I dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach do të qëndroj sot në Kosovë. Sipas njoftimit të qeverisë, në ora 16:00 Lordi Peach do të pritet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa mediat thuhet se mund të marrin pamje nga oborri i ndërtesës së ekzekutivit.
Peach është i pari emisar evropian që takon përfaqësuesit e Kosovës menjëherë pas festave të fundvitit. Ardhje tij vjen në periudhën kur nga veriu i Kosovës u hoqën barrikadat e fundit të vendosura nga serbët.
E gjatë pjesës së parë të këtij muaji, Ballkanin pritet ta vizitoj edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Sipas mediave serbe, ai me 11 ose 12 janar do të vizitojë Beogradin, ndërsa nuk është definuar data e ardhjes në Kosovë.
“Besoj në krijimin e raporteve më të mira me Shtetet e Bashkuara. Të shohim se si do të shkojë. Nuk do të jetë një bisedë e lehtë, por besoj se ne mund të flasim”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq gjatë një konference për media dje në Beograd.
Ndryshe Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli pozitiv për koronavirus.