Hakerët rusë duket se po përgatiten për një valë të re të sulmeve kibernetike ndaj Ukrainës, përfshirë edhe sulme me virus që kërcënojnë organizatat që shërbejnë si linja furnizimi për Ukrainën, u tha në një raport të Microsoft të publikuar më 15 mars.
Raporti, autor i të cilit është ekipi për siguri kibernetike i gjigantit të teknologjisë, ka paraqitur disa zbulime të reja sesi hakerët rusë operuan gjatë konfliktit në Ukrainë dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.
“Që nga janari i vitit 2023, Microsoft ka vëzhguar aktivitetin kërcënues kibernetik rus, që është duke u përshtatur me qëllim që të rrisë aftësinë shkatërruese të grumbullimit të inteligjencës në Ukrainë dhe të aseteve civile dhe ushtarake të partnerëve të saj”, thuhet në raport. Një grup “duket se po përgatitet të rinisë një fushatë shkatërruese”.
Gjetjet e ekipit të Microsoft vijnë në kohën kur Rusia po dërgon trupa të reja në fushëbetejën në lindje të Ukrainës, sipas zyrtarëve perëndimorë të sigurisë. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, muajin e kaluar paralajmëroi se Rusia mund të rrisë aktivitetin e saj ushtarak, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Ambasada ruse në Uashington nuk ka dashur të komentojë për këto gjetje.
Ekspertët kanë thënë se taktikat e kombinimit të operacioneve ushtarake me sulmet kibernetike janë të ngjashme me veprimet që Rusia ka bërë në të kaluarën.
Microsoft gjeti se ka një ekip të sofistikuar rus të hakerëve, që është i njohur në komunitetin e hulumtuesve për siguri kibernetike. Ky ekip po teston “aftësi të reja të sulmeve kibernetike që mund të përdoren për sulme shkatërruese ndaj organizatave jashtë Ukrainës që kryejnë funksione kyçe për linjat e furnizimit për Ukrainën”.
Që prej janarit të vitit 2022, Microsoft tha se ka regjistruar sulme ndaj 100 organizatave ukrainase.