Dr. Martin Berishaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë ka reaguar ndaj akuzave të publikuara në mediat në Kosovë të cilat i ka cilësuar si të pabaza.
“Që në fillim dua t’ju informoj se nuk jam as pronar dhe as aksionar i asnjë ndërmarrjeje në Republikën e Kosovës, as në Republikën e Malit të Zi, as në rajon, dhe askund tjetër në botë!
Pretendimi se unë kam fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë, nuk qëndron dhe është i pavërtetë”, tha ai. Sa i përket firmës Zaslon L.C.C. dhe Myloja sh.p.k., të cilat përmenden ambasadori Berisha tha se nuk janë në pronësinë të tij dhe për këtë e ka njoftuar edhe Agjencionin Antikorrupsion të Republikës së Kosovës në email zyrtar me datën 5 korrik 2022.
Ndërsa për dy kompanitë tjera, MB consulting d.o.o. në Mal të Zi, dhe MB consulting sh.p.k. në Kosovë, sqarimi dhe e vërteta është si vijon:
“MB consulting d.o.o. në Mal të Zi nuk nuk ka pasur qarkullim që nga viti 2020 dhe mbyllja e saj fizike sipas organeve të Malit të Zi, pas kërkesës sime për mbyllje, ka qenë çështje ditësh, dhe meqenëse bëhet fjalë për një kompani që nuk ka pasur aktivitet që nga vitit 2020 dhe ka qenë në proces të mbylljes, nuk ka pasur arsye të deklarohet si pronë. MB consulting d.o.o. si person juridik ka pranuar të hyra në periudhën 2017-2020, dhe të gjitha transaksionet janë bërë në mënyrë transparente përmes llogarisë bankare, dhe janë paguar të gjitha tatimet sipas legjislacionit në fuqi. Në lidhje me pretendimet e ngritura, Prokuroria atje ka zhvilluar hetimet, dhe ka mbyllur rastin sepse nuk ka gjetur asgjë nga pretendimet. Prandaj, akuza se jam nën hetime në Mal të Zi është e pavërtetë, sepse kjo është një çështje e mbyllur tashmë”, tha ambasadori Berisha.
Ai tha të ketë bërë padi kundër Vitomir Petroviq në Planet TV në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë dhe lënda është në proces gjyqësor.
“Kjo për arsye se ka bërë shpifje ndaj meje me datën 21 prill 2022, i cili po citohet nga mediat tona”, tha ai.
Për sa i takon kompanisë MB consulting sh.p.k. sipas legjislacionit në Kosovë, tha se ka qenë aksionar deri me datën 13 tetor 2021, kur edhe ka bërë bartjen e të gjitha aksioneve të tij tek pala e tretë, përmes Kontratës për Dhurim.
“Prandaj në datën e deklarimit të pasurisë me 13 janar 2022 (tre muaj pas heqjes dorë nga pronësia), unë nuk kam qenë aksionar në këtë kompani, dhe nuk kam pasur se si ta deklaroj si pronë timen. Ndërsa sa i përket deklarimit dhe pagesës së tatimeve, kompania MB consulting sh.p.k. ka deklaruar të gjitha detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi, në Administratën Tatimore të Kosovës. Pagesa e një pjese të detyrimeve është bërë nga kompania që është person juridik, kurse pjesa tjetër vazhdon të paguhen nga kompania që tash është në pronësi të tjetërkujt. Kushdo që kupton nga kontabiliteti, e din që borxhi tatimor nuk ka fare të bëjë me shmangie tatimore, gjë për të cilën po shpifet kundër meje. Prandaj edhe kjo e pavërtetë bie në ujë, sepse asnjëherë nuk ka pasur shmangje tatimore, por bëhet fjalë për borxh tatimor, i cili është deklaruar nga vetë ndërmarrja, dhe vazhdon të paguhet”, tha ai.
Dhe për fund, akuza e insinuata se gjoja kompania GEN-I qenka ndërmarrje serbe, është tërësisht e pavërtetë gjithashtu.
“Ndërmarrja GEN-I, trgovanje in prodaja električne energije, d.o.o. Krško, Slloveni, është kompani me të cilën kam pasur marrëdhënie kontraktuale si këshilltar në kohën kur nuk isha as shtetas i Republikës së Kosovës. Kjo kompani është kompani sllovene e cila për themelues ka kompaninë GEN ENERGIJA d.o.o. e cila është në pronësi të plotë të Republikës së Sllovenisë, dhe ka filiale nëpër shumë shtete në rajon, ngjashëm sikurse ka ta zëmë edhe NLB Banka, e cila përveç filialeve në Slloveni, ka degë edhe në Prishtinë, Shkup, Beograd, etj.”, tha ai.
Prandaj pretendimi se GEN-I është kompani serbe, sipas tij është gënjeshtër e pastër, që për qëllim ka mjegullimin e opinionit publik, dhe krijimin e situatave të paqena, me synimin e vetëm, sulmin dhe denigrimin e karakterit tim.
“Akuzat si këto më lart, por edhe të gjitha akuzat tjera, janë të pabaza, tendencioze dhe i hedhi poshtë si të tilla”, tha ai. /Kosovatimes/