Analistja Engjellushe Morina, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare tha në një bisedë më Zërin e Amerikës se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi ndonëse nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, përfshinë elementet e pranimit të realiteteve politike dhe legale të të dyja shteteve. Zonja Morina tha ndërkaq se marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin e komunave më shumicë serbe në Kosovë bie ndesh me karakterin shumetnik të saj, që ishte synimi i bashkësisë ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Zonja Morina, aktualisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke ushtruar trysni mbi Prishtinën dhe Beogradin për të arritur një marrëveshje në bazë të një propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Por propozimi nuk e përfshinë njohjen e ndërsjellë, siç është menduar gjithmonë se duhet të jetë përfundimi i këtij procesi. Si e shihni këtë propozim, a është zgjidhje?
Engjëllushe Morina: Me aq sa kam mundur të kuptoj, plani në fakt është një nismë e mbështetur prej Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos prej disa shteteve që kanë peshë pak më tepër politike në Bashkimin Evropian, siç janë Gjermania dhe Franca, por plani është i përkrahur prej plot 27 shteteve të BE-së. Pra, prej asaj se çfarë kam kuptuar vërtetë plani nuk e thekson në mënyrë eksplicite njohjen e ndërsjellë, mirëpo janë elementet e pranimit të realiteteve politike dhe legale të të dyja shteteve. Domethënë “de facto” njohja është aty, mirëpo unë e kuptoj fare mirë se në Kosovë ka disponim që mos të pranohet një plan asisoj që nuk parasheh në mënyrë eksplicite njohje të ndërsjellë sepse kjo atëherë do të ketë implikime të tjera. Por duke pasur parasysh situatën në të cilën gjendet Evropa, Ballkani, pak a shumë edhe Shtetet e Bashkuara si faktori kryesor i mbështetjes së sigurisë dhe politikës në Evropë karshi luftës e cila po ndodhë në Ukrainë, mendoj që plani është diçka që duhet të konsiderohet me seriozitet prej të dyja palëve, por sidomos prej palës së Kosovës, e cila është shumë e interesuar që të shkëputet një herë e përgjithmonë prej këtij konflikti që e ka me Serbinë.
Zëri i Amerikës: Besoni që ky plan e shkëput Kosovën nga Serbia?
Engjëllushe Morina: Unë besoj që me një maturi politike kjo edhe mund të arrihet, por natyrisht siç e kam theksuar edhe më parë në shkrimet e mia, Bashkimi Evropian këtu po ashtu është palë në gjithë procesin e dialogut dhe ka disa obligime.. Një prej obligimeve është që Bashkimi Evropian të flas me një gjuhë, që edhe ato pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën të bashkohen dhe ta rishqyrtojnë njohjen e Kosovës sa më parë sepse siç është theksuar disa herë kjo është edhe në interesin e sigurisë së Evropës. Natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara që Evropa të ketë stabilitet politik por edhe stabilitet në kuptimin e sigurisë, sidomos për shkak të asaj që është duke ndodhur me agresionin rus në Ukrainë. Domethënë, është obligim i Evropës që të flas me një zë dhe ta sigurojë Kosovën një herë e përgjithmonë që e përkrah në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. Në këtë moment nuk e fajësoj askënd në Kosovë që ka dyshimet e veta, Kosova edhe duhet t’i ketë dyshimet e saj për qasjen e këtyre pesë shteteve dhe qasjen e BE-së.
Zëri i Amerikës: Krahas trysnisë për pranimin e këtij propozimi, Kosova është në trysni të posaçme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si duhet të veprojë Kosova?
