Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, bënë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan si dhe morën pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e manifestimit të Epopesë së Dukagjinit.
Pas homazheve, kryeministri Kurti vizitoi familjen Haradinaj me ç ‘rast u pritën nga kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të vazhduar më pas në Akademinë Përkujtimore.
‘’Në fillim pranverën e vitit 1998 pas rezistencës së pashembullt të Jasharajve në Prekaz në datat 5, 6 dhe 7 mars vjen qëndresa e fuqishme e familjes Haradinaj dhe Mehmetaj në Gllogjan më 24 mars. Të dyja këto e kishin një armik – Serbinë, kishin një qëllim – lirinë’’, nisi fjalën e tij kryeministri Kurti para shumë të pranishmëve në Akademinë Përkujtimore.
Beteja e ashpër e 24 marsit, sipas kryeministrit, dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe të popullit tonë në rrugën e nisur drejt çlirimit.
“Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk nënshtrohet Kosova. Ky ishte mesazhi që Serbia fashiste mori atë ditë nga kulla e bacës Hilmi”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se fokusi ynë kryesor si qeveri ka qenë dhe është investimi në ushtri, në mbrojtjen fisnike të vendit tonë dhe se duke kujtuar UÇK-në, duke zhvilluar FSK-në, mbrojmë Republikën, përparojmë kombin, i kontribuojmë Evropës.
Derisa kujtoi edhe përvjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe, më 24 mars 1999, ai tha se NATO-ja ndali gjenocidin ndaj popullit shqiptar nga regjimi fashist i Millosheviqit.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri tha se falë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shqipërisë dhe mbështetjes së partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë, si dhe anëtareve të tjerë të NATO-s, ne jemi të lirë dhe si të tillë do të vazhdojmë bashkë përpara.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuara familje Haradinaj dhe Mehmetaj,
I nderuari ministër i Mbrojtjes z. Armend Mehaj dhe gjeneralkomandant i FSK-së, Bashkim Jashari,
Të nderuar gjeneralë, oficerë dhe ushtarë të FSK-së,
Të nderuar ministra e zëvendësministra,
Deputetë të Kuvendit,
I nderuari z. Ramush Haradinaj, ‘’Komandant Smajli’’ i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tash kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,
I nderuar kryetar i komunës së Deçanit, z.Ramosaj,
Dhe kryetarë të tjerë të komunave të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta,
Të dashura familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UCK-së,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Në fillim pranverën e vitit 1998 pas rezistencës së pashembullt të Jasharajve në Prekaz në datat 5, 6 dhe 7 mars vjen qëndresa e fuqishme e familjes Haradinaj dhe Mehmetaj në Gllogjan më 24 mars. Të dyja këto e kishin një armik – Serbinë, kishin një qëllim – lirinë.
Beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe të popullit tonë në rrugën e nisur drejt çlirimit. Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk nënshtrohet Kosova. Ky ishte mesazhi që Serbia fashiste mori atë ditë nga kulla e bacës Hilmi.
Të vendosur në katër pozicione: Hilmi Haradinaj së bashku me Mejremen dhe Frashrin, Ramush Haradinaj së bashku me Bujarin, Dauti me Rasimin e Kujtimin, dhe, Shkëlzeni me Enverin, mbajtën në këmbë kullën, mbajtën në këmbë popullin. Në po atë ditë ranë dëshmorë: Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj, sakrificën e të cilëve sot e nderojmë dhe kujtojmë me respektin më të lartë.
E sot, një çerek shekulli më vonë, të ndarë në tri grupe, 60 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës marshuan drejt Gllogjanit nga tri drejtime: Junik – Gramaqel – Gllogjan, Junik – Irzniq – Gllogjan dhe Gllogjan – Ratish – Jabllanicë. Ky marsh simbolizon linjat e furnizimit me armatim të cilat niseshin nga Shqipëria, armatim i nevojshëm, armatim i domosdoshëm, për të zhvilluar luftën tonë çlirimtare. FSK-ja me këtë marshim ka ndjerë hapat dhe ka ndjekur rrugën e UÇK-së pasardhëse e së cilës ajo është.
Ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional, gjithmonë në shërbim të lirisë e të sigurisë, të paqes e të demokracisë, e në krah të aleatëve tanë. Për 24 muaj, ushtrisë sonë i janë shtuar 1240 ushtarë të rinj. Ndërsa në fazën e testimeve dhe përzgjedhjes aktualisht janë edhe 612 ushtarë aktivë dhe 388 rezervë. Me ndryshimet ligjore të vitit të kaluar, FSK-ja nuk do të ketë më kufizim në numër, e të drejtë aplikimi do të keni të gjithë ju të reja e të rinj deri në moshën 25 vjeçare.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Familja Haradinaj, ia di mirë vlerën lirisë dhe ushtrisë. Është familje e dëshmorëve të kombit me gjeneralë nga lufta. Ushtria është pjesë e pandashme e kësaj familje. Sot në ushtrinë tonë e kemi Luanin, Toger Luan Haradinaj, i cili me zell e përkushtim i shërben atdheut në uniformën e FSK-së.
Fokusi ynë kryesor si qeveri ka qenë dhe është investimi në ushtri, në mbrojtjen fisnike të vendit tonë. Duke kujtuar UÇK-në, duke zhvilluar FSK-në, mbrojmë Republikën, përparojmë kombin, i kontribuojmë Evropës.
Drejtësia dhe fisnikëria jonë bëri që në mbështetje e në krahun tonë të fitonim aleatë. Është pikërisht data 24 mars 1999, kur aleanca e NATO-s filloi bombardimet mbi caqet ushtarake dhe policore serbe. Në aspektin politik Bill Clinton, në atë diplomatik Madeleine Albright, në atë informues James Rubin, në atë ushtarak Wesley Clark. Ishte ky kombinimi që i dha fund pushtimit të Serbisë, ndërsa njerëzve tanë shpresë.
Bombardimet të cilat zgjatën 78 ditë, e ndalën gjenocidin ndaj popullit shqiptar nga regjimi fashist i Millosheviqit. Ky akt i dha mbështetje të fuqishme vendit tonë jo vetëm në aspektin ushtarak por edhe në konfirmimin e fuqishëm që e drejta ishte në anën tonë dhe se Serbia ishte agresori i cili po kryente gjenocid mbi popullin shqiptar të Kosovës.
Pra falë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shqipërisë dhe mbështetjes së partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë, si dhe anëtareve të tjerë të NATO-s, ne jemi të lirë dhe si të tillë do të vazhdojmë bashkë përpara.
Ndërsa qëndrojmë këtu sot, pranë kësaj kulle, kujtojmë pikënisjen dhe gjithashtu pikësynimin tonë.
Nga ky vend në të cilin u bëmë bashkë për çlirim, nga ky vend themi që vetëm bashkë mund ta mbrojmë dhe ndërtojmë dhe zhvillojmë Kosovën tonë.
Lavdi gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! Lavdi familjeve Haradinaj dhe Mehmetaj! Lavdi dëshmorëve e martirëve të kombit!
Ju falemnderit. /Kosovatimes.