Edhe përpara se talebanët t’i ndalonin gratë afgane të punonin në organizata joqeveritare, forcat e tyre vizituan disa herë zyrën e një organizate lokale në kryeqytetin Kabul për të kontrolluar se punonjësit femra po i binden rregullave për kodet e veshjes dhe ndarjen gjinore.
Tashmë, gratë në zyrë kishin qenë tepër të kujdesshme, duke shpresuar të shmangnin problemet me talebanët. Ato mbanin rroba dhe maska më të gjata së bashku me shaminë islame dhe qëndronin të ndarë nga kolegët meshkuj në vendin e punës dhe gjatë kohës së ushqimit, tha një punonjëse femër e një organizate.
“Ne madje ndryshuam oraret e mbërritjes dhe fillimit të punës së zyrës sepse nuk donim të na ndiqnin” talebanët, tha ajo, duke folur me kusht që emri, titulli i punës dhe emri i organizatës së saj të mos përdoren nga frika e hakmarrjeve.
Kjo nuk mjaftoi. Më 24 dhjetor, autoritetet talebane njoftuan përjashtimin e grave nga OJQ-të, gjoja sepse ato nuk mbanin shaminë ose hixhabin në mënyrë korrekte.
Lëvizja bëri që agjencitë ndërkombëtare të ndihmës të ndalonin operacionet në Afganistan, duke rritur mundësinë që miliona njerëz të mbeten pa ushqim, arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera kritike gjatë muajve të ashpër të dimrit.
Agjencia që koordinon zhvillimin dhe punën e ndihmës në Afganistan, “ACBAR”, vlerëson se shumë nga 183 anëtarët e saj vendorë dhe ndërkombëtarë kanë pezulluar, ndaluar ose zvogëluar aktivitetet dhe shërbimet e tyre humanitare që nga hyrja në fuqi e urdhrit.
Këta anëtarë punësojnë më shumë se 55,000 shtetas afganë, mes tyre rreth një e treta e të cilëve janë gra. Agjencia thotë se stafi femër luan një rol thelbësor në aktivitetet e OJQ-ve, duke ofruar shërbime humanitare duke respektuar gjithashtu zakonet tradicionale dhe fetare.
Megjithatë, gratë në disa organizata lokale po përpiqen të vazhdojnë të ofrojnë shërbime sa më shumë që të munden dhe të paguajnë stafin e tyre për sa kohë që fondet e donatorëve vazhdojnë.
Punonjësja e OJQ-së, e cila ka dy diploma master dhe tre dekada përvojë profesionale në sektorin e arsimit të Afganistanit, donte të shkonte në zyrë për herë të fundit për të marrë laptopin e saj, por u paralajmërua të mos e bënte këtë nga drejtori i organizatës sepse kishte talebanë të armatosur jashtë ndërtesës.
Ajo është e vendosur të vazhdojë të ndihmojë të tjerët, edhe pse tani punon nga shtëpia.
“Është përgjegjësia ime të marr dorën e grave dhe vajzave dhe të ofroj shërbime për to”, tha ajo. “Do të punoj deri në fund të jetës sime. Kjo është arsyeja pse unë nuk po largohem nga Afganistani. Mund të kisha shkuar, por gratë e tjera më kërkojnë ndihmë. Nëse ne dështojmë, të gjitha gratë dështojnë”, shprehet ajo në kushte anonimiteti agjencinë AP.
OJQ-ja e saj këshillon gratë për sipërmarrjen, kujdesin shëndetësor, këshillat sociale dhe edukimin.
Aktivitetet e saj kryhen personalisht në kryeqytetin Kabul dhe një provincë tjetër. Ajo ka ndihmuar 25,000 gra në gjashtë muajt e fundit dhe shpreson të ndihmojë 50,000 të tjera në muajt e ardhshëm, megjithëse, se si do ta bëjë këtë është e paqartë, duke pasur parasysh se shumica e stafit të saj të përhershëm dhe të përkohshëm janë gra.
Pavarësisht se fillimisht premtuan një rregull më të moderuar, talebanët po zbatojnë interpretimin e tyre të ligjit islamik ose Sheriatit.
Ata kanë ndaluar vajzat nga shkolla e mesme dhe universiteti, kanë kufizuar gratë në punësim dhe i kanë urdhëruar ato të veshin veshje nga koka te këmbët në publik. Grave gjithashtu u ndalohet hyrja në parqe, palestra dhe hapësira të tjera publike.
Punonjësja e OJQ-së tha se shumë gra të arsimuara u larguan pas pushtimit të talebanëve në gusht të vitit 2021, duke i kushtuar shoqërisë civile afgane shumë nga kapaciteti dhe ekspertiza e saj.
“Ata kanë synuar gratë që në fillim. Pse po iu bëhen armiq femrave? A nuk kanë ato gra, motra dhe nëna?”, tha ajo.
“Gratë që ne ndihmojmë nuk kanë kompjuterë, nuk kanë “Zoom”. Është e vështirë ta bësh këtë punë pa qenë ballë për ballë. Por unë shpresoj se mund të fillojmë punën tonë përsëri në javët e ardhshme”, tha ajo.
Një tjetër punonjëse e sektorit jopublik parashikon që financimi i donatorëve do të ndalet për shkak të rënies së pjesëmarrjes së femrave. Ajo foli gjithashtu me kusht që të mos identifikohej për të mbrojtur veten, kolegët e saj dhe organizatat partnere.
Ajo është e frustruar, por jo e tronditur nga urdhri i fundit i talebanëve.
Pragmatizmi i saj e bën atë të besojë në rëndësinë e angazhimit me talebanët si sundimtarë de fakto të vendit.
“Ne ua paguajmë faturat e energjisë elektrike talebanëve, i marrim kartat e identitetit prej tyre. Më shumë afganë duhet të gjejnë mënyra për t’u ulur me ta. Ne duhet t’u themi atyre se këto çështje nuk janë të udhëhequra nga të huajt”, thotë ajo.
Por të tjerët e dinë se ka kufij për të dialoguar me ish-kryengritësit.
“Ata nuk kujdesen për të drejtat që Islami u jep grave, nuk funksionon për to”, tha një grua me bazë në Kabul, e cila drejton një OJQ kombëtare.
“Unë e di rëndësinë e punës së grave dhe ndikimin e saj tek përfitueset tona femra”, tha ajo.
Ajo nuk donte të jepte informacionin e saj personal nga frika se mos identifikohej dhe babai i saj është bërë më mbrojtës ndaj saj pas kufizimeve të talebanëve.
Ajo drejton një organizatë që punon në Afganistan për dekada.
Aty janë të punësuar 242 persona, 119 prej të cilëve janë gra.
Sfidat e saj të menjëhershme janë prozaike, me vetëm disa orë energji elektrike në ditë është e vështirë të punosh nga shtëpia.
Ajo ka fatin të jetojë afër zyrës dhe mund të arrijë atje shpejt dhe me maturi nëse është e nevojshme, megjithëse punonjëset e saj femra që janë më larg nuk munden. Asaj i mungon komoditeti i punës në zyrë dhe kolegialiteti që vjen me të.
Zbatimi i ndalimit deri më tani nuk është universal, thanë ajo dhe të tjerët.
Është më e rrepta për gratë me zyra në qytete, por disa gra në zonat rurale, veçanërisht ato në terren që ofrojnë kujdes shëndetësor dhe ndihmë kritike humanitare, kanë qenë në gjendje të operojnë.
Ajo tha se provincat jashtë Kabulit dhe Kandaharit, vendlindja shpirtërore e talebanëve, janë më pozitive për punën e OJQ-ve dhe kjo i jep asaj shpresë.
Donatorët e saj janë mirëkuptues, duke ruajtur pagat e OJQ-së dhe kostot e funksionimit. Tani është një lojë pritjeje, tha ajo, për të parë se si Kombet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar i përgjigjen urdhrit të fundit taleban.
“Më duhet vetëm të mbijetoj në këtë situatë aktuale”, tha ajo.