Shkruan: Dr. Hysni ALIU
Kohëve të fundit në mediat e Kosovës, ka pasur shumë shkrime dhe diskutime në lidhje me përkujtimin e datave të vrasjes së figurave të ” rëndësishme serbe” në Kosovë e qe besa edhe në Serbi, siç ishte rasti i përkujtimit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por edhe Zoran Gjingjiqit, për të cilat vrasje akuzohen me fakte dhe me të drejtë figurat kriminale serbe, të cilat së paku në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit përkrahen dhe indirekt udhëhiqen nga kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçiq. Me këto përkujtime, kryeministri Albin Kurti, po mundohet të ua zbulon fytyrën e vërtetë të regjimit të Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të ti jashtë dhe brenda, por edhe po mundohet që të fitoj besimin dhe simpatinë e qytetarëve Serb, si në Kosovë e po ashtu në Serbi, gjë e cila do të ndikonte në shtimin e përkrahjes për ministrin Rashiq dhe zonjën Trajkoviq, dhe individët tjerë nga pakica serbe që ju bashkuan qeverisjes Kurti.
Natyrisht, e kuptoj edhe aspektin njerëzor të kujtimit të viktimave të krimit, gjë e cila është pjesë e civilizimit modern, ku çdo gjë e keqe, kudo që ndodhë dhe pa marr parasysh nga kush vjen dhe kush është viktima, këto akte janë të dënueshme. Kam menduar të shkruaj kur z. Kurti përkujtoj vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por heshta, sepse besova që lidhet me aspektet e lartcekura dhe si shenjë respekti për ministrin Nenad Rashiq dhe Zonjën Trajkoviq, dhe votuesit e tyre, por u detyrova të shkruaj, pasi që z. Kurti e përsëriti sërish të njëjtën gjë, tani më për një vrasje që nuk ka ndodhur në Kosovë por në një shtet që lufton me çdo gjë që ka për të na shkatërruar.
Do të ishte i akceptueshëm përkujtimi i Gjingjiqit, nëse me Serbinë do të kishim marrëdhënie normale, dhe nëse Gjingjiq do të ishte deklaruar pro pranimit të pavarësisë së Kosovës, apo do të kishte ardhur në Kosovë për të kërkuar falje për gjenocidin dhe tentim shfarosjen e popullit shqiptarë, por duke ditur të kaluarën e tij dhe situatën e tanishme pothuajse në prag të një lufte Serbi-Kosovë, këto përkujtime, nuk besoj që i sjellin dobi Kosovës, as qeverisë Kurti, ashtu siç nuk i solli ish kryetarit Hashim Thaçi i cili u përkul tek një pllakë përkujtimore, ku shkruhej viktima të terroristëve shqiptarë. Akuzat për z. Oliver Ivanoviqin për krime lufte dhe krime të pasluftës ndaj shqiptarëve, nuk mundë të shlyhen me vdekjen apo vrasjen e tij ashtu siç nuk u shlyhen kurrë akuzat për gjenocid të shtetit serb ndaj Kosovës të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq, edhe pse ai vdiq në burgun e Hagës. Vdekja e kriminelëve e pastron botën nga ai, por nuk e shëron kurrë shpirtin e thyer të atyre që vuajtën nga dhuna e atij individi. Unë e di dhe jam i sigurt në qëllimin e mirë të kryeministrit Albin Kurti, por nganjëherë kalimi i vijave të kuqe, mundë të jetë fatal për karrierën e një politikani dhe individi, e vijat e kuqe është që; ashtu siç nuk i përkujtojmë kriminelët dhe armiqtë për së gjalli, në të njëjtën mënyrë nuk duhet të përkujtohen as për së vdekuri, edhe nëse ai përkujtim shkon në dëm të armikut. Këto dy përkujtime që i ka bërë z. Kurti, mundë të ndikojnë negativisht në vullnetin e elektoratit që e ka votuar z. Kurtin, e kjo do i shkonte për shtati pikërisht Serbisë e cila donë rrëzimin e Kurtit me çdo kusht. Bashkëngjitja e z. Nenad Rashiq dhe zonjës Rada Trajkoviq qeverisë Kurti, nuk guxon që të kompensohet me përkujtime të tilla të cilat në afat më të gjatë e dëmtojnë thelbin dhe shpresën e shtetit të Kosovës, që për momentin është qeveria Kurti. Nuk po i krahasoj në asnjë mënyre katër ish krerët e UÇK-së në Hagë me Gjingjiq apo Ivanoviq, larg saj, sepse këta ishin luftëtar lirie, por po dua të them që përderisa të burgosurit tanë në Hagë, nuk po përkujtohen nëpër solemnitetet shtetërore, pikërisht për shkak të akuzave që rendojnë ndaj tyre, edhe pse ata janë tërësisht të pafajshëm derisa gjykata të vendosë ndryshe, nuk mundem ta kuptoj kurrsesi me logjikën time të shëndoshë posaçërisht përkujtimin e Z. Oliver Ivanoviq e as z. Gjingjiqit nga një udhëheqës i institucioneve të Kosovës. Nuk është e rëndësishme se kujt i drejtohesh, pra serbëve në gjuhën serbe apo të tjerëve, ka rëndësi ajo që e thua z. Kryeministër, sepse gjuha nuk e bënë një të shprehur as të gabueshme as të pa gabueshme. Së këndejmi, z. Kryeministër Kurti, nëse je këshilluar të veprosh kështu , dije që je këshilluar gabim, nëse ke vendos me mendjen tënde duke besuar që është interes i Kosovës edhe kjo është gabim, por edhe nëse këto përkujtime i ke bërë si lëshim pe për ta kënaqur pakicën serbe në Kosovë prapë ke bërë gabim, andaj të lus me sinqeritetin më të madh qe gabime të tilla mos të përsëritësh në të ardhmen, sepse Kosovës dhe kombit i nevojitesh ti me të mirat që ke, ndërsa besimin e serbëve do ta fitosh duke e shtyrë Kosovën në rrugën që e ke nisur.