Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në promovimin e grave krijuese nga Kultura, Universiteti dhe Mediat, ngjarje kjo organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të ZKM-së, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin.
Kryeministri Kurti fjalën e tij e nisi me faleminderit në vend të përshëndetjes, duke thënë se jemi falënderues e mirënjohës për kontributin e grave krijuese dhe ndikimin e tyre në progresin tonë shoqëror, në formimin e përjetimin tonë artistik.
Kjo ngjarje i dedikohet kujtimit të grave krijuese, profesoresha universitare dhe gazetare që ndërruan jetë gjatë periudhës së COVID-it.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar Kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore, znj.Edi Gusia,
Të nderuara zëvendësministre të Qeverisë së Republikës së Kosovës znj. Daulina Osmani, dhe Linda Çavdarbasha
Të nderuara profesoreshë Lejla Haxhiu Pula, Znj. Besa Llugiqi, Soprano, Znj. Blerta Zeqiri, Regjisore; Profesoreshë Zake Prevlukaj; Znj. Doruntina Basha, Dramaturge/Skenariste,
E nderuara Prorektore në Universitetin e Prishtinës. Znj. Arta Basha Jakupi,
Të nderuara profesoreshë Vjollca Krasniqi, Majlinda Daci Ajvazi, Ardiana Gashi,
E nderuara Znj. Ibadete Bytyqi, Shkencëtare e vitit 2021,
Të nderuara gazetare, Znj. Saranda Ramaj, Znj. Kaltrina Rexhepi, Znj. Gentiana Begolli Pustina, Znj. Dafina Halili,
Të nderuara gazetare nga Ukraina dhe nga Afganistani,
Të nderuar përfaqësuese diplomatike të shteteve mike,
Shkëlqesi ambasadorë znj. Vakali, znj. Benedejcic, znj. Ziadeh, znj. Spence dhe znj. Suokko
Të nderuara përfaqësuese të institucioneve, organizatave ndërkombëtare, e të shoqërisë civile,
Të nderuara aktiviste e aktivistë të të drejtave të grave e të njeriut,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
Falemnderit, në vend të përshëndetjes. Sepse jemi falënderues e mirënjohës për kontributin e grave krijuese dhe ndikimin e tyre në progresin tonë shoqëror, në formimin e përjetimin tonë artistik.
Asnjë traditë e madhe krijuese nuk është bërë pa gratë. Disa krijime të grave janë të njohura e disa kurrë nuk u morën vesh se janë të tyret. Të gjitha gratë në art kanë revolucionarizuar jetët e tyre, por edhe tonat gjithsesi. Derisa ato e shprehën veten në mënyrë artistike e krijuese, publiku, shoqëria u përnaltësua prej tyre.
Prandaj ne duhet t’i njohim ato, emrat e tyre, veprat e tyre. T’i lexojmë, t’i citojmë, t’i përmendim e promovojmë dhe asnjëherë të mos i harrojmë.
Meqë ky organizim është në nderim të artisteve, aktivisteve, studiueseve, shkrimtareve e krijueseve, që u ndanë nga ne në vitet e fundit, ne këtu para jush kemi vendosur emrat e disa prej tyreve, të cilat u ndanë nga ne në këto vitet e fundit por nga vepra e të cilave ne nuk duam dhe nuk do të mund të ndahemi asnjëherë.
Duke nderuar sot intelektin e tyre, inkurajojmë vajzat e reja të ndjekin rrugën e mendimit dhe të krijimit. Ato e kanë bërë ndryshimin e madh duke mos pranuar të jenë veç muza por edhe krijuese. Ato e kishin të zgjidhur shumë qartë këtë raportin subjekt-objekt. Ato e ofrojnë edhe sot këtë model, jo vetëm për vajzat e reja, por për këdo që ka zgjedhur rrugën e origjinalitetit dhe shprehjes autentike. Vërtet nuk janë më me ne, por jeta llogaritet me punën. Ato kanë jetuar më shumë, se jetët e tyre ishin dinamike nga aktiviteti e të thella për nga krijimi.
Me gjithë punën e angazhimin e grave pioniere, krijueset janë ende të nënprezantuara, të paprezantuara, por edhe të panjohura fare nganjëherë. Sigurisht që padrejtësisht.
Shpesh herë autoret gra, krijueset, ta japin përshtypjen se janë më të fokusuara, shumë më të fokusuara, si askush tjetër, në veprat e tyre shumë më shumë sesa tek vetvetja e tyre. Ky është edhe arti i vërtetë. Jo marketingu mbi artin. Madje aq shumë ato e kanë mohuar vetën përballë veprave, sa një pjesë e madhe, ta zëmë e letërsisë së krijuar nga to, është anonime. Ndër iniciale apo pseudonime ato e kanë maskuar gjininë e tyre për të siguruar publik dhe trajtim serioz të krijimtarisë. Derisa mendimi i tyre ka qenë i shtypur, hapësira e koha e vogël, guximi i tyre ka qenë gjithnjë i madh. Sfida të shumëfishta gjatë punës, publikimit, gjatë kritikës e nganjëherë edhe pas vdekjes. Madje as pas vdekjes nuk trajtohen njëjtë me kolegët e shokët e tyre. Ata përkujtohen në çdo përvjetor, e këto rrezikojnë dënimin e pamerituar me harresë. Andaj obligohemi që t’i përkujtojmë përherë ato, të lartësojmë autoritetin e tyre, punën dhe veprat e tyre.
Jam i vetëdijshëm që shpesh autoret duhet të punojnë dy herë më shumë, në mënyrë që t’i afrohen skenës publike. Dhe nuk e kam fjalën veç për balancin punë – jetë, ndarjen e padrejtë gjinore të punëve, por edhe për vetë punën artistike. Duhet dyfishi i angazhimit për të arritur suksesin e burrave. Dhe nëse arrin majën e suksesit, atëherë shpesh gjendet një burrë për t’i ndarë meritat. Realiteti tregon se në fakt krijimtaria artistike e autorëve burra nuk është krejt e tyre. Ajo është e ndikuar shumë prej grave në jetët e tyre.
Kur nobelisti Mario Vargas Josa shkroi për vdekjen e shkrimtarit Hulio Kortazar, meqë e njihte për së afërmi, nuk mundi pa i kushtuar disa faqe Aurorës, bashkëshortes së Kortazarit. Ai shkruan: “vështirë të thoje se kush kishte lexuar më shumë e më mirë dhe kush nga ata të dy thoshte gjëra më të mprehta”. Këto i përmendte duke e vlerësuar intelektin, kreativitetin, njohjen e thellë të letërsisë dhe sakrificën që familja të kishte vetëm një shkrimtar.
Dhe ky nuk është veç një rast ndër krijuesit. Virginia Ëoolf ngrinte për shembull dyshime se a është letërsia e burrave vërtetë e burrave?
Te kontributi i grave, përmes hulumtimit me optikë gjinore, gjejmë gjurmë autoriale edhe të grave si partnere. Mendimet, krijimet, veprat, publikimet nganjëherë nuk janë krejt autentike por të ndikuara direkt nga mbështetja apo diskutimi me partneret e tyre. Ato krijuan e mirëmbajtën një frymë intelektuale në shtëpi e në çdo bisedë. Andaj, jo pa të drejtë thuhet se veprat janë edhe vepra të grave të tyre.
Përderisa gratë bëjnë vepra shpesh herë në pengesa e përkundrejt pengesave të burrave, veprat e burrave nuk janë veç të burrave. Njëjtë sikur edhe nënat e dëshmorëve të cilat ishin vendimtare në shumë prej rasteve që fëmijët e tyre t’i bashkohen luftës. Ishte edukimi i tyre mbi rëndësinë e lirisë që i çoi ata në vendim për t’u bërë pjesë e luftës çlirimtare.
Nga studiueset e huaja të kombit shqiptarë mbase ato që na kanë dashur më së shumti janë pikërisht dy gra Edith Durham dhe Berit Baker.
Ditë si kjo, por jo vetëm kjo, na kujtojnë se duhet të jemi mirënjohës ndaj grave si autore edhe kur ato nuk janë të nënshkruara si të tilla. Kurse kur janë autore, jemi të obliguar dyfish për njohjen e veprave të tyre, për meritat dhe për kujtimin.
Të dhënat nuk janë shumë të sakta, por me aq sa kemi, tregojnë se bibliotekat në Kosovë frekuentohen më shumë prej lexueseve, sesa prej lexuesve djem e burra.
Pra, librat edhe lexohen më shumë prej grave e vajzave, por potencialisht ato janë të burrave autorë. Kurse ato libra që shkruhen prej autoreve varen prej kritikës, përgjithësisht prej burrave. E njëjtë mund të jetë në çfarëdo zhanri të krijimtarisë. 10 autoret më të suksesshme në botë kanë vetëm 19% të lexuesve burra dhe 81% gra. Një raport krejt ndryshe është me autorët më të shitur burra. Raporti qëndron me 55% lexues dhe 45% lexuese. Pra detyra mbetet me ne burrat që t’i njohim më mirë e më shumë veprat e krijimtarisë së grave. Ta pranojmë si referencë tonën intelektuale, informuese dhe artistike. Sikur me shumë çështje të barazisë, përgjegjësia e ndryshimit të situatës edhe këtu bie te burrat. Tek e fundit, vetë problemi i pabarazisë është i krijuar nga burrat. Pra ata që e kanë krijuar problemin duhet ta zgjidhin atë, ose të jenë pjesë e zgjidhjes. Pa barazi gjinore nuk ka barazi shoqërore, e për të arritur këtë nevojitet pikë së pari emancipimi i burrave për barazi gjinore, si parakusht për barazinë shoqërore.
Është tejet e rëndësishme që fëmijët, nxënësit, studentët, t’i kenë autoret gra edhe të pranishme, edhe pranë. Edukimi i brezave të rinj, përveçse edukim moral për barazi gjinore, duhet të jetë edhe edukim kulturor e estetik për barazi gjinore. Edukimi e ka jo më pak të rëndësishme komponentën estetike përvese asaj etike.
Andaj le t’i mbushim raftet e bibliotekave tona me poezitë e prozën e shkrimtareve tona, t’i shohim filmat e producenteve e regjisoreve, ta nderojmë, ruajmë e kultivojmë muzikën e tyre, ta njohim punën kërkimore e shkencore të tyre. Dhe kur ato të mos jenë më, të mos i harrojmë. T’i kujtojmë, si sot, përherë.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Jemi bashkë për të shtyer përpara agjendën e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës. Jemi të lumtur që brenda dy viteve të zbatimit, kemi arritur 18 nga 34, pra mbi 50% të caqeve të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore.
Me përgjegjësi institucionale dhe vetëdije shoqërore, me përkushtim dhe veprime konkrete, do të jemi bashkë në betejat e përpjekjet për një shoqëri që është e drejtë, përparimtare dhe përparuese.
Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Gruas!
Ju faleminderit. /Kosovatimes/