AAK nuk merr pjesë në takim me presidenten, kërkon që zgjedhjet të shtyhen
B. H. / RTKlive
(E plotësuar) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar për RTKlive se nuk do të marrë pjesë në takimin me presidenten Vjosa Osmani. Kjo e fundit, sot në orën 14:30, ka caktuar takimin me përfaqësuesit e partive politike për zgjedhjet në veri të vendit.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, në një përgjigje për RTKlive ka thënë se “qëndrimi i AAK për zgjedhjet në veri është që ato të shtyhen”.
“…Sepse kemi vleresuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Këtë qëndrim e kemi bërë publik tash e sa ditë. Duke pasur parasysh këtë qëndrim, nuk e vlerësojmë të nevojshme pjesëmarrjen e AAK-së në takim me presidenten”, ka theksuar Xhemaili.
Ndërkohë, RTKlive ka tentuar të marrë edhe qëndrimin e partive tjera politike lidhur me ftesën e presidentes për takim, por edhe për zgjedhjet në veri, por ato nuk janë përgjigjur.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve, nga radhët e Listës Serbe, si shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale.
Presidentja sot pret partitë politike për konsultim për zgjedhjet në veri
Presidentja Vjosa Osmani pret sot në takim në orën 14:30, përfaqësuesit e partive politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Një njoftim të tillë e ka bërë Zyra e Presidencës.
Pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre katër komunave me shumicë serbe në muajin e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka caktuar 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve për kryetar dhe 25 dhjetorin si datë për zgjedhjet e kuvendeve komunale.