të drejtë sepse pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes e pika e dytë çështjet aktuale. Të mërkurën u arrit ajo që mund të arrihej të hënën, pra pezullim i veprimeve të mëtutjeshme sa i përket targave, në njërën anë gjobitjen e atyre ilegale atyre ne Kosovë e në anën tjetër ndalim i lëshimit të atyre në Serbi”, theksoi ai.
Në Gjykimin e tij dakordimi i së mërkurës nuk ishte i mundur pa zhvillimet e së hënës, sepse të hënë u panë shumë gjëra e mbi të gjitha u pa braktisja e propozimit të BE pikërisht nga ndërmjetësi. “Gjithsesi tani jemi në një situatë tjetër, ne kemi bërë pezullim të veprimeve për t’i dhënë hapësirë marrëveshjes sipas propozimit evropian të cilën qysh në fillim ne e kemi quajtur bazë të mirë për diskutim sepse është e bazuar mbi vlera”, tha Kurti.
Kurti, tha se tani i takon sponsoruesve të këtij plani që në një afat sa më të shpejtë të arrihet një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve. “Siç kam deklaruar në ditën e inaugurimit në këtë Kuvend, dialogu është një nga temat kapitale në të cilat ne synojmë konsensus politik e shoqëror. Në këtë drejtim unë kam ftuar vazhdimisht krerët politik për konsultim e bashkërendim, përfshirë edhe thirrësin e interpelancës. Ne jemi vend demokratik dhe debatet e kritikat konstruktive forcojnë argumentet tona. Ne mund të mos pajtohemi çdo herë për qasje në dialog se cilat janë strategjitë e praktikat më të mira, besoj këtu dallojmë, por ajo që besoj që na bashkon është qëllimi ynë i përbashkët për forcimin e sovranitetit dhe ruajtjen e integritetit territorial”, tha ai.
Duke shtuar se qytetarët kanë votuar masivisht për ndryshim e një qasje të re ndaj dialogut me Serbinë.
“Prandaj unë kritikat i mirëpres, por unë besoj që në të njëjtën kohë duhet ta kuptoni saktësisht edhe qartësinë, vendosmërinë, drejtësinë dhe dobinë e kësaj qasje të re. Sikur të ishim në qeveritë e kaluara ku shumica bëhej e varej nga Lista Serbe me siguri do të kishte edhe mocion mosbesimi ta rrëzonte qeverinë, por ja që kjo nuk është e mundur tash. Reciprociteti me targa e reciprociteti me letërnjoftime do të ishte motiv i mjaftueshëm për ata që të provojnë ta rrëzojnë qeverinë, mirëpo ka ndodhur ndryshimi i madhe dhe besoj që të gjithë duhet të gëzohemi që Republika e Kosovës e ka një qeveri e cila nuk varet për mazhorancën nga votat e Listës Serbe. Pavarësia nga Serbia është edhe pavarësi nga strukturat ilegale dhe ndikimin e tyre destruktiv në politikë që e kanë prej se ekzistojnë”, theksoi ai.
Haradinaj: Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenar të destabilizimit të situatës në Kosovë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në emër të propozuesit, tha se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është më të rëndat në këto 22 vjet.
“Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenar të destabilizimit të situatës në Kosovë duke i urdhëruar përfaqësuesit serb në institucione shtetërore, publike e të sigurisë që t’i braktisin ato dhe që kanë ndodhur në veriun e vendit”, tha ai.
Sipas tij për fat të keq edhe veprimet e institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar.
“Kryeministri i vendit në vend se të përfillte kërkesën e SHBA, për të shtyrë zbatimin e marrëveshjes për targat ka zgjedhur skenarin më të keq, zbatimin në faza të kësaj marrëveshje për çka i ka dhënë hapësirë Serbisë edhe ta luaj rolin e viktimës edhe të marr veprime anti Kosovë. Fatkeqësisht as presidentja as kuvendi nuk kanë vepruar në përputhje me seriozitetin e situatës duke vepruar sikur në vend nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Të gjithë këta së bashku në vend se të merren me zgjidhjen e situatës së krijuar kanë filluar të kërkojnë fajtor brenda nesh”, tha ai, raporton RTKlive.
Sipas tij situatat e jashtëzakonshme kërkojnë vendime të jashtëzakonshme, ai ka propozuar kuvendit ta votojë rezolutën.
1 Qeveria të marr vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.
2. Institucionet e Kosovës, Presidenca, Kuvendi, Qeveria, gjitha nivelet të fillojnë dialogun me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.
3. Qeveria të nisë me komunikim intensiv me faktorët më relevant në vend duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar, por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.
4. Të kërkohet një samit: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, takim disaditor deri në përmbylljen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
“Kjo kërkesë për interpelancë ka ardhur para vendimit të fundit të qeverisë për shtyrje dhe në kohën kur situata ishte e tensionuar në veri. Tani mund të konstatojmë se sa i përket pikës së parë ka një zhvillim në drejtim të caktuar edhe pse nuk është ai që do t’i bënte nder Kosovës në këtë rast pranimi që në kohë i kërkesës amerikane për shtyrje, mirëpo mendoj se tri pikat tjera qëndrojnë dhe i bëjnë nder Kuvendit dhe Qeverisë që të arrihet një dakordim”, tha ai.