Në nëntor të vitit të kaluar, gjykata e qytetit ukrainas, Çernihiv, ka dënuar dy ushtarë rusë në mungesë për “shkelje të rregullave të luftës”.
Akuzat janë lidhur me dhunimin e një vajze të vogël dhe kërcënimeve për vrasjen e saj.
“Në mars të vitit 2022, [Ruslan] Kuliyev, sa ka qenë në rajonin e Çernihivit, vazhdimisht ka tentuar të dhunojë një banore të mitur, e ka goditur në kokë me armë dhe e ka mbytur atë”, kanë thënë prokurorët për njërin prej të pandehurve.
“Përveç kësaj, ai vazhdimisht e ka sulmuar vëllain e saj dhe e ka frikësuar duke e gjuajtur në këmbë”.
Kuliyev është dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa një tjetër ushtar është dënuar me 10 vjet burgim.
Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt 2022, është raportuar se trupat ushtarake ruse kanë kryer dhunë dhe torturë seksuale ndaj grave, në zonat që i kanë pushtuar.
Përgjatë luftës, teksa disa territore ukrainase janë çliruar – disa javë pas nisjes së luftës – zyrtarët ukrainas dhe zyrtarë për ofrim të ndihmës, kanë thënë se numri i rasteve që janë përballur me një dhune të tillë ka arritur në qindra.
Mirëpo, mund të ketë edhe më shumë.
“Të gjitha raportet që janë duke qarkulluar përbëjnë vetëm majën e ajsbergut”, ka thënë Përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara për Dhunë Seksuale dhe Konflikt, Pramila Patten, në një konferencë për media në Kiev.
“Dhunimet gjatë luftës nuk mund të konsiderohen si produkt i pashmangshëm i luftës. Duhet të njihen nga të gjitha palët si krime që mund të parandalohen dhe ndëshkohen”.
Pavarësisht dëshmive dhe të dhënave, zyrtarët rusë mohojnë se trupat e tyre kanë shënjestruar civilë, apo që kanë kryer krime përgjatë luftës, të cilën Kremlini e konsideron si “operacion special ushtarak”.
Një rrjet i zyrtarëve ukrainas për sundim të ligjit, dhe grupet për ofrim të ndihmës humanitare, janë duke punuar për t’iu ofruar ndihmë viktimave të dhunës seksuale dhe për të mbledhur të dhëna, që mund të përdoren për gjykimin e të dyshuarve për krime.
“Ne nuk duhet të presim që Rusia të humbë”, ka thënë Oleksandra Matviychuk, udhëheqëse e Qendrës ukrainase për Liri Civile dhe bashkë-laureate e Çmimit Nobel për Paqe më 2022.
“Pse duhet që kërkesat e njerëzve për drejtësi të varen nga kjo gjë?”, ka thënë ajo në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në nëntor të vitit të kaluar.
‘Ka ndodhur aq shpejt’
Prej kur ka nisur lufta, Fondacioni Cordelia me bazë në Hungari, u ka ofruar ndihmë më shumë se 730 ukrainasve, shumica e tyre viktima të dhunës seksuale.
“Ata shpesh përballen me ankthe, depresion, mungesë motivimi, çrregullime të gjumit, përfshirë makthe, e probleme tjera”, ka thënë Lilla Hardi, psikiatre dhe themeluese e qendrës Cordelia.
“Shumë prej tyre tentojnë të punojnë më shumë dhe ‘të mos mendojnë për të kaluarën’, derisa të tjerat fokusohen te fëmijët”.
Organizata feministe e Lituanisë, Lygiai, është fokusuar te viktimat e dhunës seksuale prej kur ka nisur lufta.
“Që në javën e dytë të luftës, ne kemi pasur kërkesa për teste të shtatzënisë”, ka thënë themeluesja dhe udhëheqësja e qendrës Lygiai, Reda Jureliaviciute.
“Ne kemi qenë të befasuar që dhuna seksuale veçse është raportuar – ka ndodhur shumë shpejt”.
“Atëbotë, organizata të mëdha të ndihmës, sikurse Kryqi i Kuq, kanë nisur të dërgojnë pak teste të shtatzënisë”, ka shtuar ajo.
“Prandaj ne kemi nisur dërgesat e para. Ka rezultuar që ne i kemi blerë pothuajse të gjitha pilulat kundër shtatzënisë që kanë qenë në gjithë shtetin. Më parë nuk ka pasur kërkesë të tillë për to në Lituani”.
Lygiai punon me organizatat lokale në Ukrainë për të dërguar ndihmë te njerëzit që kanë nevojë, ka thënë Jureliaviciute.
Përveç testeve dhe pilulave kundër shtatzënisë, ky grup dërgon edhe produkte higjienike për gratë.
“Jo shumë njerëz mendojnë për këto çështje gjatë kohës së luftës”, ka thënë ajo.
“Shembull, nuk është aq prestigjioze që të dërgosh peceta menstruale, në krahasim me dërgimin e helmetave për ushtrinë. Mirëpo, grave u vazhdon cikli menstrual edhe gjatë luftës, dhe është shumë e rëndësishme që të kenë qasje në produktet për higjienë personale”.
Ky grup ofron ndihmë edhe për refugjatet ukrainase në Lituani.
“Ne nuk i pyesim gratë nëse janë përballur me dhunë seksuale”, ka thënë Jureliaviciute.
“Fillimisht, ato duhet të ndërtojnë besim. Ideja jonë kryesore është që t’i bëjmë këto shërbime të qasshme, qofshin psikologjike apo mjekësore. Stigma rreth dhunës seksuale është ende shumë e fuqishme, sidomos në Ukrainë”.
“Kryej një telefonatë”
Raporti i Kombeve të Bashkuara, i muajit shtator, ka gjetur 30 raste të dhunës seksuale të kryera nga forcat ruse prej nisjes së luftës, duke përfshirë dhunimin e tetë grave dhe një vajze, si dhe “15 raste të dhunës seksuale si metodë torture dhe keqtrajtimi për burrat”.
Zyrtarët ukrainas dhe punëtorët për ofrim të ndihmës, kanë thënë se numri i rasteve të dokumentuara është rritur shumë shpejt, pas çlirimit të disa rajoneve të Harkivit dhe Hersonit.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë, ka thënë në shkurt të këtij viti se qindra viktima janë intervistuar, derisa 155 janë pajtuar që të dëshmojnë në gjykata për përvojat e tyre.
Në të paktën 11 prej rasteve të dokumentuara, viktimat kanë qenë të mitura.
“Edhe në kohë të paqes, njerëzit mund të hezitojnë që të raportojnë dhunën”, ka thënë prokurorja Iryna Didenko, e cila udhëheq një njësit special që heton krimet e luftës të lidhura me dhunë seksuale.
“Rreth 155 njerëz janë pajtuar të marrin pjesë në procedurat penale, mirëpo numri i viktimave është shumë më i madh. Mjekët dhe psikologët janë duke punuar që t’iu ndihmojnë për të diskutuar se çfarë ka ndodhur me ta”.
Prokurorët kanë hetuar 38 raste, në të cilat viktima kanë qenë burrat, 37 prej të cilëve gjenden në zonat e çliruara të Hersonit.
Zyrtarë për zbatim të ligjit kanë zbuluar qendra të torturës në rajonet kur Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) në Rusi dyshohet se ka shënjestruar familjarët e ushtarëve ukrainas, zyrtarë dhe aktivistë të rezistencës.
“Zyrtarë të FSB-së janë duke kryer tortura të ndryshme ndaj një numri të madh njerëzish, përfshirë disa me elemente të dhunës seksuale”, ka thënë Didenko.
“Nëse një burrë është duke shërbyer në ushtri, apo ka punuar në departamentin për zbatim të ligjit, familjarët e tij janë në linjë të parë. Nëna e tij, gruaja, apo vajza, mund të torturohen dhe më pas iu kërkohet ta ‘përshëndesin’ djalin, burrin apo babain”.
Didenko ka shtuar se praktika e dhunës seksuale nga forcat ruse është aq e përhapur, prandaj edhe dyshon që është kryer me dijeninë e autoriteteve pushtuese ruse.
Didenko ka thënë se në momentin e çlirimit të një zone, zyrtarët ukrainas nisin makina të pajisura për situata të posaçme.
“Në secilën makinë është edhe një psikolog”, ka thënë ajo.
“Pas ekzaminimit mjekësor dhe mbledhjes së të dhënave, viktima mund të evakuohet. Atyre u mundësohet të marrin edhe kafshët shtëpiake me vete”.
Didrenko ka thënë se psikologët vendosin më pas për terapinë apo ilaçet që duhet marrë viktimat, pasi gjendja e tyre mendore dallon nga stabile në gati vetëvrasje.
Mariann Ziss, psikologe hungareze, e cila punon me viktimat ukrainase, ka thënë se është shokuar nga disa deklarata në rrjetet sociale dhe nga disa biseda të incizuara telefonike, në të cilat ushtarët rusë kanë rrëfyer për motivet e tyre gjenocidale.
“Ata janë duke tentuar që të poshtërojnë një tjetër komb përmes trupit të gruas”, ka thënë Ziss për Current Time, televizion në gjuhën ruse i drejtuar nga Radio Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.
“Është mesazh për të gjitha gratë dhe burrat [e shtetit]”.
“Optimiste e kujdesshme”
Khrystyna Kit është drejtore e JurFem, asociacionit të grave avokate, të cilat, prej kur ka nisur lufta në Ukrainë, janë kthyer “në mbështetje për të mbijetuarat e dhunës seksuale”.
Organizata vepron në disa qendra për ofrim të ndihmës, ku viktimat e dhunës seksuale mund të përfitojnë falas ndihmë mjekësore, psikologjike apo ligjore.
Vullnetarët e JurFem punojnë falas edhe në qendrat ku ofrohet ndihmë telefonike për gratë.
“Nëse një viktimë nuk pranon ndihmë psikologjike, apo nëse nuk trajtohet me terapi, atëherë personi në fjalë mund të na kontaktojë apo të marrë pjesë në gjyqin penal”, ka thënë Kit.
“Është shumë e rëndësishme për ne që viktimat të dëshmojnë. Forenzika dhe të dhënat tjera janë, po ashtu, shumë të rëndësishme”.
Kateryna Borozdina, zëvendëspresidente e La Strada Ukrainë, ka thënë se organizata e saj ka lansuar një bashkëbisedim anonim në Telegram për t’iu ofruar viktimave një hapësirë për të rrëfyer historitë e tyre në mënyrë konfidenciale.
Ajo ka thënë se kjo bisedë mund të shënojë hapin e parë drejt tejkalimit të frikës dhe turpit, që i parandalon shumë viktima nga kërkimi i ndihmës.
Kievi është duke punuar me prokurorët e jashtëm, në bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për të krijuar një tribunal për gjykimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përfshirë rastet e dhunës seksuale.
Prokurorja Didenko ka thënë se ajo është “optimiste e kujdesshme” që disa persona do të ndëshkohen.
“Kolegët tanë, dhe partnerët nga JurFem, janë duke na ndihmuar që të hartojmë dokumentet strategjike, meqë përvoja e Ukrainës ka qenë unike”, ka thënë Didenko për Current Time.
“Ne jemi duke zhvilluar metodologjitë tona, të cilat më pas do të integrohen dhe do të adaptohen në norma ndërkombëtare”.
Drejtorja e JurFem, Kit, ka thënë se çdo viktimë e ka idenë e saj se si mund të duket drejtësia.
“Disa duan që kriminelët të arrestohen dhe të burgosen”, ka thënë Kit.
“Të tjerët duan kompensim në formën e rehabilitimit dhe ndihmës mjekësore apo sociale. Të tjerë, që t’iu ofrohen garanci për mospërsëritjen e krimeve të tilla. Garancia për mospërsëritje është formë dëmshpërblimi që ne mund të ofrojmë kur i nxjerrim njerëzit para drejtësisë dhe i ndëshkojmë ata”.