Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka urdhëruar një zgjerim “eksponencial” të arsenalit bërthamor të shtetit të tij dhe zhvillimin e më shumë raketave të fuqishme balistike ndërkontinentale, raportuan mediat më 1 janar.
Kjo deklaratë e Kim është në linjë me drejtimin e programit të tij bërthamor. Ai vazhdimisht është zotuar se do të rrisë kualitetin dhe kuantitetin e arsenalit bërthamor, për t’u përballur, siç ka thënë, me “armiqësitë” e Shteteve të Bashkuara.
“Ata tani duhen të izolojnë dhe ngufasin [Korenë e Veriut], që është gjë e paprecedentë në historinë njerëzore”, tha Kim gjatë një takimi me partinë në pushtet, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve. “Kjo situatë kërkon që të dyfishohen përpjekjet për të forcuar në masë të madhe muskujt ushtarakë”.
Kim kërkoi për “një rritje eksponenciale të arsenalit të armëve të shtetit”, të prodhohen armë taktike bërthamore për të shënjestruar Korenë e Jugut. Ai po ashtu kërkoi që raketat balistike ndërkontinentale të kenë aftësi “të kundërsulmeve të shpejta” dhe një armë e tillë, sipas Kim, i duhet për të sulmuar tokën amerikane.
Muajin e kaluar, Koreja e Veriut pretendoi se ka kryer teste kyçe për zhvillimin e një arme të re strategjike, që me gjasë është referencë për një raketë balistike ndërkontinentale.
Koreja e Veriut e sheh Korenë e Jugut si shtet armik, ndërkaq thotë se SHBA-ja dhe Koreja e Jugut kanë politika armiqësore ndaj Veriut.
Javën e kaluar, Koreja e Jugut paralajmëroi se çdo përpjekje e Veriut për të përdorur armë bërthamore “do të çonte në rrëzimin e Qeverisë së Kim Jong Unit”. Paralajmërime të tilla më herët ka bërë edhe ushtria amerikane.
Koreja e Veriut në orët e para të së dielës lëshoi raketa me rreze të mesme veprimi, që sipas Koresë së Jugut dhe Japonisë fluturuan për afër 400 kilometra.
Më 2022, Koreja e Veriut ka lëshuar mbi 70 raketa, përfshirë tri raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në drejtim të Koresë së Jugut gjatë së shtunës.