Shkruan: Fadil MALOKU
- A duhet Kosova ta sakrifikojë “të ardhmen e saj të afërt”, por, të sigurt, në “këmbim të një të ardhme të ndritur”, por, të pasigurt!
Dilema “hamletiane” para së cilës gjendet aktualisht i gjithë estabilishmenti politik po edhe ai civil kosovar, ka të bëjë me atë se çfarë vendimmarrje duhet të bëjnë ata si akterë kryesor politik, në këto momente (padyshim) historike? Dhe atë jo vetëm për Kosovën, por për gjithë të ardhmen e shqiptarëve ne Ballkanin Perëndimor. Ngase, përmes kësaj vendimmarrje (mbi Asociacionin, që po shihet ashiqare se pretendimin e ka me krijua gjendje të atillë politike e juridik, ku de fakto dhe de jure, do vihen themelet e një “Republika Srpska, në Kosovë!) të vështirë, i gjithë spektri politik, civil, mediatik e intelektual, DUHET të dëshmohet si shumë largpamës, në mënyrë që më vonë mos të pendohet, por të krenohet për vendimmarrjen e drejtë dhe në favor të mbrojtjes së interesave shtetërore (Republikën) dhe atyre kombëtare (resurset dhe begatitë miliardësh tokësore të liqenit të Ujmanit) dhe atyre nëntokësorë (pasuritë po ashtu miliardash të Trepçës). Kjo dilemë “hamletiane”, para se të zgjidhet duhet gjithqysh; të analizohet, vlerësohet, e interpretohet mundësisht nga gjitha këndvështrimet dhe profilet profesionale shkencore e akademike. Pra, duhet ta ketë një ekip ekspertësh (uroj që Qeveria, të paktën ta ketë formuar gjerë më tani!) që nuk ka ngarkesa as ideologjike, as politike e as klanore, por vetëm profesionalizëm e meritokraci; juridike, politike, diplomatike, historike, ekonomike, sociologjike e antropologjike. Ky ekip ekspertësh, përveç tjerash duhet të jap përgjigje (logjike, politike, ekonomike, e diplomatike) edhe në pyetjet dhe dilemat “hamletiane“, siç është edhe kjo rreth çështjes së Asociacionit. Përgjigja duhet të shpjegoj si shkaqet ashtu edhe pasojat e (mos)pranimit të Planit franko- gjerman. Pra, për ta thjeshtësuar: A nënkupton kjo që Kosova, de fakto dhe de jure duhet ta sakrifikojë “te ardhmen e saj të afërt”,por, të sigurt (ku përgjegjësinë, për (pa)gabueshmërinë eventuale të vendimmarrjes, e marrim ne vetë!), në “këmbim të një të ardhme të ndritur”, por, të pasigurt (ku përgjegjësinë, për (pa)gabueshmërinë eventuale të vendimmarrjes,e marrin miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë ?! Realisht, sikur në vitin1999 të ishim çliruar me forcat tona, padyshim që ne do e sakrifikonim “të ardhmen e afërt”, në mënyrë të “blinim kohë” për një “të ardhme të ndritur”. Mirëpo, meqë nuk është kështu, atëherë Ne duhet sot të tregohemi shumë të vëmendshëm dhe shumë të kujdesshëm me aleatët, në mënyrë që interesat tona shtetërore jo vetëm t’i ekonomizojmë (me çmimin më të ulët të mundshëm) dhe t’i vëmë pa asnjë dyshim në funksion e në shërbim të interesave tona kombëtare, por, edhe t’i sinkronizojmë ato me interesat e reja gjeopolitike (që po i dikton invazioni rus në Ukrainë) të “shtratit të “Prokrustit” amerikan. Themi “shtratit të Prokrustit” amerikan, për arsye se në këtë “pazar” me Serbinë, logjika dhe teoria e “interesave” kisingjeriane, që na mëson se; “Amerika, nuk ka as miq e as armiq të përhershëm, por, ka vetëm interesa të përhershme”, përveç që është një sfidë e vështirë është edhe një guxim me përplot rreziqe të mëdha e të panjohura, si për qeverinë (Kurti) ashtu edhe për opozitën (Krasniqi, Abdixhiku, Haradinaj) t’i thonë PO cilitdo variacion te Asociacionit qofte ai me ose pa kompetenca! Themi guxim, edhe për shkakun e thjeshtë se nuk ka asnjë siguri e asnjë garancie, madje as nga vetë SHBA-ja (shkaku i interesit të saj që t’u përshtatet interesave të reja gjeopolitike, ne rajon) që po ashtu i mbron interesat e saja gjeostrategjike ne rajon, po edhe vazhdimin e të qenit superfuqi e vetme në gjithë botën. Kërkesën amerikane për të gjetur një zgjidhje, në ngërçin e krijuar midis Kosovës dhe Serbisë, ne duhet ta mirëkuptojmë (por, jo edhe ta pranojmë ad hoc e pa i adresuar në ketë “kërkesë” miqësore, edhe interesat tona afatgjata), sepse lufta në Ukrainë, sa po kuptohet po e kërcënon seriozisht, por, edhe po mundohet ta shprishë gjithë arkitekturën e gjeostrategjisë amerikane që ishte “instaluar” (prej rënies së Murit të Berlinit, më 1989, për të vazhduar me intervenimet në Bosnje dhe (sidomos) Kosovë dhe për të kulmuar me anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO) në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mendoj që edhe kalkulimi amerikan për të “përkëdhelur” e “pajtuar” Serbinë shkaku i shpresës se ajo do “shkurorëzohet” lehtësisht nga Rusia (në faza afatgjata; le të shikohet historia e raportit të Serbisë me ish Perandorinë Otomane, ku Serbia në momentin e shpalljes së pavarësisë, jo që u largua nga “orbita” otomane, por zhvilloi edhe shumë luftëra kundër sajë) është i gabuar dhe në disfavor të interesave gjeostrategjike amerikane në Ballkan, edhe për ca arsye e shkaqe të natyrave të ndryshme; një: tradhtia që do ia bëjë Serbia Amerikës brenda pak kohe do mundet të vërtetohet, sepse ende mbi 70% të serbëve e besojnë Rusinë e Vladimir Putinit: dy, Amerika, sikurse ish perandoria otomane, do e ripërsëriste gabimin me shqiptarët, ku xhonturqit (fascinuar dhe infektuar me nacionalizëm vetanak) xhonturk) shqiptarët, nga një mik e aleat e besnik shekullor (siç ishin; deri në kohën e para shpalljes së Pavarësisë, 1911) i “kthyen” dhe i shndërruan me “shpejtësi drite”, nê armiq.!? Shqiptarët, madje zhvilluan edhe kryengritje të pareshtura! Pra, historia (e “interesave” kisingjeriane) na mëson se miqësia, aleanca po edhe lidhja kulturore e fetare me perandorinë otomane, ani pse, ishte qindravjeçare, u shemb përnjëherë vetëm shkaku i fragmentarizmit të interesave dypalëshe. Për Perandorinë otomane, mbaroi shkaku i xhelozisë dhe tendencave për ta ruajtur status quon (që tashmë ishte bërë kancerogjen për gjithë rajonin e Ballkanit) e dominimit të saj, në rajon, ndërkaq, për shqiptarët kjo aleancë e miqësi e mishëruar në shekuj, mori fund, për shkakun e ambicieve dhe synimeve për ta krijuar edhe ata (më në fund!) shtetin dhe për ta legalizuar identitetin e tyre kombëtar, ashtu siç kishin bërë edhe kombet tjera ballkanike… Tani, kur është fjala te plani franko gjerman, duhet të themi se: nëse kurthi i Serbisë, ishte bindja se duke e pranuar planin –franko gjerman, Kosova do e refuzoj dhe kështu do shpallet “fajtorja” kryesore për dështimin e negociatave, atëherë, Kosova (step by step) nuk duhet të konfrontohet me vrazhdësi të theksuar ndaj këtij plani, edhe për shkakun se; ambasadori rus në Beograd Z. Aleksandar Bochan-Kharchenko, i “rekomandoj” Serbisë që të mos nxiton, në vendimmarrje, sepse “statusi përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet në kushte të tjera gjeopolitike pas përfundimit të konfliktit me Perëndimin në territorin e Ukrainës. E cila sipas tij do mbaroj me fitoren e sigurt ruse. Kjo nënkupton se, “patatja e nxehtë” që i ngeli në dorë Kosovës, duhet ti kaloj Serbisë. Ndërkaq, qeveria dhe opozita kosovare, bashkë edhe me ca civilista e (b)analistë e akademikë mjeranë, do të japin herë kurdo llogari për të gjitha vendimet e marra në këtë kohë…
2. Shqiptarët në udhëkryq; ta lënë fatin e kombit në duar të huaja, apo ta marrin në duar të tyre?
Përpjekja jonë politike, e sidomos ajo diplomatike, për ta koordinuar si ruajtjen ashtu edhe konservimin e sfondit të njohjeve të deritanishme ndërkombëtare, po edhe pranimin e kësaj shtetësie që po na e kushtëzojnë kush po mundet më përpara, nuk do të duhej të shquhej e aq më pak të identifikohej; as si poltronizëm (politik) e as si konformizëm (diplomatik), e aq me pak si servilizëm e përkulje deri në thyerje të “palcës kurrizore” politike nga cilido subjekt politike në Kosovë. Arsyeja, është shumë thjesht, ngase, në kushtet dhe rrethanat e sotme të gjeopolitikave të shprishura dhe të një konkurrence jolojale midis “dinozaurëve” global (politik, social, ekonomik, ushtarak, e kulturor) është tërësisht e pamundur dhe e paimagjinuar që të dëshmohesh plotësisht sovran (në kuptimin wesfalian*!) ndaj Atij (në këtë rast; mikut dhe aleatit strategjik) që të ka ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve shtetërore dhe në garancionet për ta ushtruar e ndërtuar këtë sovranitet (anipse, jo 100%) mbi këto 10.800 km2. Në anën tjetër, metodologjia e analizë së përmbajtjes, po na sinjalizon se kjo mënyrë fleksibile e sjelljes suaj ndaj Atyre që; të kanë ndihmuar në çlirimin e vendit nga një regjim gjenocidial që shkaktoj pesë luftëra në Ballkanin Perëndimor; që të hapën derën e shumicës së shteteve për njohjen e shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008; e që ende po të garantojnë se po këtë shtetësi të mbetur (pas pranimit të Asociacionit, si një “Republika Srpska, në Kosovë”), Ti mundesh edhe më tej; ta “ushtrosh, ta trajnosh, apo edhe ta improvizosh” e identifikosh si sovranitet postmodern. Në anën tjetër, kjo nuk nënkupton që Ti do shndërrohesh në një “altoparlant”, apo në një “Yes” – man i cili kurrën e kurrës nuk e ka guximin ta thotë apo ta shqiptoj atë “JO-ne”, e madhe dhe burrërore! Në veçanti, kur janë pyetje interesat Tuaja vitale shtetërore e kombëtare. Pra, nëse kështu kundrohet sharmi dhe esenca e politikës postmoderne, Ti në mëngjes mund të shpallesh heronj, e në mbrëmje të shndërrohesh në tradhtar!? Tani, nëse e testojmë insistimin e Brukselit (më shumë) dhe atë të Washingtonit (më pak)lidhur me Asociacionin, Ti e kupton se Ata po e tregtojnë Asociacionin: jo për shkakun e: njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë dhe të pesë shteteve tjera evropiane, por, për shkak të (kinse) humbjes që e pësoj Serbia nga bombardimet e NATO-s….
3. Opozita kosovare, ka dy rrugë për ta ndalur Asociacionin
Marrëveshja me Serbinë, që po pritet të firmoset më 27 shkurt, 2023, sipas gjitha gjasave do jetë një Marrëveshje (interesant!) për një “status quo” të re e të përkohshme, midis Serbisë dhe Kosovës, ngase, në brendësinë e saj, Ajo nuk do ta përmbaj, as; A/. sintagmën (insistuese) për “njohjen e ndërsjellët, në qendër” ashtu siç shpresonte KM; as B/. turnin e “fillimit të menjëhershëm të implementimit të Asociacionit”, ashtu siç synonte dhe insistonte, Presidenti serb; e po ashtu, nuk do ta ketë; as, C/. fuqinë e obligimit të përhershëm, të(ashtu siç i adresohet Serbisë dhe Kosovës, Z.Lajçak e Borrelli) të Marrëveshjeve që zakonisht ratifikohen shpejt, por, edhe kontestohen shpejt… Meqë opozita, deri më sot nuk e ka artikulua qartësisht (por, vetëm e ka përkrah përmes eufemizmave) qëndrimin e saj ndaj Planit franko-gjerman, Ajo tani e ka rastin ideal që ta sqaroj me saktësi milimetrike verdiktin; ta heshtë atë që sipas gjitha gjasave do e nënshkruaj KM Albin Kurti, më 27 shkurt; apo ta kontestoj rrufeshëm Marrëveshjen në horizont… Kur jemi te kontestimi, opozitën e këshilloj që t’i përdorë apo t’i kombinoj dy metoda (tashmë që para tyre i ka ushtruar VV për të ardhur në pushtet) apo dy rrugëdalje mjaft efikase. Rrugëdalja e parë e kontestimit, është aula e Parlamentit ku PDK-ja me LDK-n dhe AAK-n duhet ta provojnë standardin dhe vendimin e normuar të SHFUQIZIMIT të Marrëveshjes së vitit 2011&2015. Rrugëdalja e dytë, për mendimin tim qëndron në refuzimin kategorik të gjitha Marrëveshjeve paraprake, duke mos e përjashtuar edhe Marrëveshjen në horizont të 27 shkurtit 2023, ku në javët në vijim opozita DUHET t’i ftoj gjithë qytetarët e Kosovës (pa dallim gjinie, mosha, etnie e përkatësie ideologjike e fetare) në protesta masive, kundër planit franko-gjerman (ky figuron edhe “portreti” i Asociacionit!). Opozita, me këtë akt dhe demonstrim të saj civilizues, ndaj qeverisë së Albin Kurtit, po edhe ndaj nënshkrimit të këtij Plani do arrinte si thuhet “me një gurë, t’i vras dy zogj”! “Guri” i parë që i adresohet kontestimit të Asociacionit (i cili galuc po figuronte në Planin franko-gjerman!) përmes tentimit që njëjti të provohet edhe të shfuqizohet! Guri” i dytë, ka të bëjë me rikthimin e opozitës në pushtet përmes revoltës apo pakënaqësisë së qytetarisë rebeluese. Pra, opozita duhet të kalkuloj ose “algoritmin” e rrugës, ose atë të aulës së Parlamentit. Kur është fjala e aules së Parlamenti, LDK-ja, me përvojën e ushtruar me “kodin” e joviolencës (në rast se dëshirojnë t’i ngjasojnë asaj që ata shpeshherë e kanë shquar dhe identifikuar si “filozof rugoviane“, e ka shumë më lehtë me u akomodua me rrethanat e demonstrimit civilizues. E PDK-ja, nëse dëshiron ta veshë “kostumin” e ri (sepse, ai identifikuesi për mendimin tim është “vjetruar” dhe “konsumuar” skajshmërisht!) identifikues që është duke bërë përpjekje ta lansoj lidershipi i ri i saj, duhet ta testoj metodën “kurtiane” (rezistencë, kontestim dhe refuzim) të rrugës parlamentare (tym e gaz në Parlament) dhe atë të protestave të pareshtura në rrugë. Kurse, AAK-ja, si parti-kompani mjaftohet që ta testoj “xhematin” e saj duke u bërë apel që përmes pranimit publik, ta “kundërshtoj” formalisht, e pa ndonjë pompozitet të theksuar, planin franko-gjerman. Ashtu sikurse veproj me Demarkacionin që e “shiti” në publik si “miqësi” me perëndimin…