Engjëllushe Morina: Edhe kjo është një pikë shumë e ndërlikuar, shumë komplekse që i është vënë Kosovës përpara. Natyrisht nuk kemi kohë të hyjmë në diskutimet legale, por me të drejtë Kosova e përmend edhe faktorin kushtetues, që çfarëdo që i ofrohet komunitetit serb duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Pastaj është argumenti tjetër që marrëveshja e vitit 2013 duhet të konsiderohet dhe të implementohet. Unë mendoj që marrëveshja e vitit 2013, është me të vërtetë në kundërshtim me konceptin multietnik të Kosovës, i cili ka qenë objektiv i bashkësisë ndërkombëtare. Me marrëveshjen e vitit 2013 thyhet ky koncept komplet, sepse dy komunitetet, ai shqiptar dhe ai serb dhe mos të flasim për komunitete tjera që jetojnë në Kosovë siç janë boshnjakët, turqit, komunitetete rom, ashkali dhe egjiptian dhe të tjerët, por këto dy komunitete komplet ndahen njëri prej tjetrit dhe formohet jetë paralele. Komuniteti serb atëherë do ta ketë në njëfarë mënyre drejtimin e vet dhe duart e lira që ta rregullojë jetën me një lidhje shumë të fortë me Beogradin. Unë nuk e shoh asnjë problem që komuniteti serb të organizohet ashtu siç e parashohin ata jetën e tyre në Kosovë, por kjo duhet të jetë në një bashkërendim me nivelin qendror të qeverisjes në Kosovë. Domethënë Kosova i ka dy nivele të qeverisjes, atë qendror dhe atë lokal, ndërsa me marrëveshjen e 2013-ës pak a shumë përveç konceptit të multietnicitetit është edhe mënyra e qeverisjes e cila çrregullohet. Pastaj, natyrisht shtrohet pyetja se a duhet ta ndërrojmë natyrën e shtetit të Kosovës? A duhet ta hapim atë diskutim me bashkësinë ndërkombëtare që të ndërrohet komplet natyra e shtetësisë së Kosovës? Nëse hapet ky diskutim, unë besoj që nuk do të jetë diskutim i mirë as për komunitetin serb në Kosovë, as për komunitetet tjera, por as për konceptin e multietnicitetit në shtetet tjera të Ballkanit siç janë Maqedonia e Veriut, Serbia po ashtu edhe Mali i Zi. Domethënë në asnjë mënyrë koncepti i multietnicitetit nuk duhet të rrezikohet në Ballkan, në situatën politike dhe të sigurisë që gjendet Evropa, duhet të ruhet me çdo kusht ky koncept. Ka mënyra se si të gjenden modele të ndryshme, se si të integrohet tutje komuniteti serb në nivelin qendror dhe atë lokal, në të cilin nëse mund të shtoj, janë bërë ndryshime të shumta që të akomodohen komunat e ndryshme në Kosovë, por edhe të akomodohen komunat serbe e disa hapa janë ndërmarrë që të formohen komuna të reja me shumicë serbe, ndërsa flasim për shumicë diku dy ose tre mijë banorë. Pra shumëçka është në legjislacionin e Kosovës që edhe është zbatuar, sidomos ligji për vetëqeverisje lokale i cili i akomodon shumicën e kërkesave të komunave të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Por trysnia është shumë e fuqishme, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A ka rrugëdalje Kosova përveç që ta themelojë Asociacionin?
Engjëllushe Morina: Trysnia është shumë e fuqishme, është e vërtetë. Unë e kam përcjellë kohën e fundit dhe me të vërtetë i kam disa pikëpyetje se mos ka ndryshuar politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundruall Ballkanit, e sidomos kundruall Kosovës. Kjo trysni, mesazhet, nuk janë shumë të qarta sepse në të njëjtën kohë e dëgjon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të mbështesin një model që cenon Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Atëherë nëse ky është mesazhi, është pak kundërthënës me atë që kërkojnë. E kërkojnë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe siç është negociuar në vitin 2013, në të njëjtën kohë e theksojnë që Shtetet e Bashkuara nuk do ta cenojnë Kushtetutën e Republikës. Mendoj që Shtetet e Bashkuara duhet ta mbështesin Kosovën siç kanë bërë gjithmonë, që ta gjejë një model të aplikueshëm duke e marrë parasysh kontekstin e Kosovës, që nuk do ta cenojë Kushtetutën e saj ndërsa do ta akomodojë komunitetin serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara e kanë fuqinë, e kanë kapacitetin që të punojnë së bashku me qeverinë e Kosovës dhe akterët e tjerë për gjetjen e një zgjidhjeje.
Zëri i Amerikës: Pikërisht këtë po e kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një model që nuk e prek kushtetutshmërinë e Kosovës. Por a po bën Kosova sa duhet? Përse nuk po e ofron ajo një model të saj siç edhe kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara?
Engjëllushe Morina: Tash këtu unë do të doja të theksoja se procesi i muajve të fundit, ose edhe i vitit të fundit nuk ka qenë edhe aq transparent. Është shumë vështirë të kuptohet se çfarë në fakt po diskutohet në Bruksel. Por ajo çfarë vërehet prej mediave është që diskutohen edhe çështje të mëdha nëse mund t’i quaj. Ta zëmë në takimin e gushtit palët janë mbledhur në mënyrë urgjente për të diskutuar krizën që pat nisur në veri të Kosovës, por në të njëjtën kohë aty janë diskutuar edhe çështje të mëdha. Diçka që nuk është e qartë për publikun, ashtu edhe për mua është se sa ka hapësirë në planin që po quhet evropian, që të diskutohet edhe çështja e një modeli që do të akomodonte komunitetin serb por edhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo nuk është e qartë dhe shpresoj që nëse qeveria e Kosovës mund të bëjë diçka është të nisë ta shpjegojë këtë pikë sidomos, nëse ka hapësirë që të ridiskutohet Asociacioni ose një model tjetër. Pra nëse asgjë tjetër, këto pika duhet të sqarohen, duhet të ketë një sqarim për publikun se a ka hapësirë dhe në çfarë mase kërkohet përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mu në këtë pikë, në këtë hapësirë nëse ajo është krijuar për ridiskutimin e një Asociacioni ose një mekanizmi që do të ketë një emër tjetër. Nëse mund të shtoj këtu për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë qenë gjithmonë përkrahëse për shtetësinë e Kosovës, ky është momenti më kyç që Shtetet e Bashkuara të intensifikojnë përkrahjen e tyre për Kosovën për gjetjen e një zgjidhjeje të aplikueshme në Kosovë. Kjo politikë të cilën e kemi parë kohët e fundit, pak më bezdis, ky afrimi ose stërafrimi me qeverinë e Serbisë për momentin, ku ne e dimë shumë mirë që ka mbeturina të kohës së (Slobodan) Millosheviçit ende në qeverinë serbe, prandaj përafrimi i Shteteve të Bashkuara me këtë qeveri është brengosës dhe nuk kuptohet në fakt. Nëse politika e Shteteve të Bashkuara është e përqendruar asisoj që ta tërheq Serbinë prej orbitës së Rusisë, unë këtë e kuptoj plotësisht, por mendoj që nuk duhet të bëhet duke e trajtuar Kosovën por edhe Bosnjën e Malin e Zi si shtete të papërfunduara por edhe si dëm anësor. Domethënë unë pajtohem plotësisht me politikën që duhet të tërhiqet Serbia prej Rusisë, por jo në dëm të Kosovës dhe jo në dëm të rajonit. Po supozojmë që tërhiqet Serbia prej Rusisë dhe Kosova e aplikon Asociacionin e marrëveshjes së vitit 2013, unë besoj që me këtë qasje Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do t’i nxjerrin punë vetes në pesë ose dhjetë vitet e ardhshme, ku do të ketë nevojë të menaxhohet edhe një krizë tjetër.
Zëri i Amerikës: Kur jemi te Serbia, si e shihni qasjen e saj ndaj propozimit evropian? A është e gatshme vërtetë ta pranojë ajo këtë apo po pret mbase që Kosova do të dështojë dhe ajo të përfitojë?
Engjëllushe Morina: Edhe në Serbi, diskursi politik dhe publik ka qenë jo shumë i qartë kundruall asaj se a do ta pranojnë planin evropian apo jo. Unë mendoj, prej asaj që kemi parë në parlamentin e Serbisë me debatin për Kosovën i cili zgjati dy ditë, ka shumë pak disponim për të pranuar diçka që jep idenë se Kosova do të mund të shkëputet nga Serbia. Në fakt Kosova është e shkëputur nga Serbia, por ekziston një lloj mitologjie, një lloj kuptimi mitologjik në Serbi që ende mund të kthehet Kosova, e nëse jo – atëherë mund të kontrollohen serbët e Kosovës në mënyrën si do Serbia. Domethënë disponimi për t’u përballur me një realitet ende nuk ekziston, në parlamentin e Serbisë jo që jo, por më duket se edhe në publikun e Serbisë, në diskursin publik posaçërisht, ka disa çështje e probleme që duhet të adresohen. Unë mendoj se problemi kryesor këtu është se nuk ka pasur një projekt serioz ose një qasje serioze që të rishikohet se si mund të bëhet pajtimi i popujve, pastaj të rishqyrtohen këto çështjet tekniko politike, siç është çështja e Asociacionit e të tjera. Në Serbi ende nuk ka jo vetëm guxim politik, por nuk ka edhe një kuptim politik në rrugën të cilën Serbia duhet ta ndjekë që të ketë paqe në Ballkan, por të ketë edhe një të ardhme paqësore për vet shtetin e Serbisë. Vetëm një rikujtim këtu, do të doja të shtoja se demokracia në Serbi lëngon seriozisht që prej luftërave të viteve ’90, por ka pasur një dritare të vogël në vitet 2001 – 2003, kur Millosheviçi ishte dorëzuar në Hagë dhe një qeveri demokratike mori udhëheqjen e shtetit. Pati një dritare të një besimi që do të ketë një konsolidim të demokracisë, por ajo u rrënua pastaj tërësisht me vrasjen e kryeministrit të atëhershëm (Zoran) Xhinxhiç në vitin 2003. Pra, demokracia në Serbi ka probleme serioze dhe mendoj që me këtë nivel të demokracisë, me qasjen e Serbisë ndaj Rusisë, është shumë vështirë të kemi një fije besimi që mund të arrihet një marrëveshje paqësore me në këto kushtet e sotshme.