Selia e Smart Impex nuk bie në sy, në mes të zonës së biznesit dhe industriale në Kerpen pranë Këlnit. Megjithatë, biznesi i kësaj kompanie meriton vëmendje të veçantë, shkruan Deutsche Welle.
Sepse, deri pak para luftës, kjo kompani i shiste Moskës produkte të teknologjisë së lartë dhe komponentë elektronikë – të cilët mund të përdoren për qëllime paqeje, por edhe për armë të përdorura në luftën në Ukrainë.
Sipas ekspertëve britanikë, komponentë të tillë elektronikë luajnë një rol vendimtar në luftë – ato gjenden gjithashtu në raketa që shkatërrojnë shtëpi, shkolla dhe spitale në Ukrainë.
“Ata janë në zemër të armëve ruse,” thotë James Byrne nga qendra kërkimore britanike RUSI (Royal United Services Institute), e specializuar në mbrojtje dhe siguri. Punonjësit e RUSI shpesh kanë gjetur komponentë perëndimor në rrënojat në Ukrainë. Midis tyre mund të be dhe komponente nga Kerpen.
Çfarë tregon dokumentacioni doganor para dhe pas datës 24.02.2022?
Shitja e komponentëve nga Kerpen është e dokumentuar nga të dhënat doganore që disponojnë gazetarët e Monitor, program i stacionit gjerman ARD.
Para fillimit të luftës së agresionit të Rusisë, bie në sy: Jaroslav Z., bashkëthemelues i kompanisë ruse Fast Impex, e cila është shënuar si blerës, është edhe bashkëpronar i kompanisë gjermane Smart Impex, e cila është e shënuar si shitës.
Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022, kompania gjermane Smart Impex nuk figuron më në të dhënat doganore të mallrave të dorëzuara kompanisë ruse Fast Impex, por papritmas shfaqet kompania turke AZU International. Ajo u themelua në Stamboll menjëherë pas fillimit të luftës. Bashkëthemeluesi është Göktürk A. , i cili është gjithashtu drejtor i përgjithshëm dhe bashkëpronar i kompanisë gjermane Smart Impex.
Vitin e kaluar, kompania turke AZU International i shiti Moskës për më shumë se 20 milionë dollarë amerikanë, pikërisht ato komponentë që ishin shitur më parë nga kompania gjermane Smart Impex.
Anashkalimi sistematik i sanksioneve?
A është krijuar kjo strukturë biznesi për të anashkaluar sanksionet? Natyrisht, kjo kompani gjermane nuk është një rast i izoluar.
Që nga fillimi i luftës së agresionit të Rusisë, vëllimi i eksportit të Turqisë në fushën e “gjysmëpërçuesve dhe komponentëve elektronikë” ka shpërthyer praktikisht – nga rreth 300,000 dollarë amerikanë në 2021 në më shumë se 86 milionë dollarë amerikanë në 2022. Kjo është pothuajse 300 herë më shumë – në vetëm një vit.
“Ne shohim një rritje të madhe në eksportin e këtyre komponentëve nga Turqia në Rusi, kryesisht nga kompani që nuk kanë tregtuar kurrë me to,” thotë ekonomistja Elina Ribakova , e cila ishte e përfshirë në një analizë të detajuar të importeve ruse. Për të, kjo është dëshmi për një anashkalim të mundshëm sistematik të sanksioneve të BE-së. .
A vazhdon gjithashtu Smart Impex i Gjermanisë t’i shesë komponentë elektronikë Moskës – në mënyrë rrethrrotulluese, duke krijuar një kompani të re në Stamboll?
Dy muaj më parë, agjencia e lajmeve Reuters kontaktoi Göktürk A. Ai në një bisedë telefonike pranoi se kompania Smart Impex nga Kerpen shet komponentë elektronikë në Turqi dhe se çdo gjë tjetër është një “sekret tregtar”.
Eksperti ligjor i sanksioneve, Bärbel Sachs, e sheh nevojën e një hetimi këtu: “Nëse një drejtor gjerman nga Turqia kryen transaksione që janë të ndaluara nga Gjermania, atëherë kjo është gjithashtu një shkelje e embargos”.
Krijimi i trekëndëshit të biznesit
Ndërkohë, Monitor ka dokumente shtesë që me sa duket konfirmojnë këtë ndërtim tregtar në trekëndëshin Gjermani-Turqi-Rusi : Göktürk A. dha dorëheqjen si menaxher i përgjithshëm i kompanisë gjermane Smart Impex sepse u ndje i mashtruar: “Dorëzimi i Smart Impex në AZU u krye me njohuritë që AZU kryen dërgesa në Rusi/Bjellorusi”. Me fjalë të tjera: ai u largua sepse gjermani Smart Impex vazhdoi të shesë komponentë në Rusi, nëpërmjet Stambollit.
Gjatë hulumtimit, Monitor u përpoq të arrinte në mënyra të ndryshme kompani në Turqi, Rusi dhe Gjermani. Në Kerpen askush nuk ua hapi derën gazetarëve edhe pse para saj ishin parkuar disa makina. Në përgjigje të një kërkese me shkrim të një gazetari të Monitor, Smart Impex shkruan: “Aktualisht akuzat […] po hetohen me shumë kujdes”. Kontrollet e kaluara tregojnë se mallrat që shitëm nuk ishin (ishin) sanksionuar”.
Megjithatë, është e qartë se ata po përpiqen të shkatërrojnë gjurmët e asaj strukture biznesi. Javët e kaluara u shitën aksione, u ndryshua emri i një kompanie, si dhe struktura e pronarëve të aksioneve të kompanive në Turqi dhe Rusi.
Këto janë tregues se kompania është nisur qartë nga fakti se ka shkelur sanksionet e BE-së. Dhe nëse në rastin konkret ka qenë vërtet shkelje e sanksioneve – vendos prokuroria e shtetit në Këln./Kosovatimes